Albspirit

Media/News/Publishing

Flogert Muça: Kriza e pazgjidhshme e Metës

Ilir Meta sot ndodhet në një krizë të pazakontë e cila është edhe më e ndërlikuar se ajo e 2008-ës. Këtë e tregoi sot në daljen e tij për mediat nga selia e LSI-së. Vetë dalja nga kjo seli ishte tërësisht në kontradiktë me atë që ai tha në atë konferencë. Ilir Meta edhe sot nxinte.

Presidenti i zgjedhur doli sot nga selia e partisë së tij ku flitet si kryetar partie, për të folur edhe si president. Pikërisht ky është treguesi i parë i një krize të cilës Meta nuk po i jep më dot drejtim, e jo më zgjidhje. Që këtu dëshmon paqartësinë dhe mospërmbajtjen e nervave, të qetësisë. E cila ka mbaruar në momentin kur LSI mbeti pa pushtet, thënë ndryshe, pa oksigjen. Njeriu që deri dje manifestonte idenë se mund të zgjidhë çdo krizë, sot është zhytur vetë në një të tillë, prej nga s’po del dot.

Ai sot e la kryetarin formal të LSI-së (Petritin) në zyrë për të dalë vetë në podium dhe për të hedhë vrer ndaj faktit që sot ai dhe partia e tij s’janë më pjesë e “tepsisë”, siç është bërë zakon të thuhet tanimë. S’e duronte dot faktin se më në fund dy partitë e mëdha kishin vendosur të mos mbeteshin pengje të një partie që lindi nga njëra parti dhe u rrit duke i vënë lakun në fyt të dy partive të mëdha, duke i kërcënuar në çdo moment kur ato tentonin të mos i bindeshin.

Mirëpo të gjithën sa thashë më lart, Meta e ka hedhur poshtë si strategji të tij dhe LSI në çdo dalje televizive. Ai e ka mohuar se ai dhe LSI bëjnë presione kur ju cënohet pushteti ose kur nuk ju jepet ajo që kërkojnë.

Por në daljen e sotme për mediat, Meta nën trysninë e krizës dhe momentin dramatik që po kalon LSI, me kërcënimin e tij konkret se “nuk do të dekretojë ministrat e kryeministrin e zgjedhjeve të 25 qeshorit”, aprovoi se po, ai dhe LSI kur iu cënohet pushteti dhe interesat përdorin çdo mjet që kanë në dorë pavarsisht interesit qytetar.

Kërcënimi i sotëm është në fakt një aprovim i asaj që kryeministri Rama e thotë çdo ditë nëpër mitingje. Ky kërcënim i Metës është tregues se si ai me aq sa ka në dorë të kushtëzon, të paralizon duke tentuar të çojë ujë me çdo kusht në mullirin e tij. Kjo është padyshim e drejta e tij, por kjo duhet edhe pranuar.

Dhe kur e mendon, Meta kërcënon me aq pak pushtet që do të ketë si President, po kur ka patur më shumë, ç’ka bërë vallë?

Kësaj po i jep përgjigje prej javësh Rama por dhe Basha. Meta sot në krizë e sipër e rikonfirmoi.

Pjesa tjetër e filmit mbetet për tu parë. Se sa Rama dhe Basha e kanë seriozisht shkrirjen e fenomenit “Po s’më dhe këtë, s’të jap votat për këtë e atë” kjo mbetet për tu parë. Meta ju bëri sot të dyve një nder, doli dhe konfirmoi atë që ata thonë përditë, pra që të vë lakun në fyt me aq takat sa ka.

Please follow and like us: