Nishani dekoron aktorin Gulielm Radoja me Titullin “Mjeshtër i madh”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 12/06/2017, nr. dekreti 10423 zotit Gulielm Radoja Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror për figurën e tij si aktor tepër origjinal dhe regjisor vizionar e i talentuar, duke shkëlqyer për dekada me radhë në skenat e teatrove dhe filmat kinematografikë, nëpërmjet personazheve të interpretuar me mjaft vërtetësi, thjeshtësi dhe pasion të lindur e të rafinuar”.
————
Guljelm Radoja ka lindur në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës. Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”. Radoja jeton në Durrës.