Letrat mes Koçi Xoxes e Xhoxhi Blushit: Duhen gra të reja për pallatin e diktatorit
Hithra.al
Përgjigja nga Korça që nuk po i vinte diktatorit dhe kriteret që kërkoheshin për gratë që do të shërbenin në pallatin e Brigadave, fill pas luftës
Një korrespodencë e çuditshme e gushtit të vitit 1945, ku trajtohet një çëshjte komike në dukje, por e trishtë nëse thellohesh dhe e analizon, zbulon karakterin e vërtetë të drejtuesve komunistë që sapo kishin marrë pushtetin dhe po ndërtonin kështjellën e hekurt të diktaturës. Në dokumentin ekskluziv që publikohet sot nga hithra.al, duket dhuna, frika, perversiteti e imoraliteti në udhëheqjen e lartë komuniste, menjëherë sapo erdhi në pushtet.
Korrespodenca, kryesisht radiograme, zhvillohet mes Koçi Xoxes dhe disa drejtuesve të tjerë në nivele më të ulëta në rrethe, për gjetjen një personeli të “kualifikuar” sipas stilit komunist për Pallatin e Brigadave, që atë kohë quhej pallati presidencial. Personeli me gra të reja do ti shërbente diktatorit.
Me 21 gusht Koçi Xoxe i dërgonte këtë radiogram Xhoxhi Blushit në Korçë: “Presim sa me parë propozimin për personelin shërbyes që ju kemi kërkuar gojarisht për katër kamariera, tre guzhiniera dhe 12 gra për shërbime të ndryshme”.
Ndërsa ende nuk i kishte mbërritur një përgjigje, Koçi Xoxe i sërish radiogram Blushit: “Për të tretën herë po ju kërkojmë propozimin t’uaj për personelin që dispononi për të shërbyer kamarier kuzhinier etj. Brenda ditës presim përgjigje. Koçi Xoxe.”
Po të njëjtin radiogram Xoxe ia nis edhe Haki Toskës në Gjirokastër dhe Llambi Kudrës në Berat.Pas këtij urdhëri Koçi Xoxes i vjen përgjigja e parë nga Berati, ku Llambi Kudra i thotë se “ në qarkun t’onë nuk ka asnji person për të ardhë aty me shërbim të ndryshëm.”
Nuk është ruajtur përgjigja e Xhoxhi Blushit për Xoxen, por ky i fundit i dërgon sërish një radiogram tjetër atij me 8 shtator, ku i thotë : “Nga personat për në pallat nisni menjehrë garsonët edhe të gjithë ato gra që s’kanë fëmijë dhe janë në gjendje të qëndrojnë brenda. Koçi Xoxe.” Këtu nsi të shfaqet edhe detaji i çuditshëm i këtyre radiogrameve, pasi Koçi Xoxe nis të shpalosë kriteret e tij për femrat që do të merrte në shërbim në pallatin presidencial.
Më 13 shtator duket se një përgjigje e denjë i mbërrin Koçi Xoxes nga Sami Gjebero në Vlorë, i cili ishte i vetmi si duket që kishte gjetur personel sipas kërkesave të Koçi Xoxes.
“Në lidhje me radiogramin t’uaj dt. 25.VIII.45 ku kërkoni njerëz për punë u dërgojmë këto propozime: Koço Sotiri ka qenë kursist, besnik, ka të kaluar të mirë. Është punëtor dhe kamarier i mirë. Ilias Çipi i ndershëm, i lidhur pak a shumë me Lëvizjen është kamarier. Zoi Miti kuzhinier i mirë, besnik dhe ka mbajtur qëndrim të mirë. Llambrini Miti, familja e lidhur me Lëvizjen, nipin dëshmor, di mirë të hekurosë, gjendja ekonomike e varfër.
Shadije Avdullah, ka dy vëllezër partizanë, e lidhur me lëvizjen, punëtore, ka punuar në shtëpi të pasura për të hekurosur. Mete Avdullah motra e Shadijes, mund të lajë mirë, pse e ka si mjeshtëri. Në qoftë se do të vlejë ndonji nga këto na shkruani. Sami Gjebero”. Dhe dy ditë pas këtij radiogrami Koçi Xoxe shpreh interes për dy prej femrave, por me kushtin që të jenë të reja, jo plaka.
“Në qoftëse janë të reja nga mosha, d.m.th. jo plaka shoqet Llambirni Miti që mund të shërbejë për të hekurosur dhe Shadije Abdulla, nisi urgjentësisht për Tiranë me letër rekomandimi. Koçi Xoxe.”
Dhe me 17 shtator 1945, Rrapo Dervishi po nga Vlora, i përgjigjet Koçi Xoxes se femrat e zgjedhura I plotësonin kushtet. “Nimet NIzatet, Llambrini Miti dhe Shadije Abdullahu nuk janë Plaka, prandaj sa më parë do t’i nisim”.