Albspirit

Media/News/Publishing

Nishani dekoron Viktor Zhustin me titullin “Mjeshtër i madh”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 12/06/2017, nr. dekreti 10426 zotit Viktor Zhusti Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Në vlerësim të merituar shtetëror për artistin e talentuar dhe origjinal të skenës teatrore dhe kinematografisë, i cili me interpretimet e tij të paharrueshme e frymëzuese ka gdhendur emrin e tij përjetësisht në historinë e artit bashkëkohor shqiptar”.

Reagimi i Viktor Zhustit

 

FALENDERIM!

Gjatë rrugëtimit në këtë çerek të fundit të jetës, i ndodhur shpesh vetëm e përballë vetes, në momente të veçanta dobësie e sinqeriteti, kam menduar-jo pa dhimbje-për ç’kam bërë, ç’ka mundesh e duhet të bëja, për ato që edhe dyshoj nëse e kam bërë mirë dhe ato për të cilat s’kam asnjë dyshim që i kam bërë keq: në jetën familjare, shoqërore, artistike, më vjen papritur një lajm që më shkaktoi hutim, kënaqësi, detyrim. Më akordohet titulli:

“MJESHTËR I MADH”!

Pasioni për teatrin, e vetmja nga dashuritë e mëdha-që ndoshta-nuk e tradhëtova kurrë, për të cilin nuk bëra kompromise më solli miq të shumtë e kundërshtarë jo të paktë-dashuri që më ka dhënë më shumë nga ç’i kam dhënë, merr këtë vlerësim të veçantë!

Prandaj, ndjej domosdoshmërinë të falenderoj me përzemërsinë më të thellë: publikun e kudondodhur, që më ka pritur e shoqëruar kurdoherë me ngrohtësi, që më ka duartrokitur e falur njëkohësisht, të falenderoj pedagogët e mij të nderuar-shumë nga të cilët nuk janë më-e midis tyre të paharruarin Spahivogli-shpirti i të cilit, duket, kapërceu hapësirat dhe kufijtë e vdekjes, pasi e ndjeja të pranishëm në sallën ku u nderua dhe duartrokit aq shumë, të falenderoj kolegët, që më besuan e ndihmuan në çdo hap!

Por, një falenderim, tërësisht i veçantë, për Z. Nishani, që me zemërgjerësi prej Bujari, më vlerësoi, si aktor e pedagog, me këtë Titull të Lartë! Mirënjohje për Ju, Z. PRESIDENT!

 

Viktor Zhusti është një aktor shqiptar. Lindi më 8 dhjetor të vitit 1942AthinëGreqi.
Ka luajtur shumë role dhe përpara viteve ’90, kur lulëzonte veprimtaria në Kinostudio Shqipëria e Re, ishte një nga aktorët më të kërkuar. Galeria e roleve të Viktor Zhustit është e pasur. Ka luajtur partizanin e ashpër, por edhe babain e dhembshur, të riun përpara dilemave, por edhe të dashuruarin, që mundohet të tejkalojë paragjykimet. Disa prej filmave ku ai ka luajtur, mund të përmendim telekomedinë “Shi në Plazh”, ku luan rolin e Albertit, një nga komeditë më të bukura shqiptare, që i ka rezistuar kohës. Për të vijuar me filmin “Nëntori i dytë”, ku luan rolin e Luigj Gurakuqi, “Taulanti kërkon një motër”, rolin e babait, Pirros. Një tjetër rol babai, tek “Kur xhirohej një film”, për të vazhduar me rolin e Llano Bletës tek “Dhe vjen një ditë”, “Malet me blerim mbuluar”, etj. Roli i doktorit në skenën e Teatrit Kombëtar me Te gjithë kanë huqe e kthen atë pas gati 20 vjetesh sërish në vëmendjen e publikut. Dëshiron të rikthehet sërish, por këtë herë me një projekt të vetin në teatër.

Please follow and like us: