Lindita Nikolla padit Ben Blushin: Nuk do t’i ndahem këtij shpifaraku profesionist
Ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka paditur deputetin dhe kryetarin e partisë LIBRA Ben Blushi për akuzën e shpifjes.
Këtë padi e ka konfirmuar vet ish-ministrja Nikolla në një status në Facebook, duke sulmuar ashpër deputetin Blushi.
Nikolla thotë se Ben Blushi sulmon dhe ofendon kolegët për përfitime politike, që të marrë vota për zgjedhjet e 25 qershorit.
Ish-ministrja e Arsimit e ka cilësuar LIBRA-n parti fitimprurëse që nuk meriton të marrë asnjë votë.
Statusi në facebook i ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla:
Dua t’ju bëj me dije se sot kam nisur procedurën e padisë për shpifje për Ben Blushin. Nuk do t’i ndahem këtij shpifaraku profesionist, derisa ai të marrë dënimin e merituar në gjykatë. U bë e disata herë që njeriu më parazit që kam njohur në jetën time, më sulmon paturpësisht me gojën e tij të shthurur nga ligësia e mediokritetit.
Një karrierist i llastuar nga jeta, që tri herë u bë ministër dhe tri herë u largua nga detyra pa bërë asnjë punë, nuk mund të shitet sot si politikë e re, pas 20 vitesh në korridoret e pushtetit. Një personazh i pangopur, që i kërkonte ministrave “mediokër” të Edi Ramës, favore.
Kur ky njeri e pa që nuk i’u hapën dyert për çudirat që kërkonte, me ngulmin e njeriut parimor, filloi sulmin e mllefit kundër Edi Ramës dhe ministrave “mediokër”. Kam vendosur ta ndjek deri në fund në rrugë gjyqësore këtë njeri që sot e gjithë kohën do të mbahet mend në Ministrinë e Arsimit, si ministri i arrogancës dhe asgjësë.
Ky gojëlig që shantazhonte kolegët për të nxjerrë, siç e quan edhe vetë pa pikën e turpit, fitimet nga aksionet e veta politike, nuk mund të jetë destinacion për besimin e votuesve që nuk e njohin. Ky njeri ka krijuar partinë e vogël fitimprurëse të radhës, duke premtuar Republikën Re. Ky farë burri, pa din e iman, meriton jo vetëm që të mos i jepet asnjë votë, por, gjithashtu, edhe dënim për shpifjet e tij për shkak të detyrës.
Demaskimi i këtij paraziti ekzemplar të jetës publike është një detyrim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që njësoj si ne, kur nuk e njohin se çfarë marifetçiu i paskrupullt është, mund të bien pre e shpellës së errët të gojës së tij të ligë.