Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Shqiptarizmi është shumë më i vjetër se nacionalizmi

 

Ngaqë çdo ditë e më shpesh takon njerëz shpresëhumbur, çoroditja, çekuilibri psikologjik dhe zemërimi kalojnë deri në vetësharje, vetëbaltosje deri në mohim të qenies shqiptare, si racë e keqe, mëkatare, madje pa asnjë vlerë reale, pa ideale, pa origjinë, pa histori, një sajesë kombësie e rreme. Me trishtim të thellë, por duhet ta pranojmë deri në një farë mase këtë revoltë, si ulërimë të dhimbjes së brendshme njerëzore. Por gjithnjë deri në një farë mase. Pa prekur trurin e pa humbur logjikën.
Më e keqja ndodh kur kjo psikozë ndez bateritë e disa intelektualëve ekscentristë, një specie e njohur gjoja ‘’europianiste’’ që gradualisht po gjeneron negativitet. Kushedi ç’tip ‘’balene blu’’ u ka prekur zona të trurit duke i shtyrë në ‘’vetëvrasje identiteti’’ në vetëdënim të llojit të tyre biogjenetik për hir të hobisë për të qenë ‘’origjinalë’’, të distancuar nga standardi apo për t’i shpëtuar etiketimit si ‘’nacionalistë’’. E vërteta është se nacionalizmi u zhvlerësua, e humbi modernitetin, duke marrë një kuptim pezhorativ. Por kjo s’ka lidhje me shqiptarizmin, stërgjyshin e tij dinjitoz.
Pata një takim të hidhur këto ditë. Rastisi të takoja një intelektual të prekur nga kjo ‘’balenë blu’’. Zëre se fola me nr. 1 të ‘’listës sërbe’’. Ç’nuk më tha! Është turp t’i zësh në gojë. Më erdhi keq se ishte nga zemra e Labërisë.
Për ata që notojnë në këto ‘’ujëra të zeza’’ duke vetëmohuar historinë, rrënjët dhe identitetin tyre, duke shpërfillur autoktoninë e duke u vetëgënjyer me vonesën e ngjizjes tonë si komb në krahasim me të tjerët në Ballkan, më duhet të sjell për kompetencë studiuesin autoritar të kësaj fushe E. J. Hobsbawn (‘’Kombet dhe nacionalizmi’’ T 1996).
Hobsbawn zbulon se, edhe para nacionalizmit modern, ka pasur komunitete njerëzore që e kanë identifikuar veten gjatë gjithë historisë. Këto vjega ai do t’i quante protonacionale. (fq 46). Ato janë forma mbilokale të identifikimit popullor. Pra, ndodh modernizimi i varianteve të lashta. Nacionalizmi i një periudhe të mëvonshme mund të ketë rrënjë popullore me karakter të mirëfilltë gjuhësor dhe protonacional. I tillë është rasti i shqiptarëve, të cilët kanë jetuar qysh nga lashtësia klasike nën nndikime kulturore rivale dhe që ndahen në tri fe rivale: në fenë islamike, në atë ortodokse dhe në atë katolike (ose madje në katër fe po të shtojmë edhe kultin lokal mysliman të bektashinjve) (fq 53). Dhe vazhdon më tej të theksojë si rastin më tipik ‘’ndërgjegjen e spikatur protonacionaliste të shqiptarëve, ndonëse të ndarë nga besime fetare më të shumta se sa mund të hasen zakonisht në një territor me përmasat e Uellsit, (fq 70).

Please follow and like us: