Sigurimi i Shtetit, nga sovjetikët deri te vetëizolimi
Pas shpalljes si tradhëtar dhe pushkatimit të Koçi Xoxes, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme u vu Mehmet Shehu. Në këtë periudhë një rol dhe peshë të veçantë në drejtimin e Sigurimit të Shtetit do të kishin këshilltarët sovjetikë, pas largimit të këshilltarëve jugosllavë.
Nga 1949-1953, vëmendja më e madhe ju kushtua zbulimit dhe kapjes së grupeve të stërvitura nga amerikanët dhe britanikët, që tentonin vazhdimisht të hynin në Shqipëri për të përmbysur regjimin e Hoxhës. Sipas dokumenteve arkivore nga viti 1949-1956 ka funksionuar edhe një Gjykatë Speciale, që vepronte vetëm brenda strukturave të Sigurimit. Ajo ishte një mekanizëm ndëshkimor i brendshëm, jashtë sistemit të drejtësisë.
Rekrutimi në rrjetën e agjenturës, përveç vullnetarëve bëhej kryesisht me detyrim dhe nën presione të ndryshme. Në këto raste quheshin “të rekrutuar me material shtrëngues”, që nënkuptonte se kërcënoheshin me përgjime të fshehta, me të meta a dobësi të karakterit të personit si imoraliteti, vjedhja etj., e deri kërcënime përmes familjarëve e të afërmve.
Veç rekrutimit vëmendje e veçantë i kushtohej hartimit dhe përdorimit të dosjeve, kryesisht të bashkëpunëtorëve. Në këtë dhomë kemi sjellë një shembull konkret se si ndërtoheshin ato.
Pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik dhe afrimit politik me Kinën në 1961, nga Sigurimi i Shtetit u larguan gradualisht të gjithë këshilltarët sovjtikë. Deri në vitin 1982 Sigurimi do të kishte një liri më të madhe veprimi, pasi kinezët nuk do të kishin impaktin e sovjetikëve në shërbimin sekret. Ata do të kontribuonin më së shumti në bazën materiale, e cila do të qe më e sofistikuar në këtë periudhë.
Në një analizë të tijën më 5 shtator 1983 Enver Hoxha do të shprehej i zhgënjyer që kjo strukturë që duhej të mbronte pushtetin e regjimit të tij, “kishte qenë gjithmonë në duart e atyre që u shpallën tradhtarë e armiq”, nga Koçi Xoxe tek Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu pas tij.
Nga kjo periudhë e deri në fund të regjimit Sigurimi i shtetit kaloi plotësisht në duart e Ramiz Alisë, i cili në kushtet e vetëizolimit të vendit shtoi ndjeshëm masat për të vëzhguar gjithçka e këdo, sidomos në fushën e agjitacionit e propagandës dhe të arratisjeve që vinin në rritje nga viti në vit.