Albspirit

Media/News/Publishing

Gjin Gjoni, padi 11 milionë lekë kundër medias: Më shkaktoi “vuajtje shpirtërore”

Me pretendimin se shkrimet e medias mbi hetimet dhe gjykimet e ndryshme mbi pasurinë e tij dhe të familjes së tij i kanë shkaktuar dëm moral, gjyqtari Gjoni dhe bashkëshortja e tij kanë ngritur  padi kundër BIRN, 4 gazetarëve dhe 1 gazete të përditshme, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 11 milionë lekësh në total.

Autor:Gjergj Erebara BIRN Tiranë

Gjyqtari Gjin Gjoni | Foto: LSA

Me pretendimin se raportimet mbi hetimet penale dhe vendimet gjyqësore përkatëse mbi pasurinë e tij familjare i kanë shkaktuar cënim të imazhit, dëm jomaterial dhe dhimbje e vuajtje shpirtërore, gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi ngritën një padi ndaj Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, BIRN Albania si dhe ndaj gazetarëve Besar Likmeta e Aleksandra Bogdani. BIRN mësoi gjithashtu se Gjoni ka ngritur një padi të ngjashme ndaj një gazete të përditshme dhe 2 gazetarëve të saj.

Duke iu referuar tre shkrimeve të publikuara nga BIRN Albania në publikimin e vet në internet Reporter.al, Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi pretendojnë se u është cënuar nderi dhe dinjiteti si dhe u është shkaktuar dëm jopasuror dhe për këtë arsye kërkon dëmshpërblim të përgjithshëm prej 7 milionë lekësh nga BIRN Albania dhe dy gazetarët. Gjoni kërkon gjithashtu një dëmshpërblim prej 4 milionë lekësh nga një gazetë e përditshme dhe 2 gazetarët e tjerë në një çështje paralele.

BIRN Albania bën të ditur se i qëndron shkrimeve të publikuara dhe se është e gatshme të përballet në gjykatë me të gjitha pretendimet, duke e konsideruar padinë civile të ngritur nga gjyqtari si të pabazë.

Bashkëshortët Gjoni dhe Çaushi ankohen për tre shkrime të publikuara nga BIRN. Shkrimi i parë: “Akuzat për një mal me ‘falsifikime’: dështimi i Prokurorisë në hetimin e Gjin Gjonit me autor Besar Likmeta, u publikua më 14 korrik 2016 dhe përshkruan hetimet e prokurorisë të nisura pas një kallëzimi penal nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave si dhe vendimeve gjyqësore përkatëse, të cilat e mbyllën çështjen fillimisht në Prokurori dhe më pas  përmes dy vendimeve gjyqësore.

Pretendimi i dytë i Gjykatësit Gjoni dhe bashkëshortes së tij lidhet me shkrimin Rihapet dosja e Gjin Gjonit, por gjyqtari mbrohet me vendim gjykate, publikuar në Reporter.al më 31 janar 2017. BIRN raportoi në këtë shkrim mbi veprimet e Prokurorisë së Elbasanit si dhe dokumenteve të dosjes hetimore të marra përmes një kërkese për të drejtë informimi.

Pretendimi i tretë lidhet me shkrimin Nga Gjin Gjoni te Sinojmeri; lista e 10 gjyqtarëve më të kamur në Shqipëri me autore Aleksandra Bogdani, publikuar më 19 korrik 2016. Shkrimi analizon pasurinë e disa prej gjyqtarëve të Apelit, sipas deklaratave të pasurisë të dorëzuara  prej tyre pranë ILDKPKI.

Në padinë e tij, Gjoni dhe bashkëshortja e tij pretendojnë se paragrafe të veçanta të shkrimeve të mësipërme “servirin informacion të pavërtetë”.

“Shkrimet e botuara të sipërcituara, i kanë shkaktuar paditësve një dëm shumë të lartë moral, kjo pasi, të akuzosh një gjyqtar të Gjykatës së Apelit, njëkohësisht anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe një ortake dhe administratore shumë të suksesshme në biznesin e saj, i kapërcen kufijtë e imagjinatës dhe çdo kufi të lirisë së shprehjes, duke përbërë në vetvete vepër penale,” thuhet në padi.

Duke njohur faktin se kërkesa për dëmshpërblim duhet të shoqërohet me vërtetimin e dëmit të pësuar si dhe lidhjes shkakësore mes shkrimeve dhe dëmit të pësuar, Gjoni dhe Çaushi argumentojnë në aktpadi se dëmi moral duhet të çmohet si i provuar ipso Jure.

Sa i përket masës së dëmshpërblimit të kërkuar, paditësi thotë se “gjykata duhet të shqyrtojë edhe rrethanat konkrete të çështjes për të çmuar, së pari shkallën efektive të dhimbjes dhe vuajtjes shpirtërore të shkaktuar dhe në lidhje me të, natyrën e faktit të paligjshëm apo rrezikshmërinë e saj…”.

Please follow and like us: