Albspirit

Media/News/Publishing

Teatri i shpifur në largimin e De Biasi që përlotej si te reklama e sigurimeve

Përparim Kabo

Një fund i paralajmëruar…De Biasi iku…nuk e dimë herët apo vonë…apo në kohën e duhur…fakt është që ai iku…Era e stuhisë ishte ngritur kohë më parë. Dje ai dha një intervistë ku ishte sa i qartë aq edhe i fshehur. Nga njëra anë foli që …Ju kishit bërë gati arkivolin tim mezi prisnit humbjen me Izraelin…Po kush ishin Ju….gazetarët në sallë? Se besoj. Trajnerin as e emëron e as e shkarkon shtypi apo media sportive.

Po atëherë me kë fliste De Biasi. Ai foli për marrëdhënie shumë të mira me Dukën por shtoi se kishte bërë gabime njerëzore që nuk ia falte vetes. Po cilat ishin këta gabime…që besoi shumë te “Duka and Co”… që si bëri gjërat me letra dhe në mënyrë institucionale, që rrëfeu gjëra që nuk duheshin apo që nuk rrëfeu në kohën e duhur ato që mësoi dhe që ishin të pafalshme po të mos tregoheshin. Më tej nuk u ndal të nënvizonte se raportet me zotin Duka kishin qenë shumë të mira.

Mbrëmë u ndamë kështu mësuam se edhe Federata sipas De Biasit nuk ishte sjellë si duhet sepse nuk kishte folur me të me kohë për kontratën dhe rinovimin si bëhet në Gjermani me Lëvin…Po kur Ju zoti De Biasi i drejtoheni Federatës Shqiptare të futbollit nuk mbani në vëmendje zotin Duka? Po kush tjetër veç tij e kontrollon federatën tonë që më shumë se federatë është shoqatë private? Sot dita u gdhi me një teatër.

Duka në krah dhe de Biasi njoftoi largimin para mbarimit të kontratës. Pra e la anijen në mes të detit. Momenti qe i mirë pas fitores në Izrael. Një kulm. Ku i dihet se çfarë do vinte pas. Mbase ndonjë kurth tjetër. Pastaj ca fjalë mallëngjimi shoqëruar me lotët si në reklamën e sigurimeve…Në krah të tij një burrë zamani heshtte i pikëlluar që po dëgjonte gjëmën.

Teatër i shpifur. Ca këshilla e ca porosi si do vijojë puna. Dhe i pari që u prononcua nga larg asaj salle, ishte ai që pritet të kapi atë postë. Zoti Duka luante si pakëz i hutuar por që mbahej në këtë ditë dhimbjeje dhe se do mendohej shumë për trajnerin e ri i cili mund të jetë dhe nga vendi…made in Albania apo made in Duka. Të presim. Kam përshtypjen se e ka paracaktuar.

De Biasi një vit më parë u prit si hero dhe u tha që “dhe po deshi të largohet ti fshehim pasaportën”…Sonte ai u largua si një i braktisur…Madje pati dhe nga ata që minimizuan rolin dhe kontributin e tij sepse fitorja në Armeni paskërkish qenë e fituar nga të tjerë dhe jo nga ekipi dhe ai! Mundet…Kjo histori mes ëndrrës dhe zhgjëndrës…tipike e jona…Jam i sigurt se shumë shpejt De Biasi sa të marri dhe pagën e fundit do shpërthej dhe do tregojë se çfarë ndodhi dhe se cila është historia reale…Të presim …!!! Historia vazhdon…!!!

Please follow and like us: