Mjerimi dhe pafytyrësia e një rektori “dixhital”
Kurrë nuk e kisha menduar se do të shkruaja për një koleg, rektor i njërit prej universiteteve shtetërore në vendin tonë, edhe pse nuk e njoh se cili është ai. Po kështu, kurrë nuk e kisha menduar dhe, aq më pak, dëshiruar, që të shkruaj për një drejtues universiteti në mënyrën siç po nis të shkruaj këto radhë. Nga titulli që zgjodha, lexuesi e kupton se jam i shqetësuar dhe i revoltuar për sa dëshiroj të ndaj me të më poshtë, dhe jo pa arsye.
Shkas për të shkruar këto radhë u bë një status i ish-kryeministrit Sali Berisha ne Facebook, për të cilin më informoi një kolegu im, edhe ai rektor i njërit prej universiteteve tona. Statusi i z. Berisha niste me këto fjalë: “Kjo është autonomia e universiteteve në Narko-republikën e Noriegës”. Z. Berisha pohon se ka marrë një mesazh nga një “pedagog dixhital”, i cili i ka “dëshmuar” për një situatë skandaloze, që gjoja u krijua të enjten e javës së shkuar, më 8 qershor, në Konferencën e Rektorëve të shkollave të larta, që u mblodh atë ditë. Mbështetur në “informacionin” e paverifikuar të këtij personi “kibernetik”, jo të gjallë e jotokësor, dhe në asnjë dëshmi tjetër, z. Berisha i kërkon Ministres në detyrë të Arsimit shkarkimin e menjëhershëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, zotit Plarent Ndreca, duke e akuzuar atë për “presion kriminal mbi rektorët e universiteteve”.
Ndërgjegjja ime, si një qytetar i këtij vendi, si një intelektual dhe profesor që, në cilësinë e Rektorit të njërit prej universiteteve private në vend, isha i pranishëm në konferencën e sipërpërmendur të rektorëve, më detyron të mos hesht, por të flas, të shpjegoj e të denoncoj qëndrimin e kolegut tim “rektor dixhital”, kushdo që është ai.
Nuk dëshiroj të merrem me statusin e z. Berisha në Facebook. Atij aq i thanë, aq tha. Ajo që më habit është se, ky njeri, edhe sot, kur nuk është më as president, as kryeministër i këtij vendi, siç ka qenë për 13 vite me radhë, dhe as kryetar i partisë më të madhe opozitare sot, siç ka qenë për afro njëçerek shekulli, vazhdon të sillet sikur të ishte në pushtet, duke urdhëruar një ministre që të shkarkojë Sekretarin e Përgjithshëm të dikasterit të saj, duke bërë presion mbi Prokurorinë e Përgjithshme dhe mbi institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Por, ajo që më habit edhe më shumë në këtë rast është fakti që, një rektor, pra një njeri, i cili supozohet të jetë intelektual, të ketë integritet moral dhe një mendje të hapur, i “qahet” një ish-kryeministri, madje duke e mashtruar atë në mënyrën më të paskrupullt. Nuk kam se si ta di se cilin universitet përfaqëson ky rektor “dixhital” – ndoshta universitetin e Domosdovës, apo atë të Rrogozhinës (të cilëve, Noli ynë i madh u bëri vend në përkthimin mjeshtëror prej tij të vëllimit të parë të Don Kishotit), ose ndoshta universitetin e Roskovecit, atë të Mësiçkës apo të Maminasit.
Kjo, sidoqoftë, ka fare pak rëndësi. Mua e gjitha kjo më duket si një gjëndje orwelliane, një realitet i frikshëm dhe ogurzi për një shoqëri që pretendon të jetë e hapur e demokratike. Prandaj, këtu dua të merrem me “rektorin dixhital” dhe do të kisha dashur të debatoja me të hapur e ballë për ballë, madje publikisht. Do të kisha dashur, pra, të debatoja me individin, me profesorin, me rektorin që ai përfaqëson dhe jo me një hije që i ngjan hafijeve të dikurshme të Sigurimit të Shtetit, apo një agjenti të Stasit apo të KGB-së. Por, ngaqë ky individ nuk ma jep këtë mundësi, pasi ai ekziston vetëm në hije e fshehtësi, në cyberspace dhe jo në hapësirën publike në të cilën jetojmë e veprojmë, detyrohem t’i drejtohem atij në vetë të dytë, me “ju”, cilido qoftë ai.
Sidoqoftë, dëshiroj më parë të ndaj me publikun “dëshminë” që ky rektor i paemër dhe i pafytyrë i ka ofruar z. Berisha. Këtë informacion e ka postuar në Facebook, pra e ka bërë një fakt publik, vetë ky i fundit. Unë e riprodhoj këtu pa i korrigjuar gabimet e shumta ortografike të tekstit të “pedagogut dixhital”, për të cilat ai do të duhej të kishte mbetur në klasë në shkollë të mesme. Teksti i tij vijon i plotë më poshtë:
“Doktor ju pershendes. Ndaj me ju shqetesimin qe nderkohe qe Ministrja e re e Arsimit po merret me mbikqyrjen e zgjedhjeve dhe parandalimin e perfshirjes se mesuesve, Plarent Ndreca po ben fushate i pari ne ate ministri. Dje dhe sot, ky njeri, me urdher te Edi Rames ka mare dhe kontaktuar cdo rektor te universiteteve publike dhe private qe ne mbledhjen e sotme te Konferences se Rektoreve ata te zgjedhin njeriun e tyre, socialistin e thekur Rektor te Mjeksise Tirane Arben Gjata. Universitetet private jane nxehur me kete njeri i cili eshte nje kamikaz qe nuk kandidoi dot ne fushate sepse eshte ne ndjekje penale nga prokuroria. Mbledhja e konferences se rektoreve po kalon ne nje tension te madh per shkak te presioneve politike dhe banditeske te Plarent Ndreces ky Arben Gjata eshte ai doktori qe i rregullon vizitat e nates ne QSUT Edi Rames qe te ngjajne si te papritura per te reklamuar pseudoreformat ne shendetesi e shtyne mbledhjen sepse universitetet private nuk pranuan te shqyrtojne kandidaturen e tij dhe propozimin qe vota e universiteteve publike te kete mbivlere nga ato te privatit”.
Kjo është e tëra. Jo e tërë e vërteta, por gënjeshtra më e madhe që kam dëgjuar ndonjëherë në këto 62 vite të jetës sime për një ndodhi, të cilën e kam përjetuar vetë, nga fillimi në fund, madje duke qenë aktiv në disktutimet që u bënë në atë konferencë. Për këtë arsye edhe i shkruaj këto radhë. Dhe, për sa kohë që ky rektor mbetet një “qytetar dixhital”, pa emër e pa fytyrë, edhe pse tërë sy e veshë për të spiunuar, ndiej një përgjegjësi morale e profesionale që të ndaj me kolegët e mi rektorë, me pedagogët dhe studentët e universiteteve tona, si dhe me publikun e gjërë, atë çfarë unë mendoj për gënjeshtrën e tij dhe për atë vetë, si person, të zhveshur nga maska e turpshme me të cilën ka mbuluar fytyrën e tij. Këtij “rektori” i them sa më poshtë:
Ju, zoti “pedagog dixhital”, cilido qoftë emri juaj dhe kudoqoftë shkolla e lartë që ju ka zgjedhur në postin e rektorit, jeni një little man, një njeri i përvuajtur e frikacak, i paaftë për asgjë. Ju, me siguri, nuk keni as shokë, as miq, pasi ata i tremben malinjitetit tuaj. Ju nuk dini të qeshni e as të jetoni ndershmërisht, me punën tuaj. Unë e imagjinoj fare mirë se si ju keni mundur të bëheni rektor.
Ju, zoti “rektor dixhital”, mund të keni vërtet aftësitë dhe talentin për t’i shërbyer çdo autoriteti represiv, që do të ishte në rolin e Big Brother-it, por ju nuk keni mendimin tuaj dhe as keni aftësinë që të kuptoni kohën në të cilën jetojmë. Ju nuk jeni një njeri i lirë dhe, për këtë arsye, ju tremb liria e tjetrit. Ju jeni një qënie mjerane, e padenjë për detyrën që kryeni.
Ju, zoti “çfarëdo dixhital”, jeni një mashtrues i rëndomtë, një servil i përbuzur për këdo që ka mundur t’ju njohë përpara se të transformoheshit në një “qënie dixhitale” dhe për këdo që, me siguri ka vuajtur pasojat e intrigave tuaja. Ju jetoni me gënjeshtra dhe jeni vetë një gënjeshtër e madhe.
Ju, zoti “anonim i dixhitalizuar”, nuk dini se ç’është turpi, as nderi, as puna, as merita. Njerëz si ju (sepse kam njohur edhe të tjerë që ju ngjajnë, por jo deri në këtë masë), më krijoni përshtypjen se çdo gjë që mund të keni përfituar në jetë, ose në karrierën tuaj e keni marrë në mënyrë të paturpshme, të pandershme, pa punë dhe pa meritë.
Më vjen turp që detyrohem të shkruaj për një njeri si ju, por edhe pse publiku nuk do të mundet dot ta mësojë nga ky shkrim se cili jeni ju në të vërtetë, ç’fytyrë dhe ç’emër keni, e gjykoj të rëndësishme që anonimëve si ju, t’u nxirret boja. Shumë njerëz të ndershëm, punëtorë e të aftë kanë vuajtur e vuajnë në kurrizin e tyre dhe në familjet e tyre maskarallëqet e njerëzve si ju.
Pse ju quaj të tillë, siç ju përshkrova më sipër? Si një indiv të rrezikshëm për të mirën publike. Sepse dua të zbardh të vërtetën e asaj që ndodhi javën e shkuar në Konferencën e Rektorëve të institucioneve të arsimit të lartë, në të cilën mora pjesë edhe unë (së bashku me rreth 30 kolegë të nderuar, rektorë të shkollave tona të larta, shtetërore e private), edhe ju, rektori i vetëm “dixhital” dhe i pafytyrë mes nesh.
Dhe, ndërsa shumica prej nesh, kolegëve të tu njerëzorë e jo “dixhitalë”, diskutonim të preokupuar për të përmirësuar projektin e Statutit të këtij organi kolegjial, që ai t’ju përmbahet kërkesave të Ligjit për Arsimin e Lartë, por edhe nevojës për të zgjeruar autonominë e universiteteve, ju, “dixhitali” mes nesh, i shkruanit Sali Berishës duke i komunikuar gjëra krejt të pavërteta. Sepse të vërtetat e asaj mbledhjeje nuk janë ato që ju, me servilizmin tuaj të neveritshëm, i shkruanit z. Berisha (kuptohet pse atij dhe jo një tjetri), duke e dezinformuar atë. Të vërtetat e asaj mbledhjeje, ndryshe nga sa shpifni ju, janë këto:
(1) As Edi Rama dhe askush tjetër, në emër të tij, nuk kanë marrë mundimin të kontaktojnë rektorët e universiteteve publike ose private, për t’u kërkuar atyre që, në krye të Konferencës së Rektorëve të zgjidhej “socialisti i thekur” Arben Gjata, rektori aktual i Universitetit të Mjekësisë. Kjo nuk ka ndodhur as me mua, si një prej rektorëve të universiteteve të këtij vendi, as me ndonjë prej kolegëve të mi rektorë, që i pyeta pasi lexova raportin tuaj të fshehtë, zoti “rektor dixhital”, për Sali Berishën.
(2) Për shkak se kryetari i përkohshëm i kësaj konference, rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Mynyr Koni, e mbylli mbledhjen pas miratimit vetëm të pesë neneve të para të projekt-Statutit të këtij organi kolegjial, i cili përmban 17 nene, nuk u arrit që të vendosej se cilat do të jenë parimet dhe modalitetet e votimit. Për rrjedhojë, asnjë emër nuk u propozua si kandidat për funksionin e kryetarit të Konferencës së Rektorëve, madje kjo çështje as nuk u shtrua për diskutim, për shkak se:
(3) Rendi i ditës së asaj mbledhjeje, siç ishim njoftuar paraprakisht me email, më 6 qershor, nga sekretarja e Rektorit të Universitetit të Tiranës, F.B., përmbante vetëm dy çështje: (a) shqyrtimin dhe miratimin e Statutit të Konferencës së Rektorëve dhe, (b) propozime për anëtarë të Bordit të Institutit për Studimin e Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit në Shqiperi nga radhët e akademikëve, sipas kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë.
(4) Asnjë prej rektorëve të pranishëm në atë mbledhje, as nga universitetet shtetërorë, as nga ata privatë, nuk “u nxehën” me Rektorin e Universitetit të Mjekësisë, të cilin, ju, zoti “askush dixhital”, e quani një “kamikaz që nuk kandidoi dot në fushatë”. Së pari, askush nga ne nuk kishte asnjë motiv “të nxeheshim” me një kolegun tonë të nderuar. Së dyti, me pohimin tuaj të mësipërm, ju dëshmoni qartazi një zell të madh politik, si dhe pasionin tuaj të sëmurë për të shpifur, sipas parimit për të cilin na kujton Francis Bacon, “shpif, shpif se diçka do të mbetet” (audacter calumniare, semper aliquid haeret). Më lejoni t’ju them, zoti “rektor dixhital”, se duke përgojuar emrin e njërit prej kolegëve tuaj, ju harroni se me këtë mund të zbuloni identitetin tuaj, si një rival për funksionin e kryetarit të Konferencës së Rektorëve.
(5) Mbledhja në fjalë nuk njohu asnjë lloj “tensioni të madh” dhe, aq më pak, “për shkak të presioneve politike e banditeske të Plarent Ndrecës”, siç i raportoni ju “Doktorit”. Në të, thjesht u debatua mes kolegësh të barabartë për të gjetur formulimet më të sakta – dhe në përputhje me ligjin – për hartimin e të gjitha neneve të Statutit të Konferencës së Rektorëve. Natyrisht që pati edhe debat. Debati në të tilla raste është jo vetëm i natyrshëm, por edhe i domosdoshëm. Por ju, zoti “s’di-kush-jeni dixhital”, debati ju tremb, sepse përderisa merreni me skuthllëqe të tilla, do të thotë se jeni i paaftë të merrni pjesë në një debat konstruktiv me kolegët tuaj.
(6) Duke i raportuar z. Berisha se, “ky Arben Gjata është ai doktori që i rregullon vizitat e natës në QSUT Edi Ramës që të ngjajnë si të papritura për të reklamuar pseudoreformat në shëndetësi”, ju, zoti “rektor-spiun dixhital”, na njihni me një tipar esencial të karakterit tuaj. Mua më vjen turp që ju dhe unë bëjmë pjesë në të njëjtin grup njerëzish që drejtojnë universitetet e këtij vendi, sepse ju nuk i përkisni këtij forumi njerëzish të nderuar e të respektuar në shoqërinë tonë. Ju jeni një lajm ogurzi për arsimin e lartë dhe shkencën shqiptare, përderisa merreni me gjëra të tilla. Por mua më vjen edhe më keq për ata kolegë që punojnë me ju, ose nën autoritetin tuaj dhe, sidomos, për ata mijëra studentë që ju kanë juve rektorin e universitetit të tyre.
(7) Ju mashtroni në mënyrën më të shëmtuar kur në sms-në tuaj i “rrëfeheni” zotit Berisha se mbledhja e rektorëve u shty “sepse universitetet private nuk pranuan te shqyrtojne kandidaturen e [z. Gjata] dhe propozimin qe vota e universiteteve publike te kete mbivlere nga ato te privatit”. Kjo, si çdo gjë tjetër që ka prodhuar truri juaj i sëmurë dhe sms-ja juaj, është një shpifje kolosale. Askush nga rektorët pjesëmarrës në atë mbledhje nuk kërkoi ndërprerjen apo shtyrjen e saj. Këtë e bëri drejtuesi i asaj mbledhjeje, Prof. Koni, në cilësinë e kryetarit të përkohshëm të Konferencës sonë. Dhe ky i fundit e ndërpreu mbledhjen në mënyrë krejt të papritur dhe arbitrare, pa marrë pëlqimin e askujt.
Këto, zoti “rektor dixhital”, janë të vërtetat e asaj mbledhjeje. Unë jam i sigurt se, në mbledhjen e radhës të Konferencës së Rektorëve, ju, nëse do të keni sy e faqe të merrni pjesë në të, të përshëndesni e t’u shtrëngoni duart kolegëve tuaj, do të gaboni patjetër në ndonjë farë mënyrë duke e dekonspiruar identitetin tuaj. Njerëzit si ju e kanë të shkruar në ballë se cilët janë. Sado që të përpiqeni ta fshihni malinjitetin dhe identitetin tuaj, ju jeni lehtësisht të identifikueshëm në grup, njëlloj siç ishin informatorët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit.(DITA)