Albspirit

Media/News/Publishing

Vehbi KAJTAZI: Gëzuar vdekjen tënde Lavdrim

Sot të gjithë duhet të jemi të gëzuar. Monstra nga Kaçaniku nuk do të ketë më mundësi të pres koka fëmijësh. Të vras njerëz me zollë të lidhur për shtyllash elektrike. Të përdhunojë gra e vajza të pafajshme.

Një burrë i luajtur mendsh kthehet në shtëpi. Së pari rrah gruan. Pastaj nënën. Djali përpiqet t’u dalë në ndihmë gjyshes dhe nënës së tij. Burri i luajtur mendsh rrah edhe djalin. Situata përshkallëzon deri në atë pikë saqë burri nxjerr armën. Krejt familjen e tij merr peng.

Fqinjët dëgjojnë zhurma. Lajmërojnë policinë. Forcat e rendit dalin pak me vonesë në vendin e ngjarjes. Trokasin në derën e shtëpisë së familjes që mbahet peng nga burri i luajtur mendsh.

Policia, hape derën – sinjalizojnë forcat e rendit.

Një e shtënë dëgjohet nga brenda. Patrulla policore kërkon forca shtesë kur merr vesh se nuk është rendi që të hapet dera nga brenda. Ulërimat e familjarëve të burrit të luajtur mendsh dëgjohen jashtë.

Njësitet speciale të Policisë provojnë të negociojnë me burrin e luajtur mendsh. Pa sukses. Ai refuzon të dorëzohet. Forcat e rendit bëjnë planin operativ. Thyejnë derën e shtëpisë. Ndodhen përballë burrit të luajtur mendsh i cili mban të mbërthyer në krah djalin e tij teksa revolen nuk ia heq nga koka.

Njësitet speciale nuk kanë rrugë tjetër pos ta qëllojnë burrin e luajtur mendsh. Një e shkrepur plumbi çan kokën e pengmarrësit anë për anë. Djali shpëton pa lëndime fizike të rënda.

Vdekjes së burrit të luajtur mendsh i gëzohen të gjithë: njësitet speciale, bashkëshortja e tij, djali i marrë peng. Madje edhe nëna e pengmarrësit.

Rastet kur dikush i gëzohet vdekjes së dikujt janë të rralla. Një gëzim të tillë besoj se sot po përjeton populli i Kosovës për vdekjen e terroristit nga Kaçaniku, Lavdrim Muhaxheri.

Prej vitit 2013, Muhaxheri ka zënë faqet e para të gazetave të botës. Terrorist shqiptar që vret civilë dhe pret në fyt fëmijë – e cilësonin atë.

Muhaxheri, një i ri nga Kaçaniku ishte njëri prej të parëve kosovarë që i ishte bashkuar ISIS-it në Siri. Rrugën për “në tokën e Shamit” e kishte zbuluar nëpërmjet Naman Demollit, një tjetër kosovar nga Prishtina i vrarë atje.

Ditë pas dite, e muaj pas muajsh, grupi i të parëve që përbëhej prej 20 terroristësh kosovarë, shkonte duke u rritur. Lavdërimi mbante namin e udhëheqësit të tyre.

Me çmenduritë e tij, ai dhe të tjerët nuk i shkaktuan dëm vetëm vetës dhe familjeve të tyre, por gjithë Kosovës. Sa herë që flitej për ekstremizmin në rajonin e Ballkanit, Lavdrim Muhaxheri zinte hapësirën më të madhe, krahas Azem Sylës dhe shokëve të tij kur raportohet për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë.

Lavdërimi nuk jeton më. Ky është një prej lajmeve më të mira që kanë ardhur nga Siria. “Lavdia” e këtij monstrumi ka marrë fund me konfirmimin zyrtar se terroristi numër një shqiptar është vrarë.

Sot të gjithë duhet të jemi të gëzuar. Monstra nga Kaçaniku nuk do të ketë më mundësi të pres koka fëmijësh. Të vras njerëz me zollë të lidhur për shtyllash elektrike. Të përdhunojë gra e vajza të pafajshme.

Sot të gjithë duhet të jemi të gëzuar sepse terroristi i dalë prej gjirit tonë nuk do të mund të zë faqet e para të gazetave për krimet tjera që do të mund të kryente.

Ai deshi lavdinë prej terroristi. E pati atë. Ai deshi të vdes si “shehid”. I tillë tashmë është për të gjithë ata që mendojnë si ai. Ai tashmë ka nisur “jetën seksuale” me 72 virgjëresha në xhenetin e synuar.

Sot duhet të festojmë për vdekjen e tij. Për “jetën e përjetshme” të tij.

Gëzuar Lavdrim!

Vafsh në xhehenem. Ti aty e ke vendin në zjarrin e tij.

Sot, do të festoj për vdekjen tënde. Do të ngre dolli duke të uruar që zjarrin e ndëshkimit ta përjetosh në mënyrën më të rëndë, ashtu siç e ka përjetuar fëmija i pafajshëm tehun e thikës tënde në fyt, teksa i merrje jetën.

Gëzuar Lavdrim!

Please follow and like us: