Albspirit

Media/News/Publishing

Bledian Koka: Sheshi 17 milionë euro si lodër…

 

 

E dëgjova Edi Ramën në fund të fjalimit të tij të gjatë që gënjeu si përherë se do ishte i shkurtër të thoshte: “Jam gati të bëj garë me këdo sepse sonte jam njeriu më i lumtur në botë”. Kishte të drejtë, ai sot i lejoi vetes të gëzohet sërish si kalama në kurriz të mundit, djersës e kacidheve të shqiptarëve për një tekë personale për të cilën Velenia e tij u investua edhe njëherë me kokën e turkut që do të bëhet një ditë.

Sonte tek dëgjoja delirin të fliste kryeministër, e kryeministrin të dehur me delir, e vura veten për një moment në vendin e një familje me 5 persona në Rrubik që merr 80 mijë lek të qelbura në muaj si sadaka për të mbajtur frymën gjallë.

Po mendoja për dëshpërimin e për mjerimin që bujt përnatë mes tyre si i 6-ti i familjes, sesi e kanë përjetuar zgërdheshjen e pamëshirmshme të kryeministrit që edhe njëherë si përherë në vend që t’i ushqente ata, ushqeu egon e sëmurë të një deliranti që kërkon të veshë mjerimin e një populli me pllaka 17 milionë euroshe.

Barku bosh i tyre, është edhe uria ime sot. Zhgënjimi i tyre prejt dëshpërimit, është sot edhe dëshpërimi im si njeri që s’mund të bëj asgjë për ta përveç se tu shkruaj ca fjalë. Sot ata janë qytetarët e një shteti që në vend që të shpërndajë pare për zhdukur varfërinë, zgjedh që të harxhojë pare për ta fshehur mjerimin.

Sot ajo familje nga Rubiku pa bukë dhe ne të tjetër barkmbushur jemi të barabartë në një pikë. Jemi qytetarë të një Republike të dalë boje që nuk ka asgjë të ndryshme me një fshat në Ruanda që i gwzohen xhinglave të reja të kryeplakut të fisit, ndërsa anëtarët kryesorë të tribusë do vazhdojnë të kërcejnë rreth zjarrit si të çatrafilosur deri natën vonë.

E gwzofshi sheshin ju që e pëlqyet, jeni në të drejtën tuaj të gwzoni si tribalë. E gwzofshi dhe ju që e dini se çfarë përfaqëson ajo shpifësirë arkitekturore dhe nuk e kursyet fjalën. Demokracia është e bukur edhe për këtë. “Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë”-tha Erjon Velenia në fjalën e tij, fjali me të cilën e nis gjithmonë pazarin e tij për korruptimin e shpirtrave që kundërshtojnë.

P.S.: E vetmja shpresë në këtë pikë është se vaniteti, është mëkati i preferuar i Djallit, sa për të tjerat shpresa tani është vetëm në Zot!…

Please follow and like us: