Albspirit

Media/News/Publishing

Arsen Zlatiçanin: Parashikimet dhe metoda e shpërndarjes së mandateve sipas kodit zgjedhor aktual

Të  bësh një parashikim për rezultatin e këtyre zgjedhjeve, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të  mëparshme, është diçka që nuk mund të bëhet me saktësi,  sepse mundësia që gabimi  të  jetë i madh, nuk është e vogël.  Kjo, nga mungesa e konsistencës dhe nga kaosi statistikor që vërehet nga tabelat e  rezultateve. Gjithashtu edhe sondazhet mund të jenë problematike,  përsa i takon gabimit që mund të  shfaqet. Kështu p.sh kemi fenomene si:

1.            Në qendra votimi në distanca të vogla (qoftë edhe brenda një godine) shfaqen rezultate tepër  të  ndryshme për subjektet politike, dhe kjo është diçka mjaft e përhapur në gjithë territorin  e  Shqipërisë. Gjithashtu rezultatet në po këto qendra votimi janë shumë të ndryshme nga rezultatet  e  zgjedhjeve  të mëparshme, gjë e cila pengon që të arrihet ndonjë konkluzion mbi rezultatet që mund  të  priten, përveç konkluzionit  që  nuk mund të arrijmë në asnjë konkluzion, si  pasojë e analizave matematikore.  Shih ( Supermazhoranca ASHE sipas numrave dhesupermazhoranca-aktuale-sipas-numrave)

2.            Edhe po të shihet më gjerë, shfaqen shembuj si partia Ora e Shqipërisë e cila mori vetëm 3 vota  në qarkun e Lezhës në vitin 2013, ndërsa në vitin 2015 mori  4148  vota,  në këtë qark dhe në këto  zgjedhje nuk konkuron, ose  LSI që në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2013 mbeti po në nivelet  e  vitit 2009, ndërsa në pjesën tjetër të vendit uniformisht dyfishoi rezultatin, kurse në vitin 2015 rezultati  i  LSI pothuaj  u trefishua në Durrës, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit ku rezultati për LSI u rrit me vetëm 1.5 herë.

3.            Gjithashtu edhe sondazhet e kompanive(qoftë edhe prestigjioze), mund të mos jenë të sakta  mjaftueshmërisht, dhe këtë e tregojnë shembuj nga zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, ku  gabimi kalonte edhe 10% apo 15% (p.sh zgjedhjet e fundit lokale në bashkinë Durrës sondazhi i IPR Marketing jepte 54% me 45% për koalicionin e majtë dhe në fakt doli  67% me 32% për koalicionin e majtë).

Kështu, çështja e parashikimit më të saktë, duket se është diçka që i përket më tepër organizimit në  bazë të subjekteve politike të interesuara konkretisht, duke mos përjashtuar teorikisht edhe ndonjë  element, surprize të pjesshme.

Megjithatë, pavarësisht  rezultatit  që  do të  dalë  nga  kutitë  e  votimit  në  numër votash për  partitë  nëpër  qarqe (një  tabelë  e  tipit  18X12, siç  e  kërkon  sistemi zgjedhor), rezultati në numër mandatesh  do  të jetë  kryesori. Për  këtë  ka  një algoritëm  matematik (që  paraqitet në  nenet  162 dhe  163 të Kodit Zgjedhor), i  cili  konverton  tabelën e votave, në tabelë mandatesh. Në  varësi  të  rezultatit  në  vota, ky  algoritëm mundet  që  të  shfaqë  edhe  dobësi  esenciale duke mos marrë në  konsiderate  qoftë  edhe  dhjetëra mijëra vota për një subjekt  në  një qark, apo edhe qindra  mijëra në  nivel  vëndi, në varësi  të  shpërndarjes  së  tyre.

Sa  për  orientim  do  i referohem  rezultateve  të  vitit 2013, rezultateve të zgjedhjeve lokale të vitit  2015 dhe pjesërisht një projeksioni të kompanisë IPR-marketing, për të ndërtuar një rezultat të mundshëm hipotetik, me  qëllim  analizimin  e mundësisë të luhatjeve në mandate  për subjektet dhe  analizimin e votave pa efekt, për subjektet.

Për  të  shfaqur mundësinë e defekteve që mundëson metoda e shpërndarjes së mandateve, për  hulumtimin dhe parashikimin e situatave ekstreme, për inspirim mjafton rasti i qarkut të Elbasanit në  zgjedhjet e vitit  2013. Partia Socialiste kishte 75086  vota në  këtë  qark  dhe mori 6 deputetë. Edhe  sikur  të kishte  23900 vota më pak (që i bie mesatarisht,  numër votash  për 2 deputetë), prapë asgjë  nuk do të ndryshonte në lidhje me numrin e mandateve, jo vetëm  të  sajat  por edhe për partitë  e  tjera.  Kështu sikur asnjë qytetar nga bashkia e Elbasanit që votoi PS (18867 vota nga  bashkia  e  Elbasanit kishte PS), të mos kishte dalë në votime atë ditë, asgjë  nuk do kishte ndryshuar në  lidhje  me  mandatet. Diçka e ngjashme ndodhi në qarqet e Lezhës e të Kukësit, por  edhe ndonjë  qark tjetër, ndonëse  më  me pak efekt. Tani  natyrshëm  shtrohet pyetja: Po sikur  një  subjekti  t’i  ndodhë  një  firo  e  tillë votashnë  çdo  qark, apo në  shumicën  e  qarqeve?

Tabela  e  mëposhtme (me  një  rezultat  hipotetik  racional  për zgjedhjet  e  këtij  viti), jep  një  ilustrim  për  këtë  fenomen:

Siç  shihet  nga tabela, edhe pse subjekti PD do kishte rreth 6.2%  të votave më pak se PS, në rang vendi, prapë në mandate mund të kryesojë, kurse vetëm  lëvizje votash me 0.2% – 0.3% më pak në çdo qark  për  PD, do ta bënte rezultatin  nga  PS-57 mandate, PD-58 mandate, LSI-22 mandate në  PS-67 mandate, PD-46 mandate, LSI-24 mandate. Pra,  një konfiguracion  krejt tjetër  i  parlamentit,  vetëm  në sajë të disa qindra votave. Kurse  nga  ana tjetër lëvizja  e  dhjetëra mijëra vota  për subjektet e tjera, nuk do të ndryshonte asgjë.

Mund të kemi rezultate më  25 qershor,  të tilla që njërit subjekt t’ia bëjnë joefektive edhe 200,000 vota  dhe tjetrit vetëm pak mijëra vota, vetëm në sajë të nenit  162 të Kodit Zgjedhor që përcakton mënyrën  e shpërndarjes të mandateve, subjekteve politike në bazë të votave të fituara. N.q.s kjo ndodh (gjë  që Kodi Zgjedhor e lejon), atëherë do kishim dy fitues të zgjedhjeve: fituesin ligjor  dhe fituesin moral, n.q.s ky moralitet nuk do kishte karakter relativ. Gjithsesi nenet e Kodit Zgjedhor nuk i trajtojnë votuesit në mënyrë të barabartë, duke mos garantuar një  princip bazë të demokracisë: “Një  njeri, një  votë”.

Shënim: Në llogaritjen e përqindjeve referuese të vitit 2013 tek tabela, për subjektin PS kam shtuar  edhe votat e PSV91, PSM dhe PUK, të cilat kanë deklaruar publikisht mbështetjen për PS, ndërsa për  subjektin PD kam shtuar votat e partive aleate, PR, PBDNJ, PDK, LZHK, PBK dhe PAA, që kanë   futur kandidatët e tyre në listat e PD (dhe nuk i kanë tërhequr ato).

Please follow and like us: