Rama sulmon hapur LSI: Shushunjat do shkarkohen pas 25 qershorit
Në daljen e tij të tretë ditën e sotme në qarkun e Elbasanit, kryeministri Rama ka ashpërsuar tonet ndaj LSI-së, duke numëruar institucionet që ajo ka drejtuar e duke i quajtur shushunjat që i pinë gjakun shqiptarëve.
Nga takimi i Elbasanit, Rama ka kërkuar votën për PS-në, si e vetmja mënyrë për të mos pasur pengesa në rrugën e reformave dhe për te bere shtet.
“Kush na i heq postierët që në vend të na sjellin letrat nga njerëzit e dashur, na sjell formularët e partisë, numëroni gjithë shushunjat dhe kini parasysh një gjë, o ndahuni o i shtypni me votë në 25 qershor”- tha Rama.
Sipas tij, populli duhet të marrë hak ndaj poshtërsive duke u shprehur me votë.
“Është momenti të marrë hak për poshtërsitë e zyrtarëve të korruptuar në hipotekë e patenta, inspektorëve që jetojnë duke vënë gjoba, janë ca policë gri, i njihni, policia gri, është një bandë që del nëpër rrugë e ndalon makina, është një tmerr, po ku hiqet ajo, se kemi ne, e ka partia, është degë partie policia gri të merr shpirtin, guxo preke, shko merri votat pastaj. Të vjen grija të merr shpirtin, është partia grija, nuk është shtet, votoni PS dhe e keni të shkarkuar sa të mbarojë numërimi, jo në shtator, sa të mbarojë numërimi”- tha Rama.
Rama ka kërkuar nga shqiptarët të shkojmë në 25 qershor “si stërnipërit e Ismail Qemalit, jo si lypsarët dhe ushtarët e partive që duan të marrin peng të ardhmen tuaj, me lëmosha duan tu tregojnë se buka juaj e gojës varet prej tyre. Nëse më ndihmoni të jeni të sigurt se do ua kthej 4 fish më shumë”- tha ai.