Albspirit

Media/News/Publishing

Opozita turke, marshim proteste prej 400 kilometrash pas dënimit të një deputeti

Mijëra persona filluan sot në Ankara, me kërkesë të formacionit kryesor të opozitës, një marshim të gjatë që do të arrijë deri në Stamboll, distancë prej 400 kilometrash, për të protestuar kundër burgosjes së një deputeti të Partisë Republikane të Popullit.

Enis Berberoglu, i Partisë Republikane të Popullit (CHP, social-demokrate), u dënua dje me 25 vjet burg për dhënie të informacioneve konfidenciale të përditshmes së opozitës “Cumhuriyet”.

Është hera e parë që një deputet i CHP-së, partia e themeluar nga babai i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, është burgosur që prej heqjes së imunitetit parlamentar vitin e kaluar.

CHP-ja ka reaguar menjëherë kundër këtij vendimi ndërkohë që disa deputetë e kanë cilësuar si politik.

Drejtuesi i partisë, Kemal Kiliçdaroglu ka vendosur në shenjë proteste të përshkojë në këmbë më shumë se 400 kilometra që ndajnë Ankaranë nga Stambollin ku deputeti u burgos.

“Nëse ka një çmim për të paguar, do ta paguaj unë i pari”, deklaroi Kiliçdaroglu.

“Do të eci deri në Stamboll dhe do ta vazhdojmë marshimin tonë deri sa drejtësia të vendoset në Turqi”, shtoi ai.

Ai u kërkoi gjithashtu të gjithë atyre që dëshirojnë të mbrojnë drejtësinë të mbështesin këtë iniciativë.

Disa mijëra persona marshuan me atë që nga qendra e qytetit të Ankarasë duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Drejtësi”, sipas një gazetari.

“Mos heshtni. Nëse heshtni do të vijë dhe radha juaj”, thërrisnin ata.

Enis Berberoglu u akuzua për dhënien e një videoje të përditshmes së opozitës që tregonte kapjen, në muajin janar 2014 në kufirin sirian, të kamionëve që i përkisnin shërbimeve sekrete turke (MIT) dhe transportonin armët në Siri.

Kjo çështje u bë skandal dhe shkaktoi irritim të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili premtoi për kryeredaktorin e “Cumhuriyet” në atë kohë, Can Dündar, se do ta paguante.

Please follow and like us: