Albspirit

Media/News/Publishing

Gjashtë vende ndërpresin marrëdhëniet me Katarin

Arabia Saudite, Egjipti, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni dhe Maldivet ndërprenë të hënën marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit.

Ministria e Jashtme e Katarit tha se masat janë “të pajustifikuara dhe mbështeten në akuza të pabaza”.

SI FILLOI:

Muajin e kaluar, sipas citimeve të agjencive të lajmeve, udhëheqësi i Katarit, Emir Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, ngriti pikëpyetje rreth armiqësisë së SHBA ndaj Iranit dhe foli për “tensione” midis Katarit dhe Shteteve të Bashkuara. Njoftimet u publikuan në faqen e internetit të Agjencisë së Lajmeve të Katarit.

Katari tha se kishte qenë viktimë e një “krimi të turpshëm në internet”. Pavarësisht nga mohimi zyrtar i Katarit, mediat në disa vende të Gjirit i kanë raportuar komentet e Emirit si fakte.

PAK HISTORI:

Megjithëse Katari thotë se komentet e publikuara ishin të rreme, vendi prej kohësh është parë nga fqinjët si mbështetës i islamistëve në rajon – veçanërisht i Vëllazërisë Myslimane, një grup politik islamik suni, i nxjerrë jashtë ligjit nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara dhe Bahreini i tërhoqën ambasadorët e tyre nga Doha para vitit 2014 për mbështetjen nga Katari të Presidentit egjiptian Mohammed Morsi, anëtar i Vëllazërisë. Tetë muaj më vonë, ambasadorët u rikthyen, kur Katari detyroi një numër anëtarësh të Vëllazërisë të largoheshin nga vendi.

REAGIMET:

Shtetet e Bashkuara: Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se ai nuk pret që veprimet e së hënës të kenë ndikim në luftën kundër terrorizmit në rajon ose në nivel global. Ai u kërkoi të gjitha palëve që të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre.

Zoti Tillerson tha se nëse ka ndonjë rol që SHBA mund të luajë “në drejtim të ndihmës për t’i zgjidhur ato”, “mendojmë se është e rëndësishme” që Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit të mbetet i bashkuar”.

Arabia Saudite: “(Katari) përkrah grupe të shumta terroriste dhe sektare që synojnë të prishin stabilitetin në rajon, duke përfshirë Vëllazërinë Myslimane, ISIS-in dhe al-Kaidën”, tha agjencia shtetërore e lajmeve SPA. Arabia Saudite mbylli gjithashtu zyrën lokale të Al Xhazirës, e cila e ka qendrën në Katar, sipas mediave shtetërore.

Egjipti: Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, politika e Katarit “kërcënon sigurinë kombëtare arabe dhe mbjell farën e grindjeve dhe ndarjeve brenda shoqërive arabe sipas një plani të qëllimshëm që ka për objektiv unitetin dhe interesat e kombit arab”.

Please follow and like us: