Ibrahim Vasjari: Diktatura nuk mund të errësojë lavdinë dhe gjakun e pastër të dëshmorëve
Deklaratë në Parlament për 5 Majin
[11 maj 1994 ]
Ashtu si prej shumë vitesh, edhe sivjet u përkujtua me respekt 5 Maji, i caktuar si Dita e Dëshmorëve për të përfaqësuar gjakun e derdhur për Çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Unë, si deputet i Vlorës, si përfaqësues, mbrojtës dhe shprehës i atij shpirti të njohur patriotik të qytetit tim, ku, si në të gjithë Shqipërinë, gjaku i të rënëve është i shenjtë dhe martirët e kombit janë të paharruar, përkulem me respekt të thellë para kujtimit të tyre. Gjithashtu, si përfaqësues i asaj shtrese shoqërore që gjatë këtyre 50 vjeteve ka luftuar dhe është përgjakur me dy diktatura [fashiste dhe komuniste], vlerësoj lart demokracinë shqiptare, si një nga arritjet tona më të mëdha historike që po vë në vendin e tyre të natyrshëm disa nga figurat e ndritura të demokracisë dhe të nacionalizmit shqiptar, të vrarë ose të mohuar nga diktatura komuniste, si: Hysni Lepenica, Shefqet Beja, Zydi Herri, Sheh Karbunara, Skënder Muço etj.
Duke u përkulur para dëshmorëve, ne të gjithë përkulemi para Shqipërisë, përkulemi para gjakut shekullor të kombit tonë të martirizuar. Dhe këtë duhet ta bëjmë pavarësisht nga bindjet politike, pavarësisht nga përkatësia partiake dhe klasore, duke mos u lënë vend spekullimeve të paskrupullta të disa politikanëve amoralë.
Duke i qëndruar gjithnjë besnik kësaj logjike në vlerësimin e të rënëve të Kombit, duke pasur parasysh se partitë janë pjesë, ndërsa Atdheu është e tëra dhe e të gjithëve, dua të shpreh disa obsione të mia për Ditën e Dëshmorëve, parë pa syze partiake, nga një pikë vështrimi që mua më duket më madhore.
Zgjedhja e 5 Majit nga kalendari i Luftës së Dytë Botërore veçon dhe i jep përparësi kësaj lufte ndaj luftërave të tjera të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci duke pohuar kështu tezën komuniste të Enver Hoxhës se kjo “është epopeja më e lavdishme në historinë e popullit shqiptar”. Lufta e Dytë Botërore nuk ka përse të veçohet nga zinxhiri i luftërave shekullore shqiptare, as nga përmasat e përpjekjes, as nga uniteti kombëtar mbi të cilin u ngrit, as nga gjaku i derdhur, as nga problemet sociale dhe kombëtare që zgjidhi. Madje, ndofta i jemi borxhli historisë, sepse kemi filluar ta harrojmë Kaçanikun, Kryengritjen e Kosovës dhe Luftën e Vlorës, pa folur këtu për Skënderbeun e madh, që ia kemi lënë legjendave. Nëqoftëse Lufta e Dytë Botërore pati për ne shqiptarët diçka të veçantë, ajo qëndron vetëm në përmasat e asaj tragjedie që pasoi, duke tradhtuar gjakun e pastër të dëshmorëve që luftuan për një Shqipëri të lirë Demokratike. Gjithsesi diktatura, terrori dhe genocidi i pashembullt komunist që u vendos, nuk mund të errësojë lavdinë dhe gjakun e pastër të këtyre dëshmorëve.
Unë dua të shtroj këtu problemin:
Së pari, a duhet të ketë një ditë dëshmorësh?
Sepse mund edhe të mos ketë. Çdo dëshmor, i cilësdo kohë dhe luftë, ka emrin e vet, ka jetën, luftën dhe vdekjen e vet, të gjitha të veçanta e të papërsëritshme, të denja për t’u kujtuar nga kombi. Bile, përmasat e heronjve jo gjithmonë përcaktohen me urdhra e dekrete. Kombi ka kujtesën e vet. Mjafton të përmendim se kjo kujtesë e ruajti Fishtën, Konicën, Abas Kupin, Hysni Lepenicën e Skënder Muçon, edhe atëherë kur kundër tyre shteti villte urdhra e dekrete të zinj. Unë them se nuk ka ndonjë arsye të fortë që t’i mbledhim të gjithë dëshmorët në një ditë, nuk kemi përse t’u japim atyre një fytyrë, nuk kemi përse t’u caktojmë një kujdestar, cilidoqoftë ky.
Së dyti, nëse do të ketë një ditë dëshmorësh, cila duhet të jetë ajo?
Patjetër që kjo ditë, ngaqë do të kthehet në simbol, duhet të jetë një ditë tipike, një ditë sintezë, që të përfaqësojë të gjitha rëniet. Kuptohet vështirësia për të caktuar një ditë të tillë. Sepse nuk mund të ngrihet në simbol çdo rënie. Për mendimin tim, nga disa pikëpamje, 5 Maji nuk mund të jetë një ditë sintezë, me gjithë respektin e thellë që kam për Qemal Stafën. Natyrshëm lind nevoja që duhen vënë në kandarin e historisë të gjitha luftërat dhe të gjithë heronjtë. Po të futemi tek Lufta e Dytë Botërore, vështirësisë së zakonshme do t’i shtohet edhe një vështirësi tjetër: pasionet partiake, që tek ne janë ndonjëherë aq të pakontrolluara saqë ngrihen mbi interesat kombëtare. Unë psh, do të isha për 7 Prillin, ditën e rënies së Mujo Ulqinakut. 7 Prilli, si dita e parë e okupacionit fashist, është njëkohësisht dita e parë e rezistencës, dita e gjakut të derdhur dhe e prologut të luftës. Në gjithë rezistencën antifashiste shqiptare zor se gjen figurë më domethënëse se atë të Mujo Ulqinakut.
E megjithatë, ky mund të jetë një mendimi im subjektiv.
Përfundimisht, zoti Kryetar, unë mendoj që të krijohet një komision parlamentar ndërpartiak për rishikimin e Ditës së Dëshmorëve, i cili, mbasi të konsultohet dhe me partitë politike që nuk janë në Parlament, të paraqesë para Kuvendit propozimin për variantin më optimal të Ditës së Dëshmorëve. Kjo do të ishte në interes të kombit, në interes të atij uniteti për të cilin disa forca politike flasin shumë.