Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Lamtumirë kometë

 

Komunizmi i la një gropë botës:
si tavani miniere të braktisur
ra brenda vetes, rroposur në asgjësim.
Edhe një kometë po t’i shkulej me rrënjë stratosferës
Gjysmës planetare të qiellit nuk do t’i sillte kaq terrim.

Kometat yjore me bërthamën, me bishtat e ndritshëm
Të trandin në cekjen qiellore me të përjetshmen.
Komunizmi krejt zhgënyes.
Zbathur, cullak, dheraz eci si murg
La pas ndjeshmërinë e përkitjes me vdekjen.

E njoh ndjesinë e prekjes së përditshme me vdekjen
Ndaj një buzëqeshje femre atëherë
ish etje e zbrazur në çast.
S’kishin kometat terr a frikë sa kishte dritë në qafën, flokët
Në lëkundjen e shtatit te një vashë.

Ju që vini, mos u trembni, mos u magjepsni nga kometat
Shpallen me dritë, ikin në terr,
Lënë pas zhgënjim.
Tashmë, si ata që i trembi a i magjepsi komunizmi,
Ankohen për vitet që si hiri humbën pa kthim.

Lamtumirë kometa yjore! I fundshëm prej njeriu cikli im,
I pamatë planetar elipsi juaj… s’mund të kenë korrigjim.
Në rikthimet e mëvonshme do të gjeni në tokë
Të tjerë bij nënash, me cikël njerëzor jetëshkurtër,
Kometa … jepuni gëzim.

5.01. 2013

Please follow and like us: