Albspirit

Media/News/Publishing

Tritan Kalo: PERSIATJE PARA-ELEKTORALE…

Pas 25 Qershori i 2017-ës, e ardhmja për ekonominë tonë individuale dhe atë kombëtare nuk duket se do të jetë shumë surprizuese, nisur thjesht nga ajo që të TRE forcat kryesore politike të vendit, po vijojnë të na ofrojnë në “menynë” e tyre elektorale…Partia Socialiste vazhdon të mbështesë fort “PPP-të = Partneritetin Publik Privat”, si “Kryefjalën e zhvillimeve ekonomike të vendit” (E.R.). Në këtë frymë zhvillimi vetëm vetë Qeverija “si organ”, mbeti pa u dhënë me konçension në katër vitet e shkuara …Partia Demokratike pas një fushimi inspirues dhe energji-grumbullues 90 ditor në “Çadrën e Lirisë”, na ofron çelësin magjik të “ÇRR-ve = Çuditë e Republikës së Re”, ku NE të gjithë “në katër vitet e ardhëshme do të fitojmë më shumë dhe do të paguajmë më pak taksa e detyrime publike” (L.B.)….”Qershia” mbi tortë përherë vijon ti mbetet Lëvizjes Socialiste për Integrim. AJO ofrohet te NE përmes programit të saj politiko-ekonomik “Një shans për të gjithë” (I.M./P.V.), ku ky shans vjen si një “paketë” me teserën e LSI-së, vendin e punës por edhe me kushtëzimin, që ti duhet të plotësosh tre kriteret e të qënurit një “FFE = Figurinë, Fëmi dhe Elifmatrak”…Një shikim gjakftohtë, një analizë e thellë dhe me realizëm i situatës socio-ekonomiko-politike ku gjendemi, edhe pas 26 vitesh zhagitjesh në tranzicionin e tejzgjatur “demon-kratik”, e bën të mirë-besueshëm përmbajtjen e paragrafit të mëposhtëm të shkëputur prej Gazetës “Tema” të datës 10.06.2017: “Sipas Gallup, 62% e popullatës së Sierra Leones do të donte të largohej nga vendi. E dyta renditet Shqipëria me përqindje të barabartë me Haitin. Sipas Gallup, më shumë se gjysma e shqiptarëve, përkatësisht 56 përqind e popullsisë duan të largohen nga Shqipëria”. …AJO që të dëshpëron më shumë është fakti, se NE të gjithë jemi dorëzuar përpara kësaj situate dhe në vend që të përpiqemi ta ndryshojmë atë, ta shikojmë mundësinë e ecjes sonë përpara këtu në Shqipëri, e kalojmë kohën me gjerbitje kafeshë, me rrukullisje gotash rakije, me thithjen e ndonjë cigareje të dredhur me “barin magjik”, me rrokonisje të kokës sonë me “politikën e madhe”, me qarje halli për “kalorësit që mbajmë mbi shpinë se u varen këmbët nga shala që na ka vënë”, me nxirosje mëndje, zëmre ose vënie stërkëmbëshi për këdo që na ofron një ide ose një udhë më të mirë, si dhe me plotsime dokumentash pa fund emigrimi për në SHBA, Gjermani, Kanada, etj…Andaj, edhe më optimisti e më objektivisti në “grigjën tonë Shqiptare ende trubartëse”, situatën që po kalojmë dhe ardhmërinë tonë mundej ta përmblidhte “gjeometrikisht” në kuadratin e 4 L-ve: “Lum si ne, për Lumin që na ka marë dhe për Llumin që na ka mbuluar!”….Quo vadis Shqipëria ime!!!

Please follow and like us: