Bedri Blloshmi: Mbi krimin shtetëror të 13 qershorit 1977
Shpallja e një krimi shtetëror
13 qershor 1977, ora 10:00
Dita e fundit pas një jave me seanca para dhe mbas dite. Kjo bëhej për të reklamuar “grupin armiqsor” të Bërzeshtës. Ishte data 6 qershor që filluan të na nxirrnin nëpër qytet me një makinë të zbuluar lidhur dy e nga dy. Na kishin vendosur në godinën e quajtur ‘Shtëpia e kulturës’. Në të dyja anët e rrugës kishte plot njerëz të ardhur nga fshatrat e largëta, me sa dukej i kishin thirrur për ditën e vendimit. Ata ecnin prapa makinës në dy krahët e bulevardit. Në dorë mbanin parrullat “Luftë kundër armiqve të klasës”, “Kulakët në litar”. Këta njerëz të rreckosur ecnin duke u penguar njëri me tjetrin dhe përpara kësaj turme ecte prokurori Qani Lavdari dhe gjykatësi Subi Sulçe. Të dy këta mbanin nga një deng me letra në dorë. Ecnin të qeshur dhe herë pas here përshëndetnin këta fshatarë të ardhur prej larg. U bënte me shenjë të thërrisnin e të ngjireshin duke thënë “Ne mbrojmë fitoret tona”.
Sapo zumë vend në sallë përpara nesh zuri një vend prokurori me gjyqtarin. Mbrapa nesh ishin të ftuar, pa diskutim njerëz të zgjedhur që mbanin ftesat në dorë, ndërsa turma ngeli pas derës. Të gjithë sa ishin, u ngritën në këmbë. Fjalën e mori gjytari Subi Sulçe duke ulëritur.
Vendim
Sot në datën 13 qershor në Librazhd gjykata dënon me vdekje-pushkatim, Genc Bardho Lekën po ashtu, dënon me vdekje-pushkatim, Vilson Sami Blloshmi. Gjyqin e deklaroj të mbyllur. Mblodhën fashikujt e letrave dhe dolën jashtë.
Na prangosën përsëri dhe na çuan në qeli. Tani Genci me Vilsonin do të lidheshin këmbë e duarpër sakohë që do vinte përgjigja nga Gjykata e Lartë. Vapa përvëluese e qershorit ishte një tjetër torturë. Djersa dhe era e keq e të dënuarve na bënte shpesh here provokime të vjellash. Tri here në ditë mëngjes-dreke-darke do të dëgjoja zhurmën e zinxhirëve të këmbëve të Gencit nëpër korridor deri tek dera e banjës, e cila ishte përpara dhomës ku isha unë. Sapo Genci mbërrinte tek dera e banjës nëpërmjet zhurmës së hekurave lidh e zgidh dëgjoja të kolliturat e tij që vetëm ai i bënte nga ne.
Kështu i kthehesha dhe unë, po ashtu me kollitje. Kjo ndodht edhe me Vilsonin, prapë me të kollitura teksa vinte dhe ikte ne banjo. Kjo gjëndje zhurmuese e zinxhirave dhe sinjali me të kolliturat e tyre m’u bënë kronike. Kjo zhurmë tregonte se akoma pritej për lajmin; a do të vinte jeta… apo vdekja?
Sa dite duhet të vazhdonte kjo gjendje? A do ketë zemra prej mishi atje lart, në majat e Olimpit, të dridhet kur të lexojë kërkesat e familjarëve dhe në veçanti të dy nënave që luten e përgjërohen duke kërkuar faljen e jetës së djemve? Ata vazhdojnë presin lidhur kokë e këmbë…
Në protokollin e mbajtur me 28 prill 1977 nga sekretariati I Komitetit të Partisë së rrethit të Librazhdit ishte marrë vendimi që Genci dhe Vilsoni të konsideroheshin si kryetarët e grupit dhe të dënoheshin me vdekje-pushkatim. Po në të njëjtën date gjyqtari Subi Sulçe hartoi një plan masash ku në faqen nëntë në gërmën ‘G ‘ai thotë tekstualisht: “Mbi jehonën që ka bërë ky gjyq në gjithë rrethin e Librazhdit dhe pjekuria politike dhe ideologjike që manifestuan pjesëmarrësit në gjyq”.
Në gërmen GJ: Mbi diskutimet e pjesëmarrësve në gjyq për dënimin capital të dy të pandehurve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.
V ë r e n
Të pandehurit GencLeka, Vilson Blloshmi, Bedri Blloshmi e Rustem Dashi rrjedhin nga familjet e çifligarëve e bejlerëve të zones së Qukësit e të Mokrës që kanë patur para çlirimit pjesën më të madhe të tokave dhe mijëra kokë bagëti, shfrytëzonin e pinin gjakun e popullit. Gjatë luftës nacional-çlirimtare prindërit dhe të afërmit e tyre u lidhën e bashkëpunuan me okupatorin nazifashist dhe me organizatën tradhtare të “Ballit Kombëtar” duke iu kundërvënë kësaj. Kështui ati i të pandehurit GencLeka, BardhoLeka ka marrë pjesë në radhët e “Ballit Kombëtar”. Mbas çlirimit pushteti prap ia fali këtë veprimtari armiqësore por ai nuk e ndërpreu atë. Në 1951 arratiset jashtë shtetit dhe vihet në shërbim të agjenturave të huaja. Jo vetëm kaq, por disa herë me rradhë, në zbatim të detyrave të agjenturave të huaja, ai ka ardhur fshehurazi në fshatrat Bërzeshtë, Stravaj e Mokër, ka zhvilluar një veprimtari të ethshme armiqsore për të ngritur njërëzit e zonave të Qukësit kundër pushtetit popullor. Ky i pandehur edhe pse ishte kundër partia e pushteti popullor e la të vazhdonte të për fundonte shkollën e mesme e pedagogjike të Elbasanit.
Me poezinë “Këngë për miqtë e parë”; në këtë shkrim flet e kujton me nostalgji të madhe për atin e tij BardhoLekën në periudhën që ai ka ardhur disa here fshehurazi në fshat. “Kur unë isha i vogël atëhere, por vitet shkuan e ne s’jemi parë dhe më tej në vargjet e tjera flet se e ka frymëzuar dhe i ka dhënë ideal. Kjo del në vargun, “O ju miq më dhatë një flamur” duke ngritur lart figurën e këtij armiku. Në strofat e tjera është shprehur se këta “miq” kishin pare shumë nga jeta dhe ishin trima me fletë…
I pandehuri tjetër Vilson Blloshmi, figure tjetër kryesore mbas atij të GencLekës në grupin e sabotatorëve dhe BedriBlloshmi, vëllai i tij, rrjedhin nga një familje çifligare bejlere dhe gjatë luftës N.C.L kanë qenë të lidhur me Ballin Kombëtar. Mbas çlirimitshtëpia e tyre vazhdoi veprimtarinë armiqsore kundër pushtetit popullor, duke u kthyer në qendër për strehimin e shumë tradhëtarëve dhe bandave të diversantëve. Kështu në shtëpinë e tyre deri në vitin 1955 janë strehuartradhtarë dhe armiq me damkë. Xhaxhai i tyre, Hasan Blloshmi u arrestua dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. Po ashtu Sami Blloshmi, babai i dy të pandehurve u arrestua 1963 e u dënua me 10 vjet heqje lirie.
Rezikshmeria shoqërore e veprave dhe e secilit autor, që për të pandehurin GencLeka e Vilson Blloshmi janë kokat udhëheqëse të gjithë kësaj veprimtarie kundër-revolucionare. Pormë e theksuarështë rrezikshmëria qoftë e veprës qoftë si person e të pandehurit VilsonBlloshmi si dhe vëllait të tij të pandehurit BedriBlloshmi, që dhe në hetuesi dhe në séance gjyqësore ka mbajtur qëndrim thellësisht armiqsor. I pandehuri Vilson Blloshmi si në hetuesi dhe në gjyq në disa raste manifestoi qëndrim të hapur armiqësor. Lidhur me fajin e tyre ata, Vilsoni e Bedriu u përpoqën t’i shmangen përgjegjësisë duke ngritur lloj-lloj pretendimesh sa të pabazuaradhe absurde.