Rama godet LSI për maturën: Tezat, jo pazar i votës
Me tone të ashpra, Edi Rama ka sulmuar të gjithë ata që tentojnë të mashtrojnë maturantët, duke i ofruar tezat e provimeve në këmbim të votave dhe akuzat iu drejtuan LSI-së.
“Sot në mëngjes lexova me trishtim një lajm që maturantëve ka filluar t’u ofrohet kopja e tezave të provimit të Maturës Shtetërore në këmbim të parave dhe kartave të identitetit për familjarët e tyre. Dua t’u them të gjithë maturantëve dhe prindërve që kushdo që ju ofron këtë është në mashtrim sepse tezat e Maturës Shtetërore janë të supersekretuara dhe askush nuk mund t’i ketë, jo më t’i nxjerrë në pazarin e votave. Mjafton një ofertë e tillë që shkel dinjitetin e prindërve tuaj për të refuzuar ofertuesin dhe për t’u bashkuar edhe më shumë, edhe më të vendosur për Partinë Socialiste, për të çuar përpara reformën tonë në arsim dhe për t’i dhënë fund iluzionit se shkollat mund të merren me kopje, se votat mund të merren me kopje, se Shqipëria mund të mbahet peng me kopje”, tha Rama.
Pas Poliçanit, Rama u ndal në Velabisht, ku u takua me fermerët e kësaj zone. Veç bilancit të katër viteve, Rama paraqiti dhe programin për mandatin e ardhshëm.
“Kemi gati programin 100 milionë euro së bashku me Bankën Botërore për rrugët e brendshme, që do të thotë nuk do të shtrojmë rrugë elektorale, siç u bë për çerekshekulli. Ne e dimë sot ku është prodhimi që ka nevojë të dalë në treg dhe kush janë akset ende të pandërtuara që e pengojnë këtë dhe kështu do të ndërtojmë në 4 vitet e ardhshme unaza bujqësore në të gjitha qarqet dhe në të gjithë zonat prodhuese”, premtoi Kryeministri.
Rama theksoi se numri i turistëve është rritur ndjeshëm në Berat dhe se tashmë, atyre u duhet ofruar një hartë agro-turizimi që të përfshijë të gjithë zonën e Qarkut të Beratit.