Anissa MARKARIAN: JU FALEMINDERIT!
Familjarë të shtrenjtë, bashkatdhetarë të nderuar shqiptarë e armenë, shoqe e shokë që prej një jete, kolegë të dashur, miq artdashës që më njihni me të vërtetë apo vetëm nga ekrani, në pamundësi për t’ju kthyer veçmas përgjigje për urimet dhe përgëzimet tuaja me rastin e marrjes së titullit “Mjeshtër i Madh”, më lejoni t’ju drejtohem njëherazi me një falenderim shpirti e një përqafim të ngrohtë.
Ndihem fatbardhë që rrugëtimin artistik e nisa pikërisht me kinematografinë, artin që krijon 24 magji në sekondë e që mbart në vetvete tërësinë e arteve. Filmat janë vepra e kryevepra kolektive të realizuara me pasion e vetëmohim nga gra e burra të talentuar, me të cilët kam pasur nderin e kënaqësinë të bashkëpunoj. Ky titull u përket edhe atyre.
Edhe pse tashmë shprehem nëpërmjet një tjetër forme arti, letërsisë, kinematografia mbetet filtri magjibërës që më lejon t’i shoh, t’i prek, t’i drejtoj, filmoj e montoj skenat dhe personazhet e krijuar.
Ju jam thellësisht mirënjohëse që më ndiqni e më vlerësoni me të njëjtën dashamirësi edhe në këtë fushë.
Dekorimi nga Presidenti Nishani
Presidenti Nishani dekoron zonjën Anisa Agop Markarian me Titullin “Mjeshtër i madh”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 12/06/2017, nr. dekreti 10418 zonjës Anisa Agop Markarian Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Në vlerësim të artistes sqimatare e të talentuar, e cila përmes roleve dhe interpretimeve të saj të paharrueshme kinematografike, si dhe nëpërmjet krijimeve të saj letrare me një shqipe të përkorë, u shndërrua në një nga figurat më të spikatura të elitës artistike dhe intelektuale shqiptare”.