Albspirit

Media/News/Publishing

Hipokrizia e Ramës me Metën

Që nga lideri i gjatë e deri tek deputeti më i shkurtër i Rilindjes, të gjithë janë kapluar nga një shqetësim qesharak se me qëndrimet që po mban në fushatë, Ilir Meta po e përdhos postin e presidentit, ende pa e marrë detyrën.

Kreu de facto i LSI, ose siç e konsideron shumëkush, bashkëpronari i kësaj ndërmarrjeje fitimprurëse është ngërthyer në një garë të ethshme. Ai jo vetëm paraqitet miting më miting, por tani, në prag të presidencës, ka humbur qetësinë dhe dashurinë, që i shtruan rrugën drejt kreut të shtetit. Duke stigmatizuar Tomin dhe Xherrin, duke klithur pabesinë e tyre, duke i përmendur Ramës koncesionet dhe drogën dhe Bashës mashtrimet epike, ai po tejkalon çdo limit që i kishte vënë vetes.

Eshtë e vërtetë se Ilir Meta, jo vetëm që nuk po sillet si një njeri që pritet të veshë kostumin e atij që simbolizon unitetin e kombit, po ai ka degraduar në një fjalor vulgar, që e ka përdorur vetëm gjatë grevës së urisë së vitit 2008 dhe pas videopërgjimit që e nxorri me bllok në dorë.

Kjo dalje nga vetja ka shumë arsye.

Ajo lidhet me paktin okult Rama Basha për ta lënë LSI në jashtë koalicioneve të mëdha. Ajo mund të vijë si pasojë e gjuetisë së shtrigave që po godet partinë e tretë në vend dhe drejtorët e saj në administratë. Ajo mund të jetë rrjedhojë e ankthit që ka Meta se po e braktis krijesën që ngriti 13 vite më parë me duart e tij për të shkuar drejt presidencës.

Por, sado jashtë standarteve, i habitshëm dhe i pështirë të jetë ky transformim i papritur i Ilir Metës, ai nuk e përligj aspak revoltën e gënjeshtërt të Rilindjes, se ish aleati i tyre, po përdhos postin e presidentit, që do të marrë pas një muaji.

Nëse vërtet do të kishin respekt për presidentin e shqiptarëve, që nga Rama deri tek Braçe nuk do të kishin votuar në këtë post atë që e kanë quajtur hajdut me bllok në dorë. Ata do të kishin refuzuar t’i jepnin votat atij që i ishte ngjitur Berishës “si Meta pas këpuce”, atij që u tall me kokëpalarët e 21 janarit, atij që siç po na rrëfen Rama sot, e paskërka përdorur shtetin si tepsi për të trashur partinë e vet klienteliste.

Po, po, këtë njeri votoi pak kohë më parë Rilindja për president, pa çarë kryet as se çfarë kish thënë për vite me radhë, as se ç’ do të nxirrte nga goja më pas. Dhe nëse Rama dhe të vetët nuk kërkojnë falje për ato që kanë thënë dhe do të përsërisin këtej e tutje, ata e kanë përdhosur me kohë postin e kreut të shtetit duke dërguar aty Ilir Metën.

Prandaj është kulmi i pafytyrësisë që të ankohen sot se kjo detyrë e lartë shtetërore po degjeneron nga pjesmarrja dhe fjalori i përdorur në disa ditë fushatë.

Pasi, Ilir Meta nuk e cënon presidencën me deklaratat e muajit të fundit, por me trajektoren që ndoqi tetë vite me radhë për të arritur deri aty.

Please follow and like us: