Albspirit

Media/News/Publishing

De Biazi, Basha, Blushi dhe dekorimet. Majat dhe humnerat e javës politike

Alfred Lela

Gianni de Biazi, profesionisti dhe amatorët

Iku edhe de Biazi. Për ata që e ndjekin Kombëtaren, deri më sot ai është trajneri më i mirë. Jo vetëm sa i takon arritjeve në shifra, por edhe për atë se vetëm një italian (si ai) mund të jetë mjaftueshëm shqiptar.

Tek e shihje të këndonte Himnin kombëtar, shpesh edhe thjesht duke lëvizur buzët, nuk mund të mos ndjeje respekt dhe dashuri për italianin e pankinës shqiptare. Për t’u `shqiptarizuar` pak më shumë ai mori edhe nënshtetësinë. Emrin ja kthyen nga Gianni në Gani.

Lotët në `konferencën e lamtumires’ janë dëshmi e emocioneve dhe lidhjes së veçantë me Shqipërinë.

Ikja e tij, megjithatë, ndodhi mes tensionesh, ndoshta të panevojshme, dhe në atë dorëheqje lexohej një ngërç dhe një parehati e italianit. Ai u vu, jo pak, në qendër të kritikave të gazetarëve, shpesh të cytur më shumë se të bindur, por edhe të ish-futbollistëve të Kombëtares apo ish-trajnerë shqiptarë të përfaqësueses.

De Biazi e thoshte: kur Kombëtarja ka suksese të gjith bëhen pjesë, kur humbet e ka fajin trajneri.

Ai në atë krusmë të fundit, që ishte konferenca për shtyp e ndarjes, pasqyroi, më shumë se çdo gjë, hendekun mes profesionistëve dhe amatorëve. Ka gjithmonë në Shqipëri një luzmë të madhe amatorësh që duan t`i japin  mend një profesionisti, që duan të këshillojnë një profesionist. Apo dhe t`ia nxijnë jetën.

Basha-Trump, takimi që u mboll në Çadër dhe mbiu në fushatë

Fara e një takimi mes liderit të opozitës shqiptare, Lulzim Basha, me Presidentin amerikan, Donald Trump, u mboll fillimisht, si dëshirë e dyshim bashkë, që gjatë ditëve të Çadrës. Basha u shkëput nga protesta opozitare në mënyrë të papritur për një tur takimesh në Washington. Ai ua transmetoi rëndësinë e kauzave opozitare një grupi kongresmenësh të rëndësishëm amerikanë, por në Tiranë endej hija e një pamjaftueshmërie, sa kohë Basha nuk arrinte në derën e madhe e të rëndësishme të Shtëpisë së Bardhë. Një shtrëngim duarsh me Trump bëhej edhe më i lakmuar, duke ditur se kundërshtari i tij i brendshëm, Edi Rama, e kishte quajtur, asokohe kandidatin për President të Republikanëve amerikanë, `një turp të qytetërimit`. Ai takim, që nuk e ndihmoi dot gjatë ditëve të Çadrës, u duk se i doli na krah gjatë ditëve të fushatës. Basha ndërpreu turin elektoral pa lajmëruar asgjë dhe u nis drejt Amerikës. Një ditë para se të kthehej, zyra e shtypit e Partisë Demokratike i shpërndau medias foton Trump-Basha. Teksti që e shoqëronte i bënte jehonë një `takimi të jashtëzakonshëm`. I tillë ishte, edhe për faktin se përbënte një precedent. Kandidati për Kryeministër i një vendi të vogël proamerikan, takohej me Presidentin e ShBA 10 ditë para datës së zgjedhjeve. Në Tiranë, ku çdo shenjë amerikane përimtohet, duhet lexuar edhe kjo.

Rrengu ku ra Blushi dhe ndjesa e Politiko

Një prej gazetarëve të politiko.al më nisi para dy ditësh në ëhattsup linkun e një gazete pranë qeverisë, ku shfaqej një foto e Ben Blushit dhe e dy burrave të tjerë, që shfaqeshin në të dy krahët e deputetit të majtë. Titulli fliste për `lumturi të Blushit` dhe e identifikonte një prej të fotografuarve si ish-kreu i bandës së Durrësit. `Nuk e di sa e vërtetë është si foto`, më shkruante kolegu nga redaksia në Tiranë. Sugjerimi im ishte ta bënte lajmin, por duke pyetur që në titull `a është ky Lul Berisha?` Instikti i parë gazetaresk më thoshte se mund të ishte fotomontazh, si përpjekje për të dëmtuar një kundërshtar politik në fushatë. Ai që dukej si Lul Berisha shfaqej i ndryshuar në foto: me kokë krejtësisht të rruar dhe një palë syze të mëdha që i mbulonin shumë prej tipareve. I vazhduam shkëmbimet në ëhatsupp. Unë këmbëngulja që të ndiqeshin zhvillimet dhe të pritej reagimi i Blushit. “Edhe ashtu e bëj”, më erdhi përgjjigja, e cila shprehte njëfarë pakënaqësie me `mosagresivitetin` tim gazetaresk. Pa kaluar një minutë në ekranin e telefonit u shfaq `vendimi`: `Po e hedh si fakt këtë të Blushit. Pas Temës edhe Ballkanëeb e Shqiptarja kështu e kanë hedh`. `Okay`, ia ktheva, i dorëzuar para `fakteve`. Gazetari i politiko.al prodhoi një titull aq të fortë sa lajmi: Blushi me një gabim trashanik rrëzon gjithë fushatën e Libra-s, del në foto me Lul Berishën. Se si vijoi kronika e ngjarjes e dinë thuajse të gjithë. Blushi nuk e dinte se me kë po fotografohej, por dy të tjerët po. Nuk mund t’i kërkohet një kandidati për deputet në fushatë elektorale që të bëjë `vetingun` e çdo personi që i del përpara në rrugë.   Secili bën të vetën dhe secili merr hakun, dhe politiko.al u nxitua, duke cënuar standardet gazetareske, politikanin Ben Blushi dhe shijet e lexuesit të mirë. Kemi një falje për të kërkuar, dhe nuk ngurrojmë në kërkimin e saj.

Dekorata me shumicë

Shqipëria prodhon gjithmonë paradokse që i përmbytin ngjarjet. Presidenti Bujar Nishani, në një akt të çuditshëm `dekorimesh me shumicë`, rreshtoi në Presidencë një grup aktorësh e këngëtarësh, të vjetër e të rinj, dhe i bëri Mjeshtra të Mëdhenj. Hierarkia është një vlerë e së djathtës. Por ajo shenjon edhe etikë dhe estetikë. Cilësi përkundër sasisë. Nxitimi për të krijuar barazi, edhe me anë dekorimesh presidenciale, ia ul vlerën edhe decorates, edhe artisitit, edhe Presidentit.

Please follow and like us: