Ndahen çmimet e Panairit të Librit në Prishtinë
Me një ceremoni të thjeshtë u ndanë çmimet e Panairit të Librit i cili para pak ditësh ka hapur një edicion tjetër në kryeqytetin kosovar. Adem Gashi ka marrë çmimin për librin më të mirë me poezi, ndërsa Xhevat Syla ka marrë çmimin si autori më i mirë i këtij panairi në zhanrin e letërsisë për fëmijë. Çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë e ka marrë Klara Buda, me librin “Kosovo mon amour”. Buda ka qenë e pranishme dhe u shpreh e emocionuar që po merr çmim në Kosovë, vendin me të cilin ajo ka një lidhje shumë të veçantë. Ajo ka treguar se si është njohur me Kosovën gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, kur ajo ka punuar në Radio France dhe se si i është refuzuar viza asokohe të vinte në Kosovë me një delegacion pune. Buda ka sjellë këtë vit në Francë një libër mbi Mitrush Kutelin, përkthimin e veprës “Fshati im e pi rakinë”. Romani më i mirë i panairit u zgjodh “Shtrati 13” nga Petrit Palushi. Një çmim special të panairit e ka marrë Lucie Leanne – shkrimtare franceze e cila erdhi në shqip nga Shtëpia Botuese Buzuku, me veprën e saj “Kufiri”. Për vepër kapitale, çmimi i Panairit të Librit shkoi për Shyqri Nimanin. Tenda më e vizituar gjatë Panairit u shpall Argeta LMG, ndërsa Flutur Mustafa me veprën “Na dy” mori çmimin special të panairit.