Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Të rriten apo jo?!

Mora shkas nga një postim i mikut tim të shtrenjtë Tritan Kalo, për kandidatët fëminorë e të pa eksperiencë për deputetë, që qelbet erë diktature, ku gjithkush voton për atë që i vuri të “zgjedhur” në atë fron me mjaft të mira, me kusht të bëjnë ç’i thonë, ku thotë: “Lërini të rriten….Mbrëmë tre të rinj, dy vajza dhe një djalë trokitën në derën time…Vajza e parë mu prezantua si “Kandidatja e LSI-së për Deputete e Njësisë Administrative nr. 7” dhe aspak për të diskutuar rreth postimit, të cilin e mbështes plotësish, por për një çast mu kujtua Oliver Twisti, kur mësohej nga një hajdut mjeshtëror xhepash dhe veten vura në vendin e atij kusari hundësqepshqiponjë dhe them se ata s’duhet të rriten, se vetëm ashtu siç janë mund të kenë vlerë, duarvocërr q’të vjedhin pa u ndjerë, e mendjembyllur që të shohin përultësisht atë që bën sikur i ushqen, me një lugë “poridge-çorbe” me shumë si shpërblim për një bindjeje të pacenuar nga arsyeja. M’u kujtua gjetja e bukur shqiptare alla Hekuran, (emër i gjetur tip Stalin). Rëndësi ka që dora të ngrihet të votojë kur i thonë dhe si i thonë. E frikshme jo për tragjedinë e Twist-ëve, por tonën, të mendojmë se do rrisim hajdutë xhepash me ligjet e rrugës, të ujkërisë dhe kopesë ku pak vlera njerëzore kanë mbetur. A është e vërtetë që drejt asaj po shkojmë? Për këtë mbase është më mirë të mos rriten. Që këtej, nga kjo frikë lemeritëse, ndërhyn mendimi që duhet të rritemi ne, brezi ynë, i humbur a copa copa i mbetur aty këtu, nëse, duhet patjetër duhet, të ndryshojmë këtë rritje, për një demokraci të vërtetë, duhen të gjithë por parësisht, të ndryshojmë ne. E di, që me lulëzimin e njëqind luleve dhe shitblerja tek Pazari i Ri i diplomave, ka një çoroditje të tejme në të gjithha shtresëmoshat, e në çdo nivel të shoqërisë, që në Shqipëri tonë, shkohet nga ekstremi në ekstrem, nga një moskokçarje ku gjendja e vjedhjes dhe korrupsionit bëhet të paktën e pranueshme si pjesë e jetës, që s’ka pse të ndërrohet e njëjtë me kulturën e Kanabisit, q’na ndihmon aty këtu të gjithëve, se paraja duam s’duam, e hedh ujin përpjetë. Shkon dhe në ekstremin tjetër në një besim të thuash religjioz ndaj prijs-idhujve për çdo gjë, edhe kur e dimë fare mirë kush janë, por i ndjekim për inat të grupit tjetër apo ndjehemi më të mbrojtur kundrejt psikologjisë “o me mua, o kundër meje”, aq e përdorshme në burgje e diktatura, larg fare larg dhe nga demokracia fëminore e Athinës arkaike, që ne pellazgëve autoktonë s’na duhet e këtu s’hyn në punë, por që mban të pandryshuar gjendjen politike dhe mjerimin që ka sjellë e sjell. Këtë e vërteton çka ka ndodhur për shtatëdhjetë e ca vitesh të humbur, kur përveç politikanëve, e pranojmë që jemi ende të humbur. Kthehemi tek e kaluara ta justifikojmë, “komunizmi” specifik tipik shqiptar me verbërinë e një minotauri në labirinthin e vetvetes ndërtuar enkas për të, sulltanati pesëqind vjeçar osman ende shumë i prekshëm në skuta mendjesh ku rryshfeti është mbret dhe kur të vërtetat gjykoheshin nga ëndërrat, dhe pushteti piramidal absolut ish i pathyeshëm, siç qe nën bizantinët, e romakët. Ah, Gjergji i madh, mal i madh sa malli i një lirie kaq të dëshëruar ku shtetin e demokracinë e shkruajti Leka i Dukagjinëve q’me rrënjët e tij ende vazhdon të na mbajë gjallë dhe sot kur shteti i majisur s’punon më. Të ngjethet mishi kur mendon se kemi një oqean për të pirë me ujë të kripur, jo t’mos t’i lëmë të rriten të rinjtë, gjë që s’e bëjmë dot, por si ti rrisim si duhet, mbi të gjitha si nënshtetas, jo të nënshtruar nga prijsa a idhuj, jo të aftë për të vjedhur e rrugë të lehta, por me disiplinë pune, dashuri për të bërë diçka me vlerë, por mbi të gjitha mendjelirë, të aftë të gjejnë të vërtetat dhe të bëjnë zgjedhje të duhura dhe të drejtojnë veten si dhe shtetin e tyre.
Këto ishin disa mendime që lindën nga fjala “rritje”, më shumë për të nxitur një lëvizje a veprim për të bërë diçka në këtë drejtim, që është detyra jonë dhe vetëm e jona. Dhe kur mendoj ca më thellë, arrij në përfundimin që duhet të rritemi ne, brezat e humbur të parët, që të jemi të aftë të rrisim ata që vijnë pas. S’është kurrë vonë për të mësuar, por është vonë, gjithmonë vonë, nëse nuk bëjmë asgjë. Ndoshta kështu do dimë ku do shkojnë, nëse ata që do rrisim e do rriten do dinë më mirë se NE, se ç’duhet të bëjnë.
PS. Ky postim në asnjë mënyrë nuk mohon arritjet e dukshme nga shkollat, kolegjet dhe universitet publike apo private nën udhëheqjen e partive dhe udhëheqësve politikë.

https://www.facebook.com/tritan.kalo?fref=nf&pnref=story

Please follow and like us: