Albspirit

Media/News/Publishing

Shkarkime dhe emërime të tjera në disa drejtori burgjesh e hipotekash

Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, ka shkarkuar sot nga detyra Drejtorin e IEVP Vlorë, Bashkim Habilaj, si dhe Drejtorin e IEVP Fushë-Krujë Albert Malaj, me motivacionin e braktisjes së detyrës dhe keqmenaxhimit të institucionit.

Kjo vendimmarrje e Ministrit të Drejtësisë ka ardhur pas informacioneve të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nga ku është vërejtur se:

– Drejtori i IEVP Vlorë, pa asnjë arsye të përligjur dhe pa asnjë njoftim, nuk paraqitet në detyrë prej disa ditësh. Kjo sjellje përbën braktisje të detyrës dhe është administrativisht dhe penalisht e dënueshme.

– Drejtori i IEVP Fushë-Krujë, nuk ka menaxhuar në mënyrë efektive stafin nën varësinë e tij, ku janë vërejtur mungesa të pajustifikuara; ka lejuar, nëpërmjet mosveprimit, futjen e sendeve të ndaluara në institucion, ku përfshihen jo vetëm telefona celular, por edhe pije të ndryshe alkoolike;  ka lejuar, nëpërmjet mosveprimit, shkeljen e rregullave mbi oraret e regjimit të brendshëm, duke shkaktuar kaos në institucion, si dhe duke rrezikuar sigurinë; ka shkelur rregullat mbi kontraktimin e operatorëve tregtar që veprojnë brenda IEVP; si dhe ka shkelur rregullat e takimeve të lejuara midis të burgosurve dhe familjarëve të tyre, si dhe rregullat e akomodimit të të dënuarve.

Gjithashtu po sot, z. Bardhi ka urdhëruar emërimin e drejtuesve të rinj të sistemit të burgjeve dhe konkretisht të Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, dhe drejtuesve të 8 IEVP-ve (Tropojë, Burrel, Fier, Rrogozhinë, “Jordan Misja”, Lezhë, Vlorë dhe Fushë-Krujë), si dhe drejtuesve të rinj të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Durrës, Shkodër, dhe Sarandë).

Ministria e Drejtësisë është duke monitoruar nga afër veprimtarinë e të gjitha institucioneve të varësisë së saj, dhe në ditët në vijim do të informojë opinionin publik me rezultatet e këtij monitorimi. Ministri i Drejtësisë z. Bardhi gjen rastit të paralajmërojë çdo zyrtarë që të mos përdorë funksionin publik për qëllime politike, sepse do të përballet me pasojat e këtij veprimi të paligjshëm, jo vetëm administrativisht, por edhe penalisht. Deri më tani janë në verifikim dhe proces dokumentimi raste të shumta, ku për qëllime politike, po përdoret veprimtaria e administratës shtetërore.

Ministria e Drejtësisë fton çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve, duke qenë garant i zbatimit korrekt të ligjit.

Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo veprimtari politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Please follow and like us: