Albspirit

Media/News/Publishing

Kolonel Pëllumb Zaimi: Rilindja dhe Rama i braktisi ushtarakët

Pëllumb Zaimi, kolonel në rezervë, në intervistën për gazetën “Telegraf”, edhe pse e pranon që tradicionalisht ka qenë votues i PS, meqë e konsideronte parti të Majtë, shprehet i zhgënjyer nga qeverisja e Rilindjes Socialiste, sepse kjo qeveri nuk bëri asgjë për të mbrojtur interesat e votuesve të saj. Përkundrazi, thotë, Kolonel Zaimi, kryeministri Rama i ndëshkoi të varfrit me burgje, edhe kur ata nuk kishin asnjë mundësi ekonomike të paguanin energjinë elektrike. Kolonel Zaimi argumenton se Rilindja Socialiste “ka vendosur zonën e militarizuar të klikës së vet politike përballë ushtarakëve”, duke renditur mosmbajtjen e fjalës për rikthimin e Shtëpisë së Ushtarakëve, mosndërtimin e një shtëpie tjetër për Ushtarakët, për mosdhënien e Statusit për Ushtarakët, mosdhënie të asnjë shërbimi social për ushtarakët, etj.
Zoti Zaimi, sa sociale u dëftua qeveria e Rilindjes Socialiste, meqë cilësohet si qeveri e Majtë?

Sa sociale? Pse më bëni për të qeshur, miku im. Sociale një qeveri është kur është pranë njerëzve, sidomos pranë atyre që të votojnë dhe e mbështetin, por këtë qeveri pseudomajtise unë nuk e kam parë në 4 vitet e saj të ndihmojë votuesit e saj. Unë pashë ndëshkime të varfanjakëve dhe penalizimin e tyre për energjinë, edhe kur ata nuk kanë as bukë të hanë, ngaqë janë të papunë dhe të pandihmë nga shteti, ndërkohë që nuk pashë asnjë personazh politik të vijë dhe të diskutojë për hallet, fjala vjen, të ushtarakëve pa uniformë, ose të atyre pak veteranëve që kanë mbetur dhe që bashkarisht përbëjnë një shumicë mbështetëse të Rilindësve Socialistë. Nuk mund ta quash “Rilindje Socialiste”, sepse të paktën me ne nuk pati asgjë “socialiste”. Karroca rilindëse ecën gjithnjë djathtas dhe kjo aventurë politike do të ketë kosto të lartë që në këto zgjedhje. Unë, si ushtarak votues tradicional i së Majtës, nuk e votoj Rilindjen, sepse kjo ka vendosur zonën e militarizuar të klikës së vet politike përballë ushtarakëve. Ia dhamë votën 27 vjet ne dhe veteranët, por nuk na dha kurrë një status të zbatueshëm. Veçanërisht, veteranët vdiqën, duke shpresuar si të Majtët tek e Majta, por …vdiqën e po vdesin një e nga një nga zeheri i një gjoja të Majte me fustan rozë e me shpirtin blozë.

Sipas jush, përse nuk i përmbushi zotimet ndaj ushtarakëve dhe veteranëve Rilindja Socialiste?

Kjo qeveri e Rilindjes Socialiste, kur nuk ka afrimitet social, nuk mund të ketë as afrimitet politik dhe ekonomik. Me ne, kuazirilindasit janë afruar vetëm 20 minuta në çdo pragzgjedhje dhe janë larguar gjithë kohën tjetër 4 vjeçare qeverisëse. Madje, ky 20 minutëshi me ne dhe veteranët është bërë proverbial, sepse fillon takimi një herë në 4 vjet, paralajmërohemi qysh në fillim të tij, se “kanë shumë punë, prandaj nuk mund të qëndrojnë më gjatë…”! Qesharakë! Ne ju duhemi vetëm sapo të bëjnë filmimin e një kasete që do t’ju dëshmojnë ushtarakëve se gjoja “ na qajnë hallet. Prandaj, miku im Jakup, kjo lloj Rilindje nuk është për ne. Ne “rilindëm” vetëm 20 minuta dhe nuk ekzistojmë për ata hiç fare për 4 vjet, derisa nuk ka asnjë përmirësim ligjor dhe ekonomik, as për ushtarakët, as për veteranët. Nuk jemi përfaqësuar nga Partia Socialiste.

Kryeministri Rama në takimet e tanishme elektorale me pensionistët, thotë se qeveria e Tij rriti pensionet dhe përkujdesin ndaj pensionistëve. Tani, ju e besoni përsëri?

Kryeministri Rama flet me monolog me vetveten dhe kujton se e besojmë edhe ne? Ai nuk kaq asnjë sekondë kohë të dëgjojë t’i themi ne, sa nuk e besojmë më! Ta them unë, çfarë thonë veteranët, sepse jetoj përditë dhe ndajmë hallet tona të përbashkëta. Veteranët dhe ushtarakët thonë se ky kryeministri Rama vazhdon të mburret, se (gjoja) na i rriti pensionet, por ama të gjitha ligjet e trajtimit tonë i ka bërë Saliu. Nuk ka asnjë amendament, apo rishikim të ligjit antiushtarak dhe antiveteran, të cilat janë gatuar nga qeveria e Berishës, nga kjo Rilindje. Kjo është e vërteta, që kryeministri Rama nuk do që ta dëgjojë, sepse nuk i intereson, nga veteranët dhe nga ushtarakët. Jemi akoma në “djepin: e ligjeve të Saliut për ushtarakët dhe veteranët dhe i vetmi ndryshim është se këtë djep ligjesh po e tund tani rilindësi kuazimajtist Edvin Rama. Ec e voto, po deshe! Janë shumë mosmirënjohës, miku im! Janë një gjoja e Majtë, që nuk duan të mbrojnë as elektoratin e vet, sepse pushtetin e duan për të vjedhë për vete. Kësaj Rilindjes i mungojnë Humanizmi dhe Solidariteti. Solidarizmi rilindës shprehet vetëm djathtas dhe kjo duket tek favorizimi ekonomik dhe politik që u bën shtresës të të përndjekurve, të cilët janë shumica e djathtë dhe nuk e voton kurrë Rilindjen. Rilindja vetëdeklarohet Majtas dhe timonin e pret vetëm Djathtas. Një shofer i tillë politik të çon në greminë. Dhe gremina e ndarjes së PS-së nga elektorati i vet, besoj se do të duket në këto zgjedhje, në 25 qershor 2017.

Një nga zotimet elektorale të PS në 2013 ishte se do t’u kthente ushtarakëve Spitalin Ushtarak. Mirëpo qeveria e Rilindjes Socialiste nuk e mbajti këtë premtim. Sipas jush, përse?

PS-ja u bëri shumë premtime ushtarakëve në 2013-n, si psh, do t’u rikthente Spitalin Ushtarak, por tani, pas 4 vjetësh, ju deklaroj, se jo vetëm që ky spital nuk kryen asnjë funksion për mijëra ushtarakë që vuajnë ende nga sëmundje profesionale, por nuk merret vesh pse vazhdon ta quajnë “Spital Ushtarak” apo SHQUP? Aty, të vetmit që nuk marrin asnjë shërbim mjekësor janë ushtarakët. Aty nuk ka një rregull të shërbimit ndaj ushtarakëve, me prioritet për shkak të shërbimit të veçantë që kanë kryer dhe kryejnë ndaj Atdheut. Një njeri që betohet se do të vdesë për Atdheun, duhet të trajtohet në mënyrë specifike, sepse i veçantë është edhe profesioni. Nuk ka asnjë profesion tjetër, përveç ushtarakut, i cili betohet se do të luftojë dhe do të vdesë për të mbrojtur Atdheun. Ndërsa kjo Rilindja Socialiste, betohet para biznesmenëve kilentë të saj, me ligjet që miraton, se u fal Shqipërinë dhe pasuritë e saj. Po ku ha pykë kjo Rilindje dhe Mimi Kotelja nga specifikimi i shërbimit ushtarak në shumë plane? Mili Kotelja di se detyra e saj është të dërgojë mercenarë për të luftuar në vende të ndryshme të Botës dhe kaq! Për 4 vitet e saj si ministre nuk pashë dhe nuk dëgjova kurrë për një politikë ushtarake të kujdesit shëndetësor ndaj ushtarakëve me dhe pa uniform. Dhe politikat ushtarake për çdo fushë të profesionit, të strategjisë dhe të organizimit e veprimit ushtarak janë Detyra numër 1 e Ministres së Mbrojtjes. Prandaj, këtu e shikoj të keqen e Spitalit Ushtarak, që s’merret vesh se kujt i përket. Kodhel Kotelja nuk ka një politikë ushtarake për kujdesin shëndetësor ndaj ushtarakëve, siç e kanë të detyrueshme të gjitha ushtritë e NATO-s dhe të vendeve serioze të botës.

Me qeverisjen e saj Partia Socialiste a mund të pretendojë tani në fushatë elektorale, se është shprehësja dhe mbrojtësja e interesave të veteranëve?

Kjo Qeverisje Rilindje Koncensionare nuk mund të pretendojë aspak se janë shprehëse dhe mbrojtëse e interesave të veteranëve dhe ushtarakëve dhe pasardhësve të tyre. Derisa veteranëve dhe ushtarakëve nuk u jep me ligj statusin që meritojmë, demagogjisë politike të Rilindjes i ka rënë suvaja dhe boja. Edhe në planin psikologjik e politik, Rilindja nuk i ka respektuar, as veteranët. Ka bërë BunkArte për priftërinjtë katolikë, por nuk ka pastruar qoftë edhe një monument të vetëm të LANÇL. Kjo është një e Majtë që ka turp nga tradita e vet Antifashiste. Ose, më keq. E urren të kaluarën e saj Antifashiste, sepse rilindësi që udhëheq, (Edvin Rama) e ka quajtur “Luftë Civile” Luftën Antifashiste në librin e vet “Refleksione”, të shkruar nga viti 1994. As sot, ky që udhëheq Rilindjen, pikëpamjen e tij balliste dhe kolaboracioniste për LANÇL, si “Luftë Civile”, nuk e ka korrigjuar dhe zhbërë! Atëherë, si mund të pretendojnë se janë përfaqësimi politik dhe ideologjik i veteranëve dhe mbrojtës i interesave të tyre? Duhet ta pohoj, që as Saliu nuk ka folur kaq keq për LANÇL sa ka folur Edvin Karabushi. Kjo Parti Socialiste që ka pushtuar Edvin Karabushi ka denigruan Lavdinë e Historisë të LANÇL.

Kthimin e Shtëpisë së Ushtarakëve e premtoi edhe Rama, edhe Mimi Kodhelja, por realiteti pas 4 vjetëve e shikoni si është. Ajo Shtëpi e Ushtarakëve, që mbart shumë histori ushtarake dhe traditë të bukur miqësie dhe kulturore ushtarake, jo vetëm që nuk iu rikthye ushtarakëve, por u betonua akoma më shumë si pronë e PD-së me propagandën e shfrenuar të PS-së, si godinë e shqupizmit pëdëist. Pse duhet lidhur SHQUP-i me pëdëizmin? Pse duhej lidhur historia e lavdishme e asaj godine të ushtarakëve me historinë e karnavalëve e të kriminelëve pëdëistë të shkatërrimit të Ushtrisë? Ja bëri këtë rilindësi socialist, që jo vetëm nuk e rilindi atë shtëpi, por e nxin akoma më tej me historitë e tij pëdëiste, duke e betonizuar pëdëizmin si të lidhur me SHQUP-in. Kështu lidhi ky karabush antihistorik rilindës socialist (Edvin Rama) edhe një vendkomandë të shtatmadhorisë me Enver Hoxhën, i cili pothuajse nuk shkeli kurrë aty. Prapaskena ka shumë bashkëpunimin e rilindaso-pëdëistave dhe këtyre prapaskenave të vjedhjes së Shtëpisë së Ushtarakëve i përket edhe dhurimi ilegal i godinës së SHQUP-it, ose QKU-së. Të dyja partitë e kanë pasur strategji të tyre zhbërjen e Historisë dhe traditës sonë ushtarake dhe kësaj zhbërjeje, apo këtij denigrimi e shtrembërimi të traditës historike e ushtarake i shërbeu edhe falja e SHQUP-it. Imagjinoni pak se çfarë ka ndodhur me këtë Akt. Së pari, godina e një tradite të fuqishme ushtarake i jepet pikërisht Partisë kriminale, që shkatërroi Ushtrinë. Së dyti, u flak nga Historia godina ku kori i Ushtrisë dhe legjendari i muzikës partizane Gaqo Avrazi kanë bërë epopenë e përpunimit të kësaj kënge aq të bukur dhe frymëzuese. Dhe, së treti, nga ajo shtëpi kanë dalë në shtrat topi drejt Varrezave të Dëshmorëve shumë nga heronjtë më të lavdishëm të Shqipërisë. Kjo memorie u shkatërrua. Dhe në këtë shkatërrim të historisë ushtarake të Shqipërisë, ndihma e rilindësve socialistë është bashkëfajtore, kriminale. As që bëhet fjalë për një Shtëpi tjetër për Ushtarakët, në këmbim të SHQUP-it. Komuniteti i ushtarakëve nuk ka tashmë një mjedis të vetin, ku të mblidhen për shqetësimet e veta. Nuk kanë qendër, siç kanë të gjitha ushtritë e NATO-s, veçanërisht ushtria turke dhe greke, për të cilat kam shumë dijeni, se ato Shtëpi të ushtarakëve janë tepër të fuqishme dhe mbështetëse sociale e financiare të ushtarakëve të çdo kategorie. Politikës rilindëse, ashtu si asaj pëdëiste, nuk i intereson përqendrimi i ushtarakëve në një Shtëpi. Nuk iu intereson bashkimi i tyre. Përça e sundo, kështu duan! I duan të përçarë, të mos merren vesh me njëri-tjetrin, sepse do të jenë të shpërndarë. Ja, këtu “fle” qëllimi pse Edvin Rama dhe pasardhësit e tij në qeverisje pretendojnë Shtëpi e gradaçiela për ushtarakët nëpër fushata elektorale, dhe, sapo mbaron dhe ata vjelin votat tona, i shpërblejnë me Noc Rrokun. Shkurt, qeveritarëve nuk u intereson një krijesë e tipit të Familjes së Ushtarakëve. I duan kokrra-kokrra, pa zarar për interesat e tyre politike.

(Marrë me shkurtime)

Please follow and like us: