Një përdorues i Facebook në Pakistan dënohet me vdekje
Një burrë i akuzuar për postim të përmbajtjes blasfemike në Facebook u dënua me vdekje nga një gjykatë në Pakistan.
Taimoor Raza, 30 vjeç, u shpall fajtor për, siç u tha, postim të komenteve për Profetin Muhamed dhe gratë e tij.
Rasti i tij u dëgjua në një gjykatë në qytetin Bahavalpur, rreth 500 kilometra larg kryeqytetit Islamabad.
Prokurori i rastit tha se është hera e parë që dënimi me vdekje u shqiptua për një rast që lidhet me mediat sociale.
Grupet e të drejtave të njeriut janë shprehur të shqetësuara, ndërsa Facebook nuk e ka komentuar ende rastin konkret.
Facebook, në muajin mars, ka thënë se do të zhvillojë një ekip në Pakistan për t’i adresuar shqetësimet e qeverisë për përmbajtjen blasfemike, por ka shtuar se favorizon mbrojtjen e privatësisë së anëtarëve të tij.
Kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif, e ka cilësuar blasfeminë si “vepër të pafalshme”.