Ruben Avxhiu: Albright, mes dy polako-amerikanëve të famshëm, që urrenin njëri-tjetrin
Profesor Sami Repishti ka shkruar një koment për shkrimin tim kushtuar Zbig Brzezinskit, duke shtuar se ishte edhe një polak i tretë përveç tij dhe Papa Gjon Palit II: Ed Muskie, demokrat, senator e kandidat për President. “Ky ka qene momenti ma historik per Polonine dhe polaket. Ne udheheqjen e Kishes Katolike dhe te SHBA-se gjindeshin tre polake, nji ngjarje qe nuk do te perseritet . Lavdi popullit polak!”, shkruan ai. Është një kujtim i bukur. Sepse vërtet të dy i lidhin shumë histori. Muskie u bë Sekretar Shteti nga Jimmy Carter në 1980, pak kohë pas daljes në skenën botërore i dy polakëve të tjerë. Po Muskie ishte shumë i njohur, kohë përpara tyre.
Shqiptarët që ankohen se janë shumë të përçarë me njëri-tjetrin prandaj nuk ngrihen më lart në Amerikë, mund të ngushëllohen nga fakti se Brzezinski dhe Muskie nuk e shihnin dot me sy njëri-tjetrin dhe nevojitej “çekosllovakja” Madeleine që të ndërmjetësonte paqen.
Albright dhe Bodds shkruajnë bukur në jetëshkrimin e saj për këto dy personalitete. Sepse Ed Muskie ishte njeriu që e futi Albright në politikë, kur kandidoi për president në 1972. Kur ai u bë Sekretar Shteti ndërsa Brzezinski ishte Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, dy personalitetet politike polako-amerikane nuk e shihnin dot me sy njëri-tjetrin.
Vetëm një europiano-lindore tjetër, si Madeleine Albright mund ta gjente mënyrën për t’i bërë të komunikonin dhe për sa kohë mbetën në pozitat qeverisëse, ajo ishte praktikisht “ambasadore” e brendshme, mes dy institucioneve të mëdha amerikane.
Ajo organizoi edhe takimin e parë mes tyre që ishte po aq i vështirë sa ndonjë samit mes dy udhëheqësish të huaj. Duke premtuar bashkëpunim, ata i dhanë shtypit vetëm një fjali si koment, një batutë të bukur, lojë me fjalën “polak” dhe “pol”, që mund ta shijojnë ata që dinë anglisht. “We won’t be poles apart!”
Ndonëse ishin të dy nga Polonia, nuk mund të ishin më të ndryshëm. Leon Billings, ndihmës i ngushtë i senatorit dhe guvernatorit Ed Muskie, i cituar në libër, e thotë më bukur se kushdo: “Ed Muskie ishte një yankee nga Maine që vetëm rastësisht kishte qëlluar të ishte edhe polak katolik. Kurse, Brzezinski ishte një polak katolik që vetëm rastësisht kishte qëlluar të ishte në Shtetet e Bashkuara”.
Ky dallim nuk është thjesht një tjetër lojë fjalësh. Muskie karakterizohej nga të gjitha tiparet e një liberali tipik amerikan. Ambjentalizimi demokrat në SHBA i detyrohet shumë atij, për shkak të ligjit të famshëm për ajrin e pastër.
Ai ishte idealist për botën po aq sa ishte Brzezinski pesimist.
Muskie u përlot gjatë fushatës së tij presidenciale. Brzezinski vinte nga një botë ku burrat dedhin më lehtë gjakun se lotin. Megjithatë, stereotipet nuk ishin në formë të plotë: Muskie ishte në fakt shumë gjaknxehtë, ndërsa Brzezinski shumë gjakftohtë.
Në fund të dy ishin figura të mëdha transformuese në politikën amerikane, po ashtu edhe shembuj të të suksesit në jetën publike e politike të katolikëve, emigrantëve etj, grupime që në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore do të prodhonin shumë me tepër figura se në më shumë se 100 vjet të historisë amerikane.
Edmund Muskie betohet si Sekretar Shteti i SHBA-së (1980). Mbrapa tij, Presidenti Jimmy Carter.