Deklarata e Metës, reagon Policia: Sulmi në Lezhë jo i motivuar politikisht
Policia e Shtetit ka reaguar pas deklaratave të ashpra të Ilir Metës në Lezhë, i cili akuzoi uniformat blu për moszbardhjen ngjarjes ku mbeti i dhunuar kryeplaku i fshatit Rraboshtë në Lezhë, Gjovalin Gjini.
Policia shpreh keqardhjen për deklaratat e Metës dhe thekson se Gjini nuk ka raportuar asgjë konkrete që të ngrihet dyshimi i arsyeshëm se incidenti është i motivuar politikisht.
Ky institucion u bën thirrje të gjitha subjekteve e liderëve politikë të shmangin çdo përfshirje direkte ose indirekte të Policisë së Shtetit në retorikën e tyre elektorale
Reagimi i policisë:
Keqardhje për sulmin e sotëm mbi Policinë e Shtetit nga ana e një lideri politik, lidhur me incidentin e ndodhur në Lezhë.
Ashtu sikundër e ka komunikuar me transparencë të plotë më parë, Policia e Shtetit përsërit se ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe nuk ka asnjë provë për prapavijën politike të incidentit.
Pretendimet e personit të goditur po vazhdojnë të hetohen. Por mbetet fakti që në deponimin e tij ai ka folur për persona të panjohur dhe nuk ka raportuar asgjë konkrete që të ngrihet dyshimi i arsyeshëm se incidenti është i motivuar politikisht.
Policia e Shtetit do të vazhdojë të kryeje me përgjegjshmërinë më të lartë profesionale detyrën e saj kushtetuese e ligjore dhe u bën thirrje të gjitha subjekteve e liderëve politikë të shmangin çdo përfshirje direkte ose indirekte të Policisë së Shtetit në retorikën e tyre elektorale.