Publikohet një video kundër kryeministrit Medvedev në faqe të qeverisë ruse
Në dy web faqe të qeverisë në Rusi është publikuar një video në të cilën akuzohet për korrupsion kryeministri rus Dmitri Medvedev. Kjo video është publikuar vetëm një ditë përpara protestave të organizuara nga kreu i opozitës Aleksei Navalny.
Kjo video, që është realizuar nga Aleksei Navalny dhe mbështetësit e tij, u botua në faqet e internetit të prokurorisë rajonale të qytetit Jaroslavl dhe në administratën rajonale të Shën Petersburgut.
Më vonë gjatë ditës, kjo video është hequr nga faqja e internetit të administratës së Shën Petersburgut, ndërsa faqja e prokurorisë në Yaroslavl ka rënë nga sistemi.
Raportet e mediave ruse ka bërë të ditur se dyshohet që hakerët qëndrojnë pas incidentit.
Videoja, që fillimisht është publikuar në mars të këtij viti, akuzon kryeministrin Medvedev për përdorimin e një rrjeti të supozuar të fondacioneve të bamirësisë në mënyrë që të kontrollojë pasurinë e tij, si në Rusi ashtu edhe jashtë saj.
Medvedev i ka quajtur akuzat si “deklarata të rreme “.
Navalny, i cili synon të kandidojë për president vitin e ardhshëm, aktualisht po udhëheq një varg protestash kombëtare kundër korrupsionit në më shumë se 100 qytete. Protestat e rradhës do të mbahen më 12 qershor.