Albspirit

Media/News/Publishing

LSI, sulm të koordinuar ndaj Haki Çakos, Kryemadhi: ‘Haki Droga’ do e marrë përgjigjen pas 9 ditësh

Lëvizja Socialiste për Integrim është duke kryer një sulm të koordinuar kundër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Pasi presidenti i zgjedhur, Ilir Meta e akuzoi sot përpara ambienteve të Kuvendit për manipulim të procesit zgjedhor, kundër Çakos ka reaguar edhe nënkryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi thekson se LSI është në kulmin e saj e “pashqetësuar nga cingërrimat e Haki Drogës dhe falangave të tij që do të marrin përgjigjen që meritojnë vetëm pas 9 ditësh”.

“Kanë mbetur edhe 9⃣ ditë nga fitorja e uraganit, frika e falangave të krimit në policinë e shtetit ka nisur të godasë militantët dhe drejtuesit e LSI. Çdo tentativë për të na frikesuar është e kotë, sikundër edhe njëherë i them Haki Drogës se është mirë të ndalojë kriminelët që lëvizin me makina policie dhe jo të dhunojë ata që rregullojnë muret e shtëpive të tyre. Të arrestojë të kërkuarit nga interpoli dhe jo të keqtrajtojë mbështetësit e LSI. Të arrestojë hajdutët e bankave, paratë e të cilave po i perdorin për fushatë, të fusë në burg trafikantët e kanabisit dhe krerët e policisë të përfshirë në këtë trafik. Por Haki Droga nuk e bën këtë, sepse i tmerruar nga mitingu i LSI, po përdor çdo mënyrë e çdo mjet për të goditur Forcën e Parë të zgjedhjeve të 25 qershorit. Duke harruar që e ka të kotë, sepse përballë të rinjve çdo intrigë apo sulm është vetëm një përpjekje qesharake dhe e dështuar. Sepse të rinjte e Shqipërisë besojnë te LSI, tek alternativa e saj dhe askush, sado kriminelë apo para të pisët të ketë grumbulluar nuk mund të përballet me forcën e tyre. Ndaj sot me shumë se kurrë uragani i fitores është në kulmin e tij i pashqetësuar nga cingërrimat e Haki Drogës dhe falangave të tij që do të marrin përgjigjen që meritojnë vetëm pas 9 ditësh”, deklaron Kryemadhi.

Më herët ishte kandidatja e LSI në Fier, Erisa Xhixho ajo që akuzoi segmente të policisë si të lidhura me krimin.

Please follow and like us: