Albspirit

Media/News/Publishing

Luftë e ashpër PS-LSI në 8 qarqe, shkarkime punonjësish në bashki dhe drejtori

Shpërthen luftë e ashpër mes PS dhe LSI në 8 qarqe të vendit. Beteja elektorale mes dy partive që qeverisën për katër vite, për të marrë drejtimin e “timonit” pas 25 qershorit, është bërë shumë e ashpër dhe nuk po kursen as punonjësit në administratë të të dy krahëve politikë. Shkarkime masive punonjësish në bashkitë e 8 qarqeve të vendit, të drejtuara nga PS dhe LSI, po ndodhin çdo ditë. Dhe nuk dinë të ndalen! Në Bashkinë e Beratit, Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit, Durrësit, Fierit, dhe Tiranës, largimi i punonjësve qoftë të PS dhe LSI ka marrë përmasa të mëdha para zgjedhjeve të 25 qershorit. Drejtuesit e bashkive të LSI, kanë detyruar punonjësit e Partisë Socialiste që të votojnë forcën politike LSI në 25 qershor, por militantët socialistë nuk e kanë pranuar një gjë të tillë. Në këto kushte, drejtuesit e 7 bashkive të LSI kanë shkarkuar punonjësit e PS, të cilët nuk i janë bindur drejtuesve të votojnë LSI, si forcë të parë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Ndërsa drejtuesit e bashkive të drejtuara nga PS, shkarkimin e punonjësve të LSI po e përdorin në shenjë “hakmarrje” ndaj kësaj force politike. Shkak është bërë fakti që LSI në këto dy vite e ka sulmuar vazhdimisht aleatin e madh të pushtetit, ka kërkuar vetëm poste dhe së fundmi i vuri kusht kreut të qeverisë, marrjen e postit të kryeministrit në këmbim të koalicionit. Kështu në qarkun e Beratit, konflikti PS-LSI ka qenë prezent kryesisht në Bashkitë e Beratit, Kuçovës dhe Skraparit. LSI nuk është kursyer të shkarkojë punonjësit e PS që nuk kanë pranuar ta votojnë. Bashkinë e Beratit dhe Skraparit e drejton LSI, ndërsa Bashkinë Kuçovë e drejton PS. Në këtë qark ka një përplasje të ashpër mes PS dhe LSI, ku hakmarrja mes dy forcave politike është përvijuar në largime të mëdha të punonjësve militantë të të dyja partive. Por konflikti më i ashpër është përqendruar në Jug të vendit. Në Qarkun e Gjirokastrës, ku LSI ka bashkitë e Gjirokastrës dhe Delvinës, ka patur largime të punonjësve socialistë, ndërsa në Bashkitë e Përmetit dhe Tepelenës, PS ia ka kthyer reston duke ia larguar punonjësit LSI. Madje, sipas burimeve, në Qarkun e Gjirokastrës ka patur një përplasje mes një deputeti të PS dhe LSI për largimin e punonjësve nga puna.

Bashkitë e PS

Në Qarkun e Korçës, në bashkitë e Kolonjës dhe Korçës, gjithashtu ka patur përplasje me largime punonjësish. LSI synonte që të fitonte Bashkinë e Pogradecit në 2015, por humbjen ia faturoi PS. PS është hakmarrë në drejtim të LSI në bashkitë e Qarkut të Korçës. E njëjta situatë është edhe në Ersekë e Përrenjas. Këto bashki drejtohen nga PS dhe LSI, edhe këtu ka patur largime punonjësish. Në Qarkun e Fierit, ku përfshihen bashkitë e Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës, PS ia kishte borxh “hakmarrjen” LSI, duke ia larguar punonjësit nga puna. Përgjatë dy viteve, LSI ankohej se drejtuesit e PS në bashkitë e Qarkut të Fierit nuk bashkëpunonin me të, dhe ankesat kanë qenë të shpeshta dhe publike. Në këto kushte, PS ia ka larguar pothuajse të gjithë punonjësit LSI në këto bashki. Në Durrës, beteja është akoma edhe më ashpër. Atje ka patur në vazhdimësi luftë të ashpër mes Lefter Kokës dhe Vangjush Dakos. LSI dhe PS në Durrës, janë në luftë të hapur dhe të ashpër. Dhe në Qarqet e Tiranës dhe Elbasanit, kryesisht në bashkitë e Tiranës dhe Elbasanit, shkarkimet kanë qenë një furtunë e vërtetë. LSI është trembur nga gjithë këto shkarkime, pasi e ka kuptuar se pas gjithë kësaj lufte, është e pamundur që PS dhe LSI të bëjnë një koalicion paszgjedhor. Edhe në qarqe të tjera të vendit ka patur shkarkime, por kanë qenë më të papërfillshme. /Sot/

 

Please follow and like us: