Albspirit

Media/News/Publishing

Drejtori i shkarkuar i FBI dëshmon të enjten në Kongres

Dëshmia e pritshme e ish Drejtorit të FBI-së James Comey para Komisionit të Zbulimit të Senatit ditën e enjte ka ngjallur interesim të madh.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, njeriut që mbikqyri hetimin për Rusinë do t’i bëhet presion, që të tregojë komunikimet që ka patur me presidentin Trump, të cilat çuan në shkarkimin e tij të papritur muajin e kaluar:

Seanca e së enjtes mund të jetë dëshmia që ka ngjallur më tepër interes në disa vjet në Kapitol Hill. James Comey ka njohuri nga brenda për hetimin mbi çështjen e Rusisë:

“Një hetim mbi natyrën e kontakteve mes individëve me lidhje me fushatën e zotit Trump me qeverinë ruse…”

Zoti Comey mund të dëshmojë nëse ka patur përpjekje nga Shtëpia e Bardhë për ta penguar atë në këtë hetim. Misteri u thellua më tej pasi Presidenti Donald Trump e pushoi nga puna drejtorin e FBI-së.

“Sepse ai nuk po punonte mirë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, ai nuk po bënte punë të mirë.”

Pastaj, Presidenti Trump bëri një deklaratë të çuditshme për zotin Comey:

“Ne patëm bashkë një darkë pune që shkoi shumë mirë dhe ai më tha se unë nuk isha objekt hetimi, gjë që unë e dija”.

Më pas, zoti Trump u duk se e kërcënoi Comey-n në Twitter, duke aluduar mbi përgjimin e bisedave. …Dhe më vonë, thuhet se gjatë takimit me diplomatë rusë, ai e etiketoi Comeyn, si “i çmendur”.

Lind pyetja, pas disa javë heshtjeje, a do të kundërpërgjigjet të enjten me të njëjtën gjuhë zoti Comey? …Dhe, a do të paraqesë ai dokumente për të cilat thuhet se ai ka detajuar bisedat e tij me Presidentin, mes të tjerash në se i është bërë presion që t’i japë fund hetimit të FBI-së për ish këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn?

Si drejtor i FBI-së James Comey u tregua jashtëzakonisht i kujdesshëm në prononcimet e tij në publik.

“Ç’mund të thoni për hetimin që po zhvillohet mbi lidhje të mundshme të bashkëpunëtorëve të zotit Trump me rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane?”, pyeti zoti Blumenthal.

“Në lidhje me hetimin? Kjo nuk është kjo diçka për të cilën unë do të komentoj”, tha zoti Comey.

Tani që është qytetar privat, zoti Comey mund të ketë më tepër liri për të folur hapur. Ligjvënësit do të kërkojnë prej tij sqarime lidhur me bisedat që ka patur me Presidentin dhe për dokumentet që ai ka.

“Ne duhet të dëgjojmë nga goja e zotit Comey për këtë çështje … Do të jetë shumë e rëndësishme të mësojmë se çfarë u tha në atë takim të muajit shkurt mes zotit Comey dhe presidentit?”- thotë senatorja republikane Susan Collins.

“Të shohim dokumentet e drejtorit Comey, të dëgjojmë më parë dëshminë e tij në Kongres,”thotë senatori Rubio.

Presidenti Trump nuk do të përpiqet të përdorë privilegjin ekzekutiv për ta penguar dëshminë e pritshme të ish shefit të FBI-së.

Rrallëherë seancat në Kongres rezonojnë përtej, Kapitol Hillit, por dëshmia e zotit Comey do të jetë një përjashtim.

Please follow and like us: