BE nis veprimet ligjore kundër Hungarisë, Polonisë dhe Republikës Çeke
Komisioni Evropian ka nisur veprimet ligjore kundër Republikës Çeke, Hungarisë dhe Polonisë, pasi të njejtat kanë refuzuar të strehojnë refugjatë në vendet e tyre.
Në vitin 2015, Bashkimi Evropian, ka vendosur të pranojë rreth 160,000 refugjatë, të cilët do të shpërndaheshin në kuota nëpër vendet anëtare. Mirëpo ky detyrim ligjor u përball me rezistencën e disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Polonia dhe Hungaria ende nuk kanë pranuar asnjë refugjat. Republika Çeke gjatë vitit të kaluar ka pranuar 12 të tillë, mirëpo gjatë këtij muaji ka bërë të ditur se do të largohet nga marrëveshja duke përmendur çështjet e sigurisë.
“E them me keqardhje se pavarësisht thirrjeve tona, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia nuk e kanë aplikuar detyrimin ligjor”, ka thënë komisioneri i BE-së për migrim, Dimitris Avramopoulos në Stasburg.
“Për këtë arsye Komisioni Evropian ka vendosur që të nis procedurat për shkeljet që kanë bërë këto tri vende”, ka shtuar Avramopoulos.
Kryeministri çek, Bohuslav Sobotka i ka kundërshtuar menjëherë masat e komisionit.
“Komisioni Evropian këmbëngul verbërisht që të shtyjë përpara kuotat jofunksionale të cilat më pas ulin besimin e qytetarëve në aftësitë e BE-së”, ka deklaruar ai.
Hungaria dhe Sllovakia, të dyja ndaras kanë kundërshtuar mekanizmin për strehim në gjykatën e lartë të BE-së. Opinonet e para për këtë çështje, pritet të bëhen muajin e ardhshëm.