Kadare me Musa Ramadanin, bashkë në Tiranë
Shkrimtari nga Kosova, Musa Ramadani të cilit është fitues çmimit “Kadare” i është dorëzuar trofeu në një ceremoni në UET.
Por ka qenë një moment historik takimi me shkrimtarin Ismail Kadare. Dy mjeshtrat janë bërë bashkë me grup shkrimtarësh e studiuesish nga të dy trevat, në mjediset e bar Juveniljes ku rinjohja mes tyre tashme ka qenë me konkrete ose siç e ka quajtur më parë Kadare këtë marrëdhënie: sharmi letrar mes Tiranës dhe Prishtinës. Biseda e tyre e parë nuk ka qenë rreth çmimit, megjithëse Kadare ka shprehur kënaqësinë duke e uruar shkrimtarin nga Kosova, për meritën e veprës, jo veteëm fituesen por për gjithë veprën letrare.
Musa Ramadani ka kujtuar takimin e parë me Kadarenë në Kosovë, ku po të njëjtën gjë ka bërë edhe Kadare, duke kujtuar vitin e largët 1972 kur ka shkelur për herë të parë në Kosovë me inskenimin e veprës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur duke u shprehur se “ka qenë një udhëtim mbrësëlënës”. Kadare ka kujtuar takimin me Azem Shkrelin i cili e ka lajmëruar të ishte i kujdesshëm. “Problemi kryesor i qëndrimit të tij lidhej me faktin se çfarë po ndodhte në Kosovë. Kosova në atë kohë kishte tjetër shpirt, që i vlonte brenda. Kishte një qetësi të fshehur”. Kadare ka nisur të kujtojnë miqësitë me Kosovën, shkrimtarët, dhe sa e çuditshme ishte Shqipëria e diktaturës së Hoxhës, duke thënë se “imagjinoni se çfarë enigme ishte për ne Kosova”.
Ndërsa shkrimtari i Kosovës ka ndërhyrë: “Dhe për ne, Shqipëria ishte dashuri e paimagjinueshme”.
Kadare i është përgjigjur aty për aty: Ne, nuk e dinim dhe as nuk e njihnim këtë dashuri.
Ndërsa Ramadani ka kujtuar vitin 1978 kur ka mbërritur për herë të parë në Shqipërinë amë, duke pësuar njëkohësissht zhgënjimin nga sa priste.
Megjithatë Ramadani në dialog me Kadarenë është shprehur se sa ndikim ka pasur dhe ka letërsia e tij në Kosovë duke thënë se ka qenë një armatë e tërë që imitonin dhe ndiqnin veprën letrare të Kadaresë.
Ndërsa në fund, duke folur për vlerësimin e bërë nga Shqipëria, Kadare është drejtuar: Kisha dëgjuar e lexuar mbi emrat finalistë të kësaj gare, dhe ishte pothuaj një dëshirë e pashprehur e imja që çmimi të shkonte në Kosovë, kjo ishte gjëja e duhur në këtë moment.
Jo vetëm një herë, shkrimtari Musa Ramadani ka përsëritur, si dhe në takimin me Kadarenë se “kanë bërë ministritë e dy vendeve sa e sa marrëveshje, por ja që një institcion privat arrin të krijojë një lidhje konkrete Shqipëri-Kosovë”