Suzana Tahiri: Mali i Zi në NATO, një lajm i mirë për viset shqiptare
Senati amerikan do të miratojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO duke autorizuar presidentin Trump për të ratifikuar këtë zgjerim të Aleancës Atlantike në Ballkan, pavarësisht kundërshtimit të Rusisë. Administrata Trump e mbështet plotësisht këtë proces.
“Ratifikimi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO është shumë në interes të SHBA”, theksoi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në një letër dërguar krerëve të Senatit. Deri sot, 25 nga 28 vende anëtare të NATO-s kanë ratifikuar hyrjen e Malit të Zi, vend i vogël në kufi me detin Adriatik që shpreson të marrë pjesë si anëtar me të drejta të plota në samitin e ardhshëm të NATO-s, më 25 maj në Bruksel.
“Pjesëmarrja e Malit të Zi në samitin e NATO-s si anëtare dhe jo si vëzhguese do të jetë një sinjal i fortë për unitetin transatlantik dhe asnjë palë e tretë nuk ka të drejtë vetoje mbi vendimet e NATO-s”, shkruan Rex Tillerson.
Pas pranimit të Shqipërisë në NATO, pas hapave të hedhura në Kosovë në partneritet me Aleancën e Atlantikut Verior, pranimi i Malit të Zi është një lajm i mirë për viset shqiptare.
Madje zhvillimet e fundit në Maqedoni me unifikimin e faktorit shqiptar në bashkëqeverisje, hapin një dritare tjetër që edhe ky shtet të bëhet anëtar i denjë me grupimin më të madh perëndimor.
Pavarësisht se në shtete të ndara, orentimi mbarëshqiptar nga vlerat më thelbësore perëndimore e bën atë njw faktor përcaktues në Ballkan dhe një lloj garancie për Europën.
Pikërisht rreth këtij këndvështrimi duhet të jetë gjithë angazhimi ynë që na bën drejpërdrejt kontribues të paqes jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Folklorizmat, nacionalizmat e dalë boje, rrebelimet për të qenë protagonist në kurriz të unifikimit tonë mbarëkombëtar duhet të marrin neveritjen dhe përbuzjen e çdo shqiptari, pavarësisht se ku jeton.
Mars 2017