Sadik Bejko: UJKU
Te mali, te mjegullat, te dimrat,
ndër ujq që netëve ulërijnë,
Kam radhën: vë kujën.
Jam unë ujku tani.
Larg nga bijtë,
larg nga kapronj e mëshqerra
në flakë të squfurt rrufeje, në uri
netëve, ulërij.
Ngulur pyllit si gjilpërë,
ulërima (porsi unë) ikën me veshët lart,
me bisht në shalë,
rrafsh pyllit në brymë,
U u u u…!
zbret prej hejeve të akullit
te dhoma me zjarr
i futet fëmijës në gjumë.
Ai në lebeti: ati im,
Ujku, ujku, ku je ati im?
Pas vitesh ky fëmija,
(s’e harron atë natë),
I thinjur si një pyll me borë,
në mungesë, në hungërimë
endet në mug e mjegulli.
Ulërin.
Ka radhën
tani ujku është ai.
Kujën time ka të ngulur në grykë
ditëve –
Nuk e dëgjon njeri.
Natën si në fëmijëri
për lebeti, pa zë këlthet:
ati im,… ku je, ati im?
Hapësirat para i kyçen në cingërimë.
Lart te mali, te mjegullat
Një tjetër ulërimë…