Albspirit

Media/News/Publishing

Teodor Keko, letra e së shoqes pas 13 vitesh

Xhuli Keko

Letra nr. 1

Është letra e parë pas 13 vjetësh…. po me merret fryma…. me vijnë në kokë aq shumë mendime që më pengojnë ato për të cilat e mora këtë rrugëtim, nuk di kë të shkruaj të parin, po e lehtësoj veten duke të shkruar gjera të zakonshme vdektarësh: Martini sapo mori në telefon se do flerë nga Ema, Elio u kthye nga Belgjika, unë po bëj gatuaj se nuk e dija që Martini nuk vjen sot, përballë në ekran shoh turbull Paloma Feith, në gjunjë kam laptopin që më blenë vjet cunat dhuratë…Tani po më qetësohet frymëmarrja paksa…

Nuk besoj që je zemëruar që s’të kam shkruar?! Asnjëherë nuk do të kisha guximin ta bëja, sikur të mos kisha nevojë kaq shumë të flisja me ty. Gjithnjë kam besuar që je diku sipër nesh, kudo që ne jemi: Hagë, Bruksel, Paris, Tiranë, Durrës, ndaj nuk e kam parë të arsyeshme të të përsërisja ato që ti di…Asnjëherë nuk kam besuar se ti je aty ku sjell lule dhe pastroj foton sa herë vi në Tiranë, është një shaka e madhe kjo puna e varreve dhe varrezave, ti nuk je aty!

E di cfarë po mendon tani që po më lexon, qenka cmendur dhe kjo e shkreta dhe me siguri më jep të drejtë, jeta ka qenë e vështirë pa ty, shumë e vështirë, dhe ti e di sepse i ke parë të gjitha, por më ke lënë të forcohem, të shkoj shpesh deri në buzë të greminës dhe në momentin e fundit më ke dhënë dorën e nuk më ke lënë të rrokullisem tëposhtë…mendoj që ndonjëherë je treguar i padrejtë, duhet të kishe ardhur më parë, ti e di që unë jam e fortë por kam limitet e mia, ti e di që kur nuk shoh dritë në fund të tunelit, unë hap atë sirtarin plot me qetësues, nuk besoj se e ke harruar këtë fakt…

Vetëm për pak po përpiqem të besoj që nuk na sheh dhe dëgjon e ndaj po të përditësoj me jetën e ne vdektarëve këtu poshtë. Me veten s’po merrem shumë, u bera 55 vjec, jam bërë 80 kg dhe më vjen të qesh sa herë kujtoj që më thoshje se unë do shtoj 1 kg cdo vit, 50 kg më gjete në 1980, pas 35 vjetësh jam 80, në fakt 85 përpara dasmës së Elios, nuk ke gabuar asnjë gram…uuuu mos u cudit, Elio u martua këtë verë, është pak i vogël, por edhe ne aq ishim, e mban mend, për më shumë që është i lumtur dhe i qetë më Kitin.

Gjithnjë mendoj nëse do ishe këtu poshtë me ne si do komunikoje sepse ajo s’di italisht dhe më vjen të qesh se e di që do i thoshe vazhdimisht dy fjalitë që i perdorje shpesh, me të cilat e bëre doktoreshën të të donte aq shumë: You are beautiful and I love you…

Jam e sigurt që Elio nuk do të të thoshte mos i thuaj ashtu. Se që ta dish mua s’me le, vazhdimisht më thotë: Këta hollandezët tremben po ua the vazhdimisht, e beson dot?! Ti me siguri po pret të të them për Martinin, a e di që është ai që s’më le të më marrë malli për ty, hahahah, ti nuk e mendon dot sa të ngjan, në formë dhe përmbajtje, për të mirën dhe të keqen time të ngjan shumë.

Po e mbyll këtu për sot, jo se jam e lodhur, as se dua të fle, ti e di që une s’kam marrdhënie të mira me gjumin, por m’u kujtua që për një vit të tërë më premtove se nuk do ikje, e nuk do të më lije vetëm, se e dije që do e kisha shumë të vështirë e vetme me dy djem. Si përfundim ike, u kujtova që jam shumë e zemëruar me ty, shumë . Dhe ta dish, për inatin tënd e theva ekspresin që më bleve ditën e fundit. E mban mend kur të pyeta se c’na duhej një aparat kafeje aq i madh e ti më the: Do te vinë shumë njerëz për ngushëllim kur të vdes unë, e unë t’u përgjigja: Mos fol budallallëqe. E unë e dija që do ikje, e dija që ditën e parë që shkuam në Selanik, doktoresha nuk më dha asnjë shpresë, po unë të gënjeva dhe gënjeva pa pushim, gënjeva veten në fakt sepse ti e kuptove edhe pa folur anglisht, ti e dije dhe ne gënjenim njëri-tjetrin…

Please follow and like us: