Aleksandri dhe Aristoteli, mësuesi dhe dishepulli “mbret”
Carlos Garcia Gual
Më i madhi i filozofëve edukon princin e destinuar që të bëhet shumë shpejt më i madhi i pushtuesve: Aristoteli Stagirës, mësues privat i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Dy figura universale, dy protagonistë absolutë të kohës së tyre, por mbi të gjitha dy burra që kanë patur ndikim në ngjarjet dhe kulturën e shekujve që do të vinin.
Në historinë e mendimit grek Aristoteli shkëlqen si një prej intelektëve më të lartë, i aftë të trajtonte argumenta jo vetëm në fushën e filozofisë, por edhe në të gjithë degët e dijes së kohës së tij. Pikërisht për këtë arsye mendimi i tij do të kushtëzonte kulturën perëndimore, tek e cila ai përfaqëson një prej kolonave më të rëndësishme. Nga ana e tij Aleksandri, një sovran i ri dhe autoritar, do të zgjonte deri në ditët tona admirimin e shumë burrave të pushtetshëm, të cilët do të përpiqeshin të mateshin me bëmat e tij, i pari prej tyre pikërisht Jul Cezari.
Ndonëse në rolet e ndryshëm të mësuesit privat dhe të nxënësit, marrëdhënia mes të dyve, në respektin e skajshëm reciprok, ishte megjithatë e përcaktuar dhe e kushtëzuar nga dy konceptime të ndryshëm. Aristoteli, në vizionin e tij konservator, e imagjinonte rolin e mbretit në një mënyrë shumë të ndryshme nga Aleksandri, i cili preferonte më shumë që të qeveriste sipas parimeve të një sovrani oriental, duke synuar një politikë ekspansioniste që kërkonte edhe integrimin mes popujve, në respekt të kulturave dhe traditave të tyre. Dimë vetëm një këshillë politike që Aristoteli i ka dhënë dishepullit të tij: i shkruajti që t’i trajtonte grekët si familjarë të tij dhe barbarët si skllevër, duke qenë se për të parët ishte gjeneral dhe udhëheqës, për të dytët sovran absolut. Për fat, Aleksandri nuk e zbatoi këtë këshillë dhe i trajtoi të gjithë të nënshtruarit njësoj, duke nxitur kështu bashkimin e shpejtë mes popujve.
Në oborrin e mbretit maqedonas
Në vitin 343 p.e.s. mbreti i Maqedonisë, Filipi II, i cili në betejën e Keronesë në 338 p.e.s. do të mundte ushtritë e aleancës së qyteteve grekë, duke u bërë padron absolut i Greqisë, ftoi Aristotelin që të merrej me edukimin e të birit, Aleksandrit, në karakterin e të cilit kishin nisur të spikasnin inteligjenca dhe një guxim që do të demonstroheshin më pas në shumë bëma të tij.
Filipi dëshironte për të birin, njëkohësisht trashëgimtarin e tij, një formim ekzemplar, një zotërim të mirë të paideia-s, kultura dhe edukimi helenik, më të mirë se sa ai që ai vetë kish marrë në Maqedoninë gjysmëbarbare, dhe për këtë arsye donte për të një mësues të një kalibri të madh intelektual.
Aristoteli, i lindur në 384 p.e.s. në Stagira, një qytezë në Greqinë veriore kishte pak më shumë se 40 vite mbi supe në momentin që mori detyrën. Përpara se të vendosej në oborrin maqedon ishte vendosur në Akso, në Azinë e Vogël dhe dy vjet më vonë në Mitilenë, në ishullin Lesbo, duke lënë Athinën dhe Akademinë e mësuesit Platonit pas vdekjes së këtij të fundit në 347 p.e.s. pas një qëndrimi 20-vjecar. Larg nga diskutimet teorikë të shkollës platonike, është e mundur që ai kishte nisur në këtë kohë, së bashku me dishepullin e tij Teofrastin, filozof dhe botanist, e më vonë pasardhës, studimet e tij në fushën e disiplinave shkencore.
Virtuti më i madh
Aristoteli nuk ishte ende një filozof me famë të padiskutueshme, megjithatë për shumë arsye ai meritonte besimin total të monarkut të fuqishëm. Në favor të tij luanin edhe marrëdhëniet personale, duke qenë se babai i filozofit, Nikomaku, kishte qenë mjeku personal i Aminta II, babai i Filipit II, arsye për të cilën të dy njiheshin ndoshta që nga fëmijëria.
Veç kësaj, Aristoteli ishte mik i tiranit të Atarneos, Ermia, një personazh shumë i rëndësishëm si informator dhe aleat i mbretit në kufijtë e perandorisë perse.
Filozofi kishte lidhur një miqësi të sinqertë me Ermian, shumë i interesuar në çështjet e filozofisë platonike. U martua edhe me mbesën dhe bijën e adoptuar të tiranit, Pizia. Por, pak kohë pas transferimit të filozofit si mësues privat në oborrin maqedon të Pellas, Ermia u burgos dhe u akuzua për tradhëti nga persët dhe, pas torturave të tmerrshme, u kryqëzua me urdhër të mbretit Artakserksi III.
Vdekja e tij e tronditi thellë Aristotelin, i cili i kushtoi mikut të tij një tekst të shkëlqyer, “Për virtutin”. Bëhet fjalë për të vetmen poemë të madhe të tij, e shkruajtur në kujtim të Ermias dhe arete-s, virtutit të heroizmit, që e përshkruan si rrugën drejt lavdisë së pavdekshme. Ky himn për virtutin shpreh qartë bindjet morale të mësuesit të Aleksandrit.
Nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta se si kanë qenë mësimet e Aristotelit. Filozofi nuk e përmend asnjëherë Aleksandrin në veprat e tij dhe as nuk flet për periudhën e edukimit të princit. Dimë që kishte redaktuar një vepër shkruajtur për dishepullin e tij të ri, e titullur “Mbi monarkinë”, por që u humb menjëherë dhe prej saj nuk është gjetur asgjë. Për sa i përket Aleksandrit, në disa rrëfime romantikë, që e shohin si protagonist, përmendet një letër e mrekullueshme që pushtuesi i madh mendohet se i ka dërguar Aristotelit nga Lindja, për ta informuar për takimet e tij me mrekullitë e Indisë, por bëhet fjalë vetëm për një sajesë letrare të mëvonshme.
Akili, modeli Aleksandrit
Në Pella, Aristoteli përgatiti për princin, me disa shënime dhe komente personalë, tekstin e Iliadës. Monarku i ri e ruajti për të gjithë jetën dhe e mbajti gjithmonë me vete në të gjithë fushatat e tj ushtarake. Kur, gjatë plackitjes së thesarit shumë të pasur të mbretit pers Dari, gjeti një urnë shumë të cmuar, e përdori për të ruajtur atë rrotull papirusi që më vonë do të bëhej e famshmja “Iliadë e arkës”.
Akili, heroi i luftës së Trojës, mes protagonistëve absolutë të poemës homeriane, ishte gjithmonë i preferuari i Aleksandrit. Ai shpesh herë ankohej se nuk kishte për vete një poet të madh si Homeri, që të përjetësonte bëmat e tij.
Mes paraardhësve të tij më të famshëm pretendonte të kishte, në gjenealogjinë e origjinës mitike, Herakliun (nga i ati), si dhe vetë Akilin dhe birin e tij Neoptolemin (nga e ëma). Herakliu dhe Akili, dy heronjtë me vlera që Aristoteli i përmend në himnin e tij dedikuar virtutit, ishin për pushtuesin e madh paradigmat më evidentë të lavdisë. Sigurisht, të gjithë të rinjtë grekë edukoheshin përmes leximit dhe memorizimit të poemave homeriane, por tek Aleksandri Iliada zgjoi një entuziasëm personal të thellë, stimuluar nga mësimet e Aristotelit. Ky, megjithatë, me dijen e tij enciklopedike, diti të fusë tek dishepulli i tij edhe shijen për të gjithë poezinë greke, deri në atë pikë sa Aleksandri (që e citonte shumë shpesh Euripidin, dramaturgun grek që jetoi në shekullin V p.e.s.) respektoi shtëpinë e poetit Pindari, në momentet kur dha urdhër që të rrafshohej qyteti grek i Tebës, ku kishte jetuar poeti.
Vec kësaj, poeti i transmetoi nxënësit të tij dëshirën për të vëzhguar natyrën. Kështu, kur Aleksandri nisi fushatat e tij të pushtimeve mori me vete shkencëtarë dhe studiues të ndryshëm grekë dhe dimë që nga rajonet e largët të Lindjes dërgonte rregullisht bimë dhe kafshë për t’i studiuar filozofët e Liceut. Kjo shkollë, e themeluar nga Aristoteli në Athinë në 335 p.e.s. kish marrë këtë emër sepse ndodhej në afërsi të tempullit Apollo Liceo. Interesi i mbretit të ri për mjekësinë dhe gjeografinë, dhe më në përgjithësi për të gjithë disiplinat shkencore, ishte pikërisht pasojë e leksioneve të filozofit.
Shpërblimi i Filipit II
Aristoteli u mor për tre vite me edukimin e Aleksandrit. Studioi në një ambient në largësi të oborrit, në Mieza, në nëj pallat të vogël të quajtur Ninfeu larg nga Olimpia, nëna e bukur dhe ambicioze e princit, për të shmangur ndikimin e saj mbi të birin. Në vitin 340 p.e.s. Aleksandri përfundoi studimet dhe filloi ngjitjen e tij politike, kur u emërua regjent i Maqedonisë së të atit. Për shërbimet e ofruar, Aristoteli mori një shpërblim të shkëlqyer: rindërtimin e qytetit të tij të lindjes, Stagira, shkatërruar nga Filipi gjatë luftës. Aristoteli qëndroi edhe për disa vite në Maqedoni por nuk dihet nëse në këta vite pati kontakte me nxënësin e tij. Kur Aleksandri zëvendësoi në 336 p.e.s. babanë e vrarë, ai nisi aventurën e tij imperiale, ndërsa filozofi u rikthye në Athinë për të themeluar shkollën e tij filozofike. Ndonëse mund të llogariste mbështetjen e maqedonasve, Aristoteli, që nuk gëzonte të drejta politike duke qenë se ishte i huaj, i qëndroi larg veprimtarisë publike.
Ndërsa Aleksandri, asnjëherë i ngopur me pushtimet e tij, vazhdoi deri në kufijtë e Indisë dhe më tej, në përpjekjen për të nënshtruar të gjithë botën që njihej atëherë dhe për të krijuar një perandori universale. Nuk arriti asnjëherë që të përmbushte objektivin e tij: vdiq në vitin 323 p.e.s. në Babiloni pas një sëmundjeje të shkurtër. Rasti e deshi që edhe mësuesi të ndërronte jetë pas vetëm pak muajsh, në 322 p.e.s.
Një karakter i vrullshëm
Aristoteli jetoi pra me dishepullin e tij për vetëm tre vite, me siguri vendimtarë për formimin intelektual të Aleksandrit. Megjithatë, ndikimi i paideia-s në karakterin e tij nuk ishte vecanërisht i ngulitur, mbi të gjitha në projektin e Aleksandrit për të pushtuar një perandori.
Nga i ati, Filipi, Aleksandri kishte trashëguar karakterin e rrëmbyer bashkë me një guxim dhe një ambicie ekstreme. Ashtu si heronjtë e lashtësisë, kishte për nga natyra një shpirt të prirur për teprime, që anonte nga hybris-i, domethënë një shthurje emotive që sa do të vinte e do të theksohej më shumë me kalimin e viteve. Mësuesi i tij u përpoq që ta frenojë këtë çrregullim natyror, duke e orientuar për nga virtuti dhe shpirtmadhësia, si dhe të modelonte karakterin e tij me ideale heroikë.
Aleksandri ishte kështu i fundmi hero i madh i botës greke, historike dhe jo vetëm mitike. Por nuk mësoi me siguri nga Aristoteli prirjen për aventura, etjen për pushtime, kërkimin e një dominimi universal, që ishin në fakt tipare të natyrshëm të karakterit të tij. Filozofi, siç mund të kuptohet edhe po të lexosh “Politika”, mbeti besnik i mendimit të tij për polis-in klasik (qyteti-shtet i Greqisë së lashtë, në të cilin banorët merrnin pjesë aktivisht në jetën politike), për botën tradicionale të qyteteve autonomë, pa e kuptuar që Aleksandri, në marshimin e tij të gjatë aziatik, po ndërtonte një perandori me popuj dhe kultura krejt të ndryshme mes tyre.
Aristoteli nuk ishte një idealist si mësuesi i tij Platoni, por një studiues realist i fakteve të historisë, shumë konservator në teorinë e tij politike, dhe ndoshta për këtë arsye nuk arriti të kuptojë deri në fund projektin e madh të Aleksandrit. Nuk ishte në fakt këshilltari politik i Mbretit, por vetëm mësuesi dhe edukuesi i një adoleshenti heroik që do të krijonte një univers me horizonte të rinj./Storica – Bota.al