Albspirit

Media/News/Publishing

Julian Deda: Koalicioni i vetvrasjes politike

Në 26 Qershor e mbrapa, nuk mund të ketë një koalicion PD-PS (të paktën kështu shpresoj), sepse të dy partitë janë krijuar të qeverisin të vetme ose minimalisht të parat me ndonjë parti të vogël nëpër këmbë.

Pra nëse Rama apo Basha po tentojnë ta bëjnë këtë pas 25 Qershorit, thjesht duhet të fillojnë ta harrojnë këtë marrëzi. Vihet re një parapërgatitje ose ndoshta një matje pulsi, kur Preç Zogaj (një njeri shumë afër Bashës) pyetjes “A do ketë koalicion PD-PS?” i përgjigjet me një fjali të thatë si “këtë e vendos vota e popullit”.

Jo mor Preç, populli nuk mund ta vendosë kurrë këtë dhe ti e di shumë mirë. Këtë e vendosin personalisht dy liderët përkatës të partive. Apo kur dëgjon Ramën duke thënë “Luli nuk është i keq”, të vjen identik e njëjta ndjesi.

Nëse do të ndodhte, që të kishim një koalicion PD-PS, pyetja është: “Cila parti do të bëhej paterica për të mbajtur tjetrën në pushtet? A do ishte krim, nëse qindra mijëra vota demokratësh të përdoreshin për të bërë Ramën Kryeministër?

E kundërta, a do ishim përpara të njëjtit krim elektoral, nëse qindra mijëra vota socialistësh do shfrytëzoheshin për të bërë Bashën Kryeministër? Shpresoj shumë të mos jetë asnjëra, sepse në raste të tilla partitë patericë shkojnë të sigurta drejt shkrirjes.

P.S.: Flirti mbaron në 25 Qershor.

Please follow and like us: