Majlinda Nana Rama: Mos pyet kurrë
Mos pyet kurrë si dashuroj,
të them si digjem flakë e zjarr,
si zbreskam poshtë trëndafilishtes,
me prushin tënd në jetë e varr.
Mos pyet kurrë e mos më lodh,
po ç’të tregoj nga kjo lëngatë,
për ty , unë-muzë Anakreonti?!
Kjo plagë për ty, është rrugë e gjatë.
Po ç’ke që sillesh, qan e tretesh,
e do të dish si vuaj sot,
nuk të tregoj që përvëlohem,
se s’ke të ngjarë, s’më kupton dot.
E, mos e shprush zjarrin mbuluar,
se ti nuk digjesh dot në të,
kur natën, hënë a yll të bëhem,
në cepin tënd, vuaj nën zë.
Mos pyet kurrë ç’më bluan zemra,
si lumë mbështjellë, dënimi im,
në ashtin tim, në gjakun tënd,
në ashtin tënd, në gjakun tim.
Mos prit të zbresë Perëndia,
e mbi Edèn të të lëshojë,
ti s’je Olimp, as këng’ e Safos,
mos pyet kurrë si dashuroj…