Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: PO TI JE KRYEMJESHTËR, O PETRIT LULO !

 

E di që do jesh mërzitur ose të paktën do ta keshë tundur ca herë kokën me habi, o miku im i mirë.
E di që se si të ngjan vehtja kur dëgjon e shikon ç’farë ngjet e bëhet në oborrin e kryeshtetasit tënd, timin e tonin, aty në presidencë.
E ndjej dëshpërimin tënd të heshtur e të pa shfaqur kur të duhet të lexosh emrat e një aradhe të dekoruarish për kontributet e tyre në këngë e në art, ku e ku më poshtë se të tuat..
E di që je duke menduar që je pa shokë e pa miq, edhe pse ke gati gjysëm shekulli që ke kënduar e këndon si bilbil.
Edhe pse ke një jetë të tërë që bilbilat e malit, nga mbi degë e gjethe blerimeplota, nga buza jote, i ke zbritur në skena.
Edhe pse melosin më të ëmbël, po atë më të ëmblin fare, të viseve jugore sidomos, e ke derdhur si asnjë tjetër këngëve të tua.
Madje në qoftë se është nga thotë, të paktën “zogën e Libohovës-o” duhet ta ketë dëgjuar edhe vetë dekoratadhënësi që medaljet hie rënda i katandisi si pafille pa vlerë.
Të paktën ta ketë dëgjuar këtë, se ” Një komb, një Flamur”, jam i sigurtë që nuk e ka dëgjuar…As ay e as të tjerë propozuezxhinj.
Duke përjashtuar ca emra vërtet të nderuar e respektuar nga të gjithë, shumë prej tituje të ngjajnë si qoka të radhës, rekomanduar nga lloj-lloj sekserësh rreth e rrotull oborrit.
Ndaj hiç mos u mërzit e mos kij gajle, miku im i këngës së madhe popullore, i melosit më të kulluar të trashëgimisë tonë shpirtërore.
Ti e të tjerë si Ti kudo që kanë qenë e janë kësaj Shqipërie, krijues e interpretë të rrallë të këngës së popullit, e kanë marrë me kohë Dekoratën e Madhe, atë të Mirënjohjes mbarë kombëtare.
Se Ti nuk je mjeshtër por Kryemjeshtër, o Petrit Lulo, o bilbil i këngës shpirtërore shqiptare!

Please follow and like us: