Llukan Saqellari: Bamb e bumb këmborë e madhe, qumështi në gjysëm okare!
1- Kohë zgjedhjesh parlamentare
Kemi parë të tilla për 27 vjet me radhë. Kemi dëgjuar e po dëgjojmë këmborë që tunden pa pushim. Këmborë të rënda të 2-3 partive të mëdha.
Vijnë ndër ne se i ka marrë malli? Kur qahemi e kemi ankesa, nuk i shohim. Tani, që është koha të mbledhin vota, kthehen në lipsarë. Dy estremitete: një muaj të mbeten shul në derë dhe katër vjet të tjera bëhen agallarë! Premtime pafund:
Më hipni në kalë dhe katër vjet të tjera pa do shihni ç’të mira do keni! Po të pamë këto katër vjet? Jo, po…dua makinë me një timon, efekti i Reformave duket pas ca vjetësh.
Do ndërtoj Republikë të Re…dua ballafaqim…taksa të sheshta, pensione e rroga të larta, kërkoj ballafaqim me Partinë në pushtet…Po ndryshimet në Kodin Zgjedhor si duket mbeten pas zgjedhjeve!…
Forca jonë, të rinjtë…Ne jemi ekuilibruesa…Po të mos ishim ne do ta kish marrë lumi Shqip…Po Shq…marrur e ka lumi! Nuk e shikoni. Ju i keni Pyjet, Mjedisin, Hipotekat…
2- Qumështi në gjysëm okare
Kemi 27 vjet që bëjmë të ngrihemi po fundosemi. Megjithëse “Kullota” është e bollshme në Shqipërinë mesdhetare. Natyra na i ka falur të gjitha të mirat. Jeni ju politikanët e qeveritarët e lartë që mbushni xhepat! Dhe për shumicën popullore qumështi i mjelur matet me gjysëm okare! E matin pensionistët…
Jeni bërë mjeshtra të gënjeshtrave. Atë që thoni sot nuk e bëni nesër. Merrni dhe pak “këlyshë të rnj” që u mësoni huqet tuaja. Dhe ne presim ndryshime me Rilindjet e Republikat tuaja!
Nuk është Shqipëria, vetëm Qendra e Tiranës e të rreni të huajt e zënë sysh. Pa ngjituni në zonën kodrinore-malore që është 3/4 e Shqipërisë e shiheni si e kini katandisur! Të çpopulluar, se u premtuat shumë. Djerrina ku gjykojnë dhitë, ujqit, derrat e egër dhe pak bajraktarë të rinj që janë bërë zot malli të pataksuar, fole e mbjelljes e përpunimit të drogës, sidomos vitin e fundit. Pa rrugë makine, pa ligj e shtet, ku ligjin e çmimin e bën matrapazi i ri. Nga ato zona mund të burojnë shumë e shumë të mira materiale.
Po deputetë e qeveritarë me gjysëm okare e matin qumështin? Jo, jo me kv pak e me ton shumë. Ku ata e ku fakir fukaraja…Kush e la drejtësinë të shitej me pare? Po drogën që mbuloi vendin? Pse nuk i dëgjoni ekonomistët jo partiakë?… Ju ishit ata që kërkoni vota edhe sot! Në komunikim javor Kryeministri kërkon vota, në vend t’u përgjigjet ankesave.
I kemi varur ujkut mëlçitë në qafë, u kemi dëgjuar cylen të gjithëve…
3- Mungon kandari që peshon të vërtetat
Që llafet të mos i marrë era, e ju të kapeni në lak duhet ballafaqim me të vërteten. Po ku të lini ju të vendoset Kandar?Ju rreni dhe peshoni.
Po mirë ju që s’pranoni kandar, po ne, populli si nuk gjeti një “kandar dhekatari”? Se sipas jush Partia në pushtet nuk e do ballafaqimin. As Partia tjetër kur të ketë Qeverinë nuk do ta dojë. Me sa duket dhe dy a tre Kokët kryesorë e lanë Kushtetutën pas zgjedhjeve. Atëhere këmborët e mëdha u tunden kot!
Unë politikan dhe ekonomist nuk jam, po një kandar që të mas kokën e çdo Qeverie, e gjej. Ky që do tu tregoj, mbase është kandar alla turka, ekonomistët e juristët le ta kthejnë alla frënga. Një Autoritet Ekonomik Kombëtar i pavarur nga Qeveritë, permanent, me Kushtetutë, mund të vendoset. Ky, ta zemë Autoritet, që as njerëzit e përgatitur nuk mungojnë për çdo zë të caktoje objektiva: ku do vemi për katër vjet, sa përqind do ngrihen pensionet, rrogat, ç’rrugë do të bëhen…..e plot zëra të tjera që i dinë akademikët…Nuk është vonë dhe tani të shkojmë në zgjedhje me kandar. Ndonjë ekonomist partiak do thotë, do kthejmë pesëvjeçarët socialistë? Jo mor jo se kapitalizmi është llogari!
Edhe një Medie e pavarur që të flasë si për sukseset e Qeverisë po dhe gafat që mund të bëjë, të japin mendime ekonomistët jo partiakë, e të merren shënime prej qeveritarëve se ndryshe do t’u matet “qumështi”.
***
Këtë vendim sekret a ta kenë marrë dy a tre Kokët Partiakë? Apo ja kanë lënë Kuvendit të ardhshëm! Se, po paraqesin objektiva të përgjithshme e të trumbullta, pa angazhime të shkruara, që t’u matet koka. Do mungojë ky KANDAR ende? Po qe kështu lumi që na mori dhe këto katër vjet!