Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi politikën dhe demokracinë


Ese

Abdylnaser Sinani*

 

 

Në kuptimin e saj të qartë historik dhe sociologjik, demokracia është thjesht një veçori e qeverive të sotme të lira dhe jo të lira. Politika nuk mund të bëjë dot pa demokracinë. Demokracia i përshtatet politikës, mirëpo politika nuk ka nevojë të mbrohet në çdo rrethanë kundër pretendimeve të patjetërsueshme të shumë koncepteve të demokracisë, gjë që çon ose në despotizmin e demokracive popullore, ose në anarki. Demokracia është një element i politikës, po u përpoq të jetë gjithçka, ajo e shkatërron politikën. Ka dy lloje demokracie, njëra në të cilën qeveria sundon popullin sipas ligjeve që i harton vetë dhe demokracia e dytë, qeveria nuk sundon sipas ligjeve që i harton vetë, por sipas atyre ekzistuese.

Politika sipas Aristotelit është “kryeshkenca” dhe politika kështu e kuptuar, nuk është një e keqe e nevojshme pa të cilën nuk mundemi, si thonë shumë të tjerë pas Aristotelit, duke tentuar të keqinterpretojnë pikëpamjen aristoteliane mbi njeriun si “kafshë politike”. Politika është e vetmja “shkencë” ose veprimtari shoqërore, që ka për synim të mirën e të gjitha “shkencave”, duke mos shkatërruar asnjërën nga to, përkundrazi duke i kultivuar të gjitha. Pra, politika në thelb është vetë qytetërimi. Ajo e shpëton njerëzimin nga dilemat e sëmura, sipas të cilave qeveria mendohet së është një anije që kërcënohet nga armiqësia e detit të dallgëzuar. Përkundrazi, politika na jep mundësinë që ta mendojmë qeverinë si një qytet i ngulur fort në themelet e tokës pjellore. Ajo nuk na jep garanci kundër stuhive që mund të vijnë nga deti. Politika kështu e konceptuar, është një mënyrë sundimi në një shoqëri të ndarë, pa qenë e nevojshme të përdoret forca.

Nga pikëpamja historike, kjo do të thotë se ka disa shoqëri, të cilat përmbajnë të paktën një mori interesash të kundërta dhe pikëpamje morale të ndryshme, e për nga pikëpamja etike, kjo do të thotë se midis njerëzve normal pajtimi duhet të parapëlqehet të paktën në krahasim me detyrimin. Pjesa më e madhe shoqërive të përparuara janë shoqëri të ndara, janë pluraliste dhe jo monolite, dhe se sundimi paqësor është në mënyrë të natyrshme më i mirë se sa sundimi me dhunë, e se etika politike nuk është më pak e rëndësishme sesa llojet e tjera të veprimtarisë etike, por është një nivel i jetës etike plotësisht i justifikuar dhe i qëndrueshëm. Politika nuk është një e keqe e nevojshme, por ajo është një e mirë konkrete. Ndërkaq, demokracia, si thoshte Aristoteli është një “sistem i përzier”. Në të, kuptohet, ekziston pushteti ekzekutiv, kurse populli e ka fuqinë kryesore, por ekzistojnë ligje dhe të drejta të tjera, gjyqësia e pavarur, parti politike, kisha, xhami (grupet religjioze), biznese, shoqata, grupe interesi, elitë intelektuale dhe profesionale. Demokracia në fakt, është mekanizëm shumë kompleks me shumë pjesë dhe aktorë, të cilët shpeshherë nuk e kalojnë “rrjetën” zgjedhore. Qëllimi i këtyre grupeve dhe institucioneve jodemokratike, (të cilat nuk janë në mënyrë të drejtpërdrejtë të zgjedhur nga populli) është që të zbuten epshet publike, të arsimohen qytetarët, të udhëhiqet dhe rregullohet demokracia dhe kështu të sigurohet një formë e lirisë.

Ka nga ata që thonë se demokracia është forma e vërtetë e politikës. Madje, ka të tjerë që thonë se demokracia është vetë politika ose që demokracia është kurdoherë një formë e qartë e qeverisjes, vlerat, veprimtaria e së cilës kanë përparësi të dukshme ndaj politikës së rëndomtë. Prandaj duhet bërë edhe dallimi ndërmjet politikës dhe demokracisë, natyrisht në kuptimin që çdo ide e qartë dhe praktike duhet dalluar nga diçka tjetër e paqartë. Derisa demokracia si një lëvizje shoqërore duhet të ekzistojë gati në të gjitha format e sotme të qeverisjes politike, megjithatë, po të trajtohet më vete dhe si një çështje parimore, ajo, demokracia, kthehet në një forcë shkatërruese për politikën.

Demokracia është ndoshta fjala që ka kuptimin më të ngatërruar në botën e çështjeve publike, ajo është dashnorja e të gjithëve, ka than Bernard Krik në esenë e tij të njohur “Në mbrojtje të politikës kundër demokracisë” dhe megjithatë vazhdon ta ruajë joshjen e saj edhe kur një dashnor, sipas tij, mendon se shkon edhe me shumë të tjerë. Dhe në të vërtetë, edhe në kulmin e dhimbjes sonë, ku kuptojmë tradhtinë e saj (demokracisë), ne përsëri jemi krenarë me aftësinë e saj për t’u përshtatur në çdo lloje rrethane, në secilën shoqëri. Sa e sa herë e kemi dëgjuar thënien: “e po të paktën komunistët thonë që janë demokratë”? Por e keqja kryesore është se ata hiqen si demokratë. Ata as që e vënë në dyshim se janë të tillë.

Demokracia në të shumtën e rasteve ka pasur thjesht kuptimin e “sundimit të shumicës”, (e cila në kuadër të një sistemi politik apo shteti ka vetëm kuptimin e pëlqimit të shumicës), kësaj fjale i janë shtuar sot kuptime të ndryshme (disa prej të cilave bien ndesh, konfliktohen me nocionin demokraci). Ndoshta, për shumë njerëz, kuptimi kryesor i fjalës demokraci është: “Diçka e bukur dhe e shkëlqyeshme”, ose ndonjë ndjenjë e tillë e përafërt me të. Ka disa të tjerë, që çuditërisht, mendojnë se demokraci “do të thotë liri, madje edhe liberalizëm, apo individualizëm, edhe mbrojtje (demokratike) e individit kundër shumicës (demokratike). Kur dikush thoshte se nuk është demokratike që pakica të vazhdonte të vinte në dyshim vendimet e shumicës, një tjetër tha se demokraci do të thotë që secili mund të thotë çfarë të dojë, si të dojë, kundër kujt të dojë, madje edhe kundër shumicës. Fjala demokraci mund të përdoret edhe ashtu si e përdorte De Tokvili, si një sinonim që tregon barazi shoqërore, ose si e përdorte Andru Kamig, me kuptimin e një shoqërie me treg të lirë dhe me dallime të mëdha për pozitën shoqërore. Demokracia mund të shihet edhe si një sistem politik, i cili vendos kufizime kushtetuese edhe mbi vetë qeverinë, të formuar nga zgjedhjet e lira, demokracia mund të përdoret edhe si vullnet i përgjithshëm, edhe si vullnet i popullit. Por, për shumë të tjerë, demokraci do të thotë, as më pak as më shumë, “një njeri, një votë dhe një mundësi e vërtetë për të përzgjedhur”. Demokracia me tema të përgjithshme që i përfshijnë të gjitha këto përdorime, mund të trajtohet si një recetë e veçantë e institucioneve të ndryshme, ose “si një mënyrë jetese” , si një stil i politikës apo qeverisjes, kur thuhet se fryma e demokracisë është më e rëndësishme sesa çdo lloj organizimi institucional, apo se demokraci kemi kur njerëzit sillen në mënyrë demokratike gjatë të folurit, veshjes dhe stilin e tyre.

Vilson, një politikan amerikan nga shekulli i kaluar, demokracinë e definon si një shtrirje piramidale: “Sa më lart të ngjitet piramida e pushtetit, aq më tepër ajo duhet të ketë bazën e saj”. Kësisoj, demokracia, jo vetëm që sjell një gjendje të qëndrueshme në regjimet e lira, por ajo i bën edhe më të forta regjimet shtypëse, dhe ajo ka bërë të mundur totalitarizmin. Për herë të parë, çdo shtresë shoqërore në demokraci, merr një rëndësi për sunduesin dhe hapet mundësia për ta shfrytëzuar atë, moralisht apo ekonomikisht. Por mos të bëhemi skeptikë, thotë B. Krik në të njëjtin ese, asnjë propagandë nuk mund të manipulojë opinionin, nëse ai nuk përkon me ndonjë nevojë reale. Kudo në botë, përvoja nga frika e luftës apo e varfërisë i bëjnë njerëzit të tregohen të gatshëm për të sakrifikuar ndonjë të drejtë të tyre (sidomos kur ata atë e kanë pasur rregullisht), në dobi të partive apo qeverive, të cilat u premtojnë atyre qetësinë (e dikurshme), nga këto dy mënyra të frikshme të njerëzimit. Kjo përkon me thënien e De Tokvilit për sundimin e shumicës: Nëse do të shkatërroheshin ndonjëherë institucionet e lira të Amerikës, kjo do të ndodhte për shkak të “forcës së pakufizuar të shumicës”, që në shoqërinë amerikane më shumë kuptohet si një “tirani e opinionit publik”.

Në fund të shekullit të 19-të, demokracia kishte një kuptim më të saktë. Me të, njerëzit kishin parasysh, bashkë me nuancat e qeverisjes së shumicës, edhe gjëra tjera, si: rritjen e përfaqësimit të klasës punëtore në parlament, rritjen e fuqisë së sindikatave, më tepër kontroll dhe më shumë publicitet për të gjitha aspektet e përfaqësimit të popullit, rritjen e mundësisë për t’u arsimuar, zvogëlimin e kompetencave të Dhomës së Lordëve dhe uljen e interesit të tokës.

Pra, në qoftë se demokracia mendohet si një element i një qeverie të lirë, dhe jo si një karakteristikë e të gjithë sistemit (që është veti dhe dispozicion për shoqërinë amerikane dhe të disa shteteve të liberalizëm të theksuar), atëherë ka vend për të diskutuar se në raste të veçanta ka nevojë për më shumë a për më pak frymë demokratike apo institucione demokratike. Edhe një herë, Aristoteli i përcaktoi shumë qartë marrëdhëniet midis politikës dhe demokracisë, sesa shkrimet zakonisht tepër të koklavitura dhe kryesisht ideologjike të autorëve të sotëm. Për Aristotelin, forma më e mirë e qeverisjes ishte qeverisja politike , “organizimi politik” ose qeveria e përzier.

Demokracia, pra, nëse duam t’i japim fjalës kuptimin më të bukur , që na do zemra, në qoftë se ne e vlerësojmë lirinë, opozitën, të drejtën për t’u përzgjedhur, diskutimin e lirë, qeverinë popullore, që të gjitha këto së bashku – prapëseprapë është vetëm një formë e politikës, jo diçka që dëshirojmë të arrijmë në çdo fazë të re të zhvillimit të vendit apo në çdo rrethanë. Politika është shpesh një vendim për të marrë më pak sesa duam, sepse edhe ne duam të jetojmë pa dhunë dhe frikën e përhershme të dhunës nga njerëzit e tjerë, të cilët duan edhe ata të tjera gjëra.

Por, në kuptimin e saj të qartë historik dhe sociologjik, demokracia është thjesht një veçori e qeverive të sotme të lira dhe jo të lira. Politika nuk mund të bëjë dot pa demokracinë. Demokracia i përshtatet politikës, mirëpo politika nuk ka nevojë të mbrohet në çdo rrethanë kundër pretendimeve të patjetërsueshme të shumë koncepteve të demokracisë, gjë që çon ose në despotizmin e demokracive popullore, ose në anarki. Demokracia është një element i politikës, po u përpoq të jetë gjithçka, ajo e shkatërron politikën, duke e shndërruar “harmoninë në unanimitet” dhe na detyron “t’i hedhim këmbët sipas një goditjeje të vetme të daulles”.

*Autori është pedagog i sociologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës

Please follow and like us: