Albspirit

Media/News/Publishing

Macshane alarmon për rrezik: Rusia me Serbinë po destabilizojnë Kosovën

Ish-ministri britanik, Denis Macshane, në një intervistë për Gazetën Express ka deklaruar se “politika e jashtme e Rusisë dëshiron Rusinë ta ngreh lartë, Amerikën ta zbres poshtë dhe Evropën ta përjashtoj krejtësisht nga ekuacioni politik në Ballkan”. Ai po ashtu ka pohuar se Rusia po e përdor Serbinë për të destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin dhe se Rusia po mundohet ta kthej historinë e gjenocidit në Prekaz dhe Srebrenicë, transmeton Express

Gazeta britanike “ The Guardian” sot ka botuar një artikull ekskluziv, ku ka dokumentuar rolin e Rusisë dhe Serbisë, përkatësisht spiunëve të tyre, në destabilizimin e Maqedonisë, ashtu që ky shtet të vonohet me anëtarësimin në NATO-s. Cili është ndikimi rus sot në Ballkan?

 Macshane: Kremlini sot ka një politikë të jashtme që mund të përkthehet kështu: politika e jashtme e Rusisë dëshiron Rusinë ta ngreh lartë, Amerikën ta zbres poshtë dhe Evropën ta përjashtoj krejtësisht nga ekuacioni politik në Ballkan. Ballkani Perëndimor është një pikë e dobët e Evropës dhe është lehtë për Kremlinin dhe oligarkët rusë që punojnë për Putinin, të luajnë lojëra të ndyra dhe të bllokojnë shtetet ballkanike, Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, që të gjejnë rrugën e sigurt drejt Brukselit. Aleati kryesor i Rusisë është Serbia që po refuzon njohjen e Kosovës dhe një komunitet të barabartë shtetesh në Ballkan që kanë kufij të hapur, treg të hapur dhe një jetë të mirë të re pas një dekade të humbur të luftërave ballkanike në mes të 1990 dhe 1999.

A besoni që Ballkani po hynë në një periudhë të tensionuar gjeostrategjike pas një “rizgjimi rus” dhe a mendoni se incidentet me grushtshtet në Mal të Zi, pastaj tensionet në Maqedoni si dhe situatën jostabile në Kosovë, po keqpërdoren nga qarqet e Moskës për të krijuar një konflikt në Ballkan?

 Macshane: Rusia po do që t’i tregojë botës se marrëveshjet e arritura rajonale pas gjenocidit në Sarajevë, Srebrenicë dhe Prekaz, janë jostabile dhe mund të kthehen në “rikverc” për të ndihmuar aleatin Serbinë. Fakti mbetet që BE, përkundër ndasive interne, ka qenë mjaft e unifikuar sa i përket aneksimit të Krimesë dhe sanksioneve ndaj Rusisë, duke e quajtur aneksimin e Krimesë si krim ndërkombëtar. Rusia edhe pse ka tentuar, asnjëherë nuk gjeti miq në shtetet e BE-së dhe tani po përdor Serbinë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, për ta goditur unitetin e BE-së. Shembulli më i mirë i këtij kursi të Kremlinit dhe shërbimeve të tyre sekrete, është përkrahja për revanshistët serbë që refuzojnë të njohin pavarësinë e shtetit të pavarur të Kosovës.

A kanë shtetet e Ballkanit resurse të mjaftueshme për siguri dhe “fuqi të butë” për të kundërshtuar tentativat për destabilizim që vijnë nga Rusia që po përdor mjete të “luftës hibride”?

 Macshane: Duke punuar në Londër dhe Bruksel dhe duke udhëtuar shumë shpesh në të gjitha kryeqytetet evropiane, e vërej se ka gjithnjë e më pak sens dhe dituri në Madrid, Londër, Paris dhe Berlin se çka po ndodh në Ballkanin Perëndimor. Qeveritë, partitë politike dhe opinionbërësit në Ballkanin Perëndimor duhet të angazhohen më shumë me komunitetet politike evropiane për të ndërtuar narracione të reja.

 

A mendoni që Kosova është e sigurt nga tentimet ruse dhe serbe për ta destabilizuar? Çka duhet të bëjë Kosova për të evituar këto rreziqe?

 

Macshane: Rusia gjithmonë ka përdorur ata politikanë evropianë që pa dashje po punojnë për llogari të Moskës. Atë mund të vëreni në Bruksel, por edhe në Ballkan, ku politikanë po propagandojnë politika që shpesh i konvenojnë Moskës. Politikanët e Ballkanit duhet të marrin vendime të duhura, për shembull duke reformuar Bosnjën e Dejtonit apo duke mundësuar udhëtimin pa viza për kosovarë. Nuk është se Moska e ka parandaluar Kosovën të ketë progres në liberalizim të vizave, por ishin ndasitë interne kosovare që i konvenonin Moskës me mungesë të progresit. Kosova duhet ta përmirësoj profilin e vet politik dhe duhet të ketë një strategji të re ndaj Brukselit për të shpjeguar për hallet që ka në marrëdhënie me Serbinë dhe Moskën. Shumëkush në Evropë nuk e dinë situatën reale në Ballkan dhe duhet komunikim më i mirë për të treguar të vërtetën.

Please follow and like us: