PE i heq imunitetin Marine Le Pen në një aferë për shpifje
Parlamenti Evropian i hoqi sot imunitetin lideres së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, humbëse në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale nga centristi Emmmanuel Macron, me anë të një kërkese të gjykatës franceze për një aferë për shpifje.
Duke miratuar heqjen e imunitetit, deputetët evropianë vlerësuan se nuk kishte asnjë arsye për të hedhur dyshime se kjo procedurë e gjykatës franceze motivohej si një akt i qëllimshëm për të dëmtuar veprimtarinë parlamentare apo politike të Marine Le Pen.
Le Pen, drejtuesja e Frontit Kombëtar akuzohet për shpifje nga një kryebashkiak i së djathtës i Nisës (Juglindje) Christian Estrosi.
Ajo ishte shprehur në majin e 2015 se ai financonte Unionin e Organizatave Islamike të Francës (UOIF, aktualisht e emërtuar Myslimanët e Francës) ku bëjnë pjesë 250 shoqata.
Pyetjes së një gazetari “Estrosi, bashkëpunëtor i xhihadistëve?”, Le Pen iu përgjigj se ”përderisa ndihmon fondamentalizmin islamik për t’u përhapur, të ketë një seli të vetën apo për të rekrutuar, në një farë mënyre moralisht po, është pak bashkëpunëtor”.