Bushati-Metës: E rëndë ajo që the për Greqinë
Deklarata e presidentit të zgjedhur Ilir Meta dhënë për televizionin grek “Star” se Edi Rama ka marrëdhënie të vështirë me të gjithë dhe jo vetëm me Greqinë ka shkaktuar reagime në kampin socialist.
“Në radhë të parë duhet të kemi parasysh që për fat të keq z. Rama ka marrëdhënie të vështira me të gjithë dhe të paqëndrueshme, përfshirë dhe Greqinë, por jo vetëm Greqinë, por dhe fqinjë të tjerë”- tha Meta.
Ka reaguar ministri i jashtëm Ditmir Bushati i cili thotë se e ka të pamundur të mos shprehet për “intervistën surreale të Presidentit të zgjedhur me votat tona, për një media të huaj”.
“Partnerët e sigurt shihen në sy dhe flasin troç; tregtarët e flamujve e shesin miqësinë e vërtetë për një pjatë thjerrëza. Në fund hesapi është i qartë dhe çdo partner brenda dhe jashtë mund t’i bjerë lapsit: qartësi strategjike për një bashkëpunim jetik mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit. Lajkat dhe përkëdheljet sterile i takojnë një politike të vjetër” – thotë Bushati.