Albspirit

Media/News/Publishing

Bollino iu përgjigjet akuzave për manipulimin e sondazhit në favor të Ramës

Carlo Bollino

Tashmë “fake news”-at në disa portale shqiptare janë bërë rregull: për fat të keq, asnjë nga “gazetarët” që punojnë në to as që skandalizohen dhe të gjithë shkruajnë gënjeshtra, duke e ditur se shkruajnë gënjeshtra, vetëm për t’i bërë qejfin “botuesit” të tyre, që merr para dhe urdhëra nga politikanët.

Kështu ndodhi me ‘Syri’ dhe ‘Gazeta Express’, në redaksinë e së cilës punojnë gazetarë që unë i njoh prej kohësh. “E dimë që është e rreme ajo që kemi botuar, por ca gjëra janë më të mëdha se ne”, u justifikuan ata të gjorë. Në më shumë se 35 vjet karrierë gazetarie, unë nuk kam shkruar kurrë një lajm të cilin e dija që ishte i gënjeshtërt dhe nuk kam pranuar kurrë që asnjë botues, politikan apo kushdo tjetër të më urdhëronte të botoja një lajm fals. Kam preferuar më mire të shkoj në një gazetë tjetër. Kjo është një çështje etike personale, jo çështje rroge.

“Fake news”-i i fundit, prodhuar nga këto dy portale që kam cituar, ka të bëjë me një takim timin në Tiranë me Roberto Baldassarin, president i Institutit Piepoli, më i rëndësishmi institut italian në fushën e sondazheve politike, që ka ndër klientët e tij Radiotelevizionin publik italian (RAI). Ai erdhi në Tiranë për ta prezantuar direkt (siç bëri edhe një javë më parë), në televizionin tim Report TV, sondazhin e dytë mbi zgjedhjet politike, që televizioni im ia kishte porositur dhe paguar dhe, për mirësjellje, vendosa ta takoj në hotel tri orë para transmetimit. Ndonjë nga ata që bëjnë “scoop”-e të rastit ka fotografuar në hotel këtë takim “tepër sekret”, që u bë publikisht: ai po hante drekë dhe unë isha ulur përballë tij. Kjo është e padëgjuar: Kam një kontratë me institutin e tij, unë paguaj dhe ai kryen një shërbim për televizionin tim, por nuk duhet të takohemi!!!

Të njejtët prodhues të “fake news”-ave duhet ta kenë kuptuar se ajo fotografi nuk mjaftonte për të bërë një “scoop” të rremë dhe kështu që kanë shpikur se paskan dëgjuar edhe atë për çka flisnim. Dhe kështu, sipas “përgjimit”, unë i paskam dhënë urdhëra Baldassarit (president i një instituti me famë në Evropë) të modifikonte rezultatet për ta nxjerrë fituese Partinë Socialiste dhe për të minimizuar rezultatet e partive të tjera. Si të thuash se unë do ta paguaja Instituti më të madh të sondazheve në Itali që ai të publikonte sondazhe të shpikura nga unë! Dhe Baldassari do të pranonte të komprometonte besueshmërinë e institutit të tij për të më bërë mua një nder! A nuk do të ishte më me leverdi të shpikej ndonjë farë “ganibobi”, siç bëri Partia Demokratike vite më parë?

E pabesueshmja është se kjo “fake news” (të bën për të qeshur edhe kur e tregon) u interpretua si një lajm i vërtetë, jo vetëm nga mediat e tjera, që ushqehen me “fake news”, në pamundësi të prodhojnë lajme të vërteta, por edhe nga ata politikanë, të cilëve duket se nuk u pëlqyen rezultatet e sondazhit (të nxjerra nga Instituti Piepoli, jo nga unë) dhe, nga ana e tyre, e shpërndanë atë gjatë intervistave televizive dhe nëpër mitingje.

Tani porosita avokatët e mi të ngrenë padi kundër dy portaleve, siç kam bërë edhe me të tjera që kanë shkruar gënjeshtra kundër meje. Shpresojmë vetëm që Gazeta Express dhe Syri të kenë një NIPT, një botues, një kryeredaktor përgjegjës dhe një adresë reale, në të cilën Gjykata të mund t’iu dërgojë ftesën për të ardhur në gjyq. E të mos bëjnë si minj te tjera, që, për t’iu shmangur drejtësisë, ta deklarojnë edhe adresën e shtëpisë së tyre “adresë e panjohur”. Pa pikë turpi, pikërisht ashtu siç bëjnë prodhuesit e “fake news”-ave, apo hajdutët.

Please follow and like us: